Lifestyle

September 5, 2017 | 11:32

Etnologia Dorina Arapi/ Në gjurmët e veshjeve shqiptare të grave

Veshja ka domethënie me interes kulturor për një popull. Ajo ofron një burim kryesor për të na dhënë informacione rreth jetës që mund të ketë zhvilluar një komunitet apo një grup shoqëror. Në kontekste të ndryshme, veshja tregon simbolet përkatëse të një komuniteti ose të një popullate.

Në shumë forma e mënyra, veshja komunikon. Gjatë kohës veshjet kanë huazuar elemente e janë zëvendësuar me elemente të reja. Zëvendësime të plota të kostumeve janë të rralla, të cilat kanë ndodhur vetëm në raste kthesash të mëdha shoqërore e politike. Por në këtë kontekst, lind pyetja, ashtu siç çdokush mund të pyesë, çfarë mund të quhet veshje shqiptare? Te një veshje duhet të shquajmë gjithmonë strukturën dhe jo një element të izoluar ose të marrë më vete.

Kjo pasi struktura, pra organizimi i elementeve në veshje, zbulon trupëzimin e elementeve kulturore të huazuara. Më pas aspekti i dytë që duhet të merret në konsideratë është prerja e veshjes: Prerja e veshjes zbulon akoma më shumë qëndrueshmërinë e strukturës. Dhe i treti është dekoracioni, që është një aspekt plotësues i strukturës. Më poshtë, doktorantia në fushë, etnologia Dorina Arapi, na njeh me disa veshje e elemente identifikuese të zonave të ndryshme të Shqipërisë.

screenshot--2017-09-04-11-05-15

Dimijat, ndikimet e borgjezisë së Tiranës te nuset e Shkodrës

Dimijat, duke qenë se u përdorën gjerësisht në shekullin XX, si në qytet, ashtu dhe në fshat, u konsideruan nga vendasit si veshje kombëtare, duke u emërtuar shpesh si “veshje shqiptare” ose “veshje shqiptarçe”. Dimijat janë veshur kryesisht në Shqipërinë e Mesme, si në Tiranë, Krujë, Durrës, Kavajë, Elbasan etj. Historiani shkodran, Hamdi Bushati, përdorimin e dimijave që u përhap te nuset shkodrane në fund të shekullit XIX, e argumenton si ndikim që erdhi nga veshja e borgjezisë së Tiranës te nuset e Shkodrës. Dimijat tradicionale dhe karakteristikë e veçantë e qytetit të Tiranës njihen si dimija mermeri. Kjo për shkak se ato qepeshin prej një pëlhure të bardhë, të hollë e transparente, të cilën vendasit e quajtën mermer.

screenshot--2017-09-04-10-59-04

Gërshonsi i nuseve

Gërshonsi i fshatit Guri i Bardhë, Mat. Gërshonsi është një veshje që mbahej nga nuset. Ai është një model i ngjashëm me mjaft anteri orientale të kohës. Gërshonsi qepej zakonisht me dy pëlhura: allaxha e varkuq.

screenshot--2017-09-04-10-59-42

Bizhutë e çmuara të grave të shtresës së lartë në Berat

screenshot--2017-09-04-11-00-53

Gjatë shekujve XVII dhe XVIII, gratë e shtresave të larta shoqërore të qytetit të Beratit mbanin bizhuteri prej ari e argjendi, por dhe shumë aksesorë të kohës, të cilët pasqyronin statusin e tyre social, si dhe ndikimet e modës së kohës. Në fund të shekullit XVII ishin të përhapura zbukurimet për trupin, të larmishme në funksionet e tyre. Bazëbendi, një trajtë byzylyku që vendosej në pjesën e sipërme të krahut, mbahej si nga gratë, ashtu dhe nga burrat.

Sipas etnologes Andromaqi Gjergji, më vonë, në Malësinë e Tiranës, në fshatrat e Bendës, bazibeni (i quajtur nga vendasit kështu), ishte një çantë e vogël e punuar me rruaza e që mbahej krahaqafë dhe pjesë e kostumit të nuses, duke ndryshuar kështu dhe domethënien dhe funksionin, e duke ruajtur vetëm emërtimin. Një formë e mbetur e ngjashme me bazëbendin e dallojmë në kostumin e burrit me fustanellë, si dhe në këmishët e grave, ashtu siç paraqiten në kartolinat e fillim shekullit XX.

Çitjanet e ndryshme të grave

Çitjanet janë pantallona të gjera, të cilat visheshin nga gratë. Ato ndryshojnë në prerje nga dimijat. Çitjanet e ilustruara janë pjesë e veshjes qytetare dhe shoqëroheshin me një anteri me dy pjesë. Çitjanet e ilustruara janë pjesë e koleksionit të fondit etnografik, pranë IAKSA, Tiranë.

Suplementi Unë Gruaja /Panorama

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top