Zgjimin në mëngjes nuk e kam çështje pasioni, rrjedh si diçka normale, vjen i ngadaltë pasi aktualisht aty ku jetoj, në Zvicër, kohën e kam të palimituar për ta pasur të tërën timen… Mendimi i parë që më vjen në mëngjes, përfshihet nga një lloj menefregizmi, në lidhje me faktin që nuk më shqetëson koha e zgjimit. Zakonisht zgjohem në orën 9, ndodh edhe më vonë dhe veprimi i parë që bëj është hedhja e vështrimit përtej dritares nga ku shoh liqenin dhe kuptoj zgjimin e kohës. Madje më pëlqen ta zbërthej atë nëpërmjet dritës që përthyhet në xhamin e dritares. Nga ky moment, vendos të ndez celularin, të vë një disk të preferuar dhe t’i drejtohem furçës së dhëmbëve, për t’i dhënë lustrën ditës së re… Filxhani me një çokollatë të ngrohtë është traditë për zviceranët, edhe për mëngjesin tim të zakonshëm. E rrufis qetësisht duke i lënë mendimet e ditës të pashqetësuara. Aq më tepër kur në sfond më shoqërojnë tingujt muzikorë të diskut tim të preferuar “Cafe Del Mar – Retrospectives”. Që të ndjej plotësisht zgjimin tim fizikisht, më duhet ta ushqej vetëm me energjinë që të dhuron natyra e qytetit ku jetoj aktualisht, Lozanës, qytet tejet i bukur, që natyra dhe arkitektura urbane e bëjnë mjaft piktoresk. Lozanasit janë shumë sportivë, kështu në ritin e vrapimit të tyre jam bashkuar edhe unë çdo mëngjes. Sepse ndërsa ngrihem nga gjumi i rënduar i ëndrrave, kërkoj të çliroj të gjitha mendimet, pa i mbledhur copat e tyre që do ma vështirësonin qetësinë e ditës që kërkoj. Vrapimi, mendoj se është adrenalinë për ta nisur mbarë ditën time të re. Kufjet në vesh dhe, me tuta sporti rend drejt liqenit që është bërë frymëzimi i ditëve të mia. Më kujtohen ditët e zgjimit kur punoja në televizion, ose më saktë kur tringëllima e ziles së orës më alarmonte zgjimin. Dhe unë si një zog i trembur hidhesha rrëmbimthi nga shtrati, edhe pse dëshira për gjumë ishte e madhe… Tashmë ditët e mia nuk kanë më atë ritëm frenetik nën stresin e zhvillimeve të orëve të punës dhe të papriturave, që lodronin emocione shqetësuese, por edhe kënaqësinë kur çdo gjë shkonte mirë. Mëngjeset e mia janë të qeta, madje unë i quaj frymëzuese të venës time poetike, sepse nëpërmjet zbërthimit të dritës së tyre unë po përgatit edhe vëllimin tim të parë me poezi…
Botuar në revistën Psikologji, korrik 2010
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.