Dëshmi

March 9, 2018 | 14:30

 Etleva Demollari: Nuk ka turizëm pa vizita në muze

Turizmi kulturor lidhet ngushtësisht me jetesën e vizitorëve. Sa më i përhapur të jetë ai, aq më shumë përçohen vlerat dhe modelet e shoqërive që i kanë ngritur. Sa i takon institucionit që ajo drejton, muzeut “Shtëpia me gjethe”, drejtoresha Etleva Demollari thotë se ky muze është i vetmi në Ballkan që bën publike fakte, dokumente dhe dëshmi, të cilat zbulohen për herë të parë. Ky muze është një burim informacioni për brezin e ri, për të kuptuar brezin e vjetër dhe regjimin e mëparshëm, për vizitorët e huaj që të mund ta kuptojnë më mirë Shqipërinë e shqiptarët, për kërkuesit shkencorë që mund të zbulojnë shumë fakte të reja për mësuesit e historisë, shkencave sociale e psikologjisë, por dhe atyre të teknologjisë e shkencave natyrore.

Etleva Demollari

Etleva Demollari

Sa i rëndësishëm është takimi me muzetë në këtë periudhë?

Turizmi është i domosdoshëm për muzetë, sepse turistët (vendas e të huaj) përbëjnë pjesën më të madhe të vizitorëve. Por nga ana tjetër edhe muzetë janë të nevojshëm për turistët, të cilët joshen dhe tregojnë interes për to, aq sa nuk mund të kuptohet turizmi pa vizita në muze. Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me gjethe” është muzeu kombëtar më i ri në vend që i shtohet institucioneve kulturore dhe educative të kryeqytetit, por dhe hartës së “vendeve të kujtesës” të regjimit komunist në Shqipëri.

Ai mëton të rrëfejë rolin e rëndësishëm represiv, frikësues dhe kontrollues të policies politike, si instrumenti më i efektshëm i partisë-shtet që ndikoi në jetëzgjatjen dhe sundimin 45-vjeçar të regjimit komunist.

Mendoj se ky muze tepër i veçantë në llojin e tij, i vetmi në Ballkan, po tërheq dhe do të vazhdojë të tërheqë vizitorë, sepse bën publike fakte, dokumente dhe dëshmi, të cilat zbulohen për herë të parë, sepse është ndërtuar in situ, në ish- Selinë qendrore të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit të mbajtur sekret deri pak kohë më parë, sepse ka një koleksion autentik të rrjetit të sofistikuar të aparaturave të spiunazhit nga më modernet për kohën, sepse ka një muzeografi bashkëkohore, sepse është ndëraktiv dhe sepse është gjithnjë në zhvillim. Ai do të pasurohet e rinovohet përherë me fakte e dëshmi të reja.

Sa të interesuar janë vizitorët për të kaluarën komuniste?

Sipas sondazheve rezulton se kjo pjesë e historisë sonë ngjall më shumë interes për vizitorët e huaj, për shkak të izolimit dhe mungesës së komunikimit me botën e huaj që aplikoi Shqipëria, por dhe për të rinjtë e lindur pas viteve ’90 që nuk e kanë njohur atë periudhë. Historia e së kaluarës komuniste, historia që rrëfen ky muze tregon për një anë të errët të shoqërisë tonë për të cilën nuk mund të ndihemi krenarë, por megjithatë, varrosja e së kaluarës komuniste nuk sjell as shërim e as drejtësi për ata që e pësuan. Diku në muze do të lexoni këtë citim të William Faulkner: E shkuara nuk vdes kurrë. Madje ajo as ka kaluar. E shkuara nuk vdes, sepse ne bartim kujtimin e saj.

E kaluara është pjesë e pandarë e jona. Çdo çast i së kaluarës sonë ndërton atë që ne jemi. Kështu që e kaluara jeton brenda nesh. Historia përsëritet, ata që e harrojnë të shkuarën janë të destinuar ta përsërisin. Ndaj asgjë s’duhet të kalojë në heshtje. Asgjë s’duhet të mbetet e pandëshkuar. Vendet e kujtesës kanë rëndësi të veçantë në trajtimin e së shkuarës së vendit. Ato janë të rëndësishme për ish të përndjekurit, që janë ende gjallë dhe luajnë gjithashtu, rol të rëndësishëm për informimin e brezave më të rinj.

Cilat janë vlerësimet e para të turistëve?

Deri tani kemi pasur rreth 280 vizitorë të huaj dhe 460 vendas. Interesimi ka qenë i madh, si për të huajt ashtu dhe për vendasit. Ajo që bie në sy pozitivisht është kurioziteti që ka ngjallur ky muze tek të gjitha grupmoshat, por kryesisht, te nxënësit dhe studentët, të cilët e kanë vizituar të shumtë (rreth 220 deri tani) dhe për më tepër të paorganizuar nga shkollat, pra në mënyrë individuale. Edhe të moshuarit përbëjnë një pjesë të rëndësishme të vizitorëve tanë, sepse kanë treguar mjaft interes në kujtimin e së kaluarës komuniste.

Cila është këshilla juaj se përse duhet ta vizitojnë këtë vend?

Ky muze kombëtar përcjell mesazhe të forta. Ai është së pari një homazh i Kombit për shumë e shumë njerëz të pafajshëm që janë arrestuar, internuar, torturuar, që kanë vuajtur dënime të rënda për shkak të përgjimeve, kontrolleve e spiunimeve, pjesa më e madhe e të cilave e kishin pikënisjen nga kjo shtëpi. Por Muzeu Kombëtar “Shtëpia e gjetheve” është gjithashtu një homazh për të gjithë shoqërinë shqiptare, sepse vëzhgimi është përdorur ndaj të gjitha shtresave dhe kategorive shoqërore, sepse asnjëra prej tyre nuk ishte e garantuar nga përndjekja.

Ndaj, ftesa ime për të vizituar muzeun i drejtohet brezit të ri që të mund të kuptojnë brezin e vjetër dhe regjimin e mëparshëm, i drejtohet brezit më pak të ri që e dinte se përgjohej, sepse “muret kishin veshë” dhe se “1 ndër tre ishte spiun” por, do të donte të kuptonte më mire sesi funksiononte sistemi i përgjimit, i drejtohet vizitorëve të huaj që të mund ta kuptojnë më mirë Shqipërinë e shqiptarët, por që mund të gjejnë dhe dëshmi të përgjimeve që u janë bërë bashkatdhetarëve të tyre në atë periudhë, i drejtohet kërkuesve shkencorë që mund të zbulojnë shumë fakte të reja e të hedhin dritë mbi atë periudhë të errët të histories tonë, i drejtohet mësuesve të historisë, shkencave sociale e psikologjisë, por dhe të teknologjisë e të shkencave natyrore, që të ndërtojmë së bashku programe edukative duke shfrytëzuar për seminare koleksionet, sallat dhe laboratorin e muzeut.

Vizioni ynë është që përtej tërheqjes së vizitorëve të zakonshëm vendas e të huaj, Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” të kthehet në të njëjtën kohë në një referencë në fushën e kërkimit dhe në një hapësirë për debat për të ndihmuar në përkufizimin e të kaluarës së Shqipërisë dhe në zbulimin e të vërtetave gjatë regjimit komunist.

Dhe unë besoj se në Shqipëri ne kemi nevojë ta fillojmë procesin e shërimit të dhimbjes së të kaluarës me zbulimin e të vërtetave. Muret e “Shtëpisë me gjethe” kanë dëgjuar shumë. Tashmë ato kanë filluar të flasin. Ejani t’i dëgjoni!

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 121

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top