Këshilla & Arsye

July 28, 2017 | 10:32

Fakte & Këshilla: Kush rrezikon të infektohet nga Hepatitet Virale?

Çdo njeri është i rrezikuar të infektohet nga Hepatitet Virale; A, B, C, D, E. Por grupet më të rrezikuara janë:

  • Punonjësit e kujdesit shëndetësor
  • Personat që kryejnë marrëdhënie seksuale të pambrojtura (pa prezervativ)
  • Meshkujt që kryejnë seks me meshkuj
  • Përdoruesit e drogave të injektueshme
  • Të sëmurët që kryejnë transfuzione gjaku,si Hemofilikët, Talasemikët,etj.
  • Të sëmurët me sëmundje kronike, të cilët kryejnë injeksione të shpeshta apo procedura të tjera si dializa.

 

Cilat janë shenjat e sëmundjes së Hepatitit Viral?

  • Ethe
  • Lodhje
  • Humbje oreksi
  • Të përziera
  • Të vjella
  • Dhimbje barku
  • Ngjyra e urinës e errët
  • Jashtëqitje pa ngjyrë, të bardha
  • Zverdhje e pjesës së bardhë të syrit dhe e lëkurës

fakte

Nëse dikush ka kaluar Hepatit Viral, a mund të infektohet përsëri?

Nëse një person ka kaluar hepatitin në të shkuarën, nuk ka mundësi që të infektohet përsëri me atë formë hepatiti, pra nuk mund të infektohet nga i njëjti virus, por ai mund të sëmuret nga një formë tjetër hepatiti. P.sh, nëse kemi kaluar Hepatitin Viral A, nuk mund të infektohemi përsëri nga Hepatiti Viral A, por me një formë tjetër si Hepatiti B,C etj.

 

A mund të dhurosh gjak nëse ke kaluar Hepatit Viral?

Njerëzit të cilët kanë kaluar Hepatitin B dhe C nuk mund të dhurojnë gjak, ndërsa njerëzit që kanë kaluar Hepatit A dhe E mund të dhurojnë gjak.

 

A mund të parandalohet Hepatiti Viral?

Hepatiti Viral A dhe B mund të parandalohen nëpërmjet vaksinimit dhe

respektimit e përmirësimit të masave të higjienës. Ndërsa për parandalimin e

Hepatitit C duhet të mënjanohen marrëdhëniet seksuale të pambrojtura,

kontakti me gjakun e personave të infektuar, si dhe të përdoren shiringa njëpërdorimshe nga përdoruesit e drogave.

 

Kujt i rekomandohet vaksinimi ndaj Hepatitit Viral?

  • Fëmijëve të porsalindur, brenda 24 orëve të para dhe më pas sipas Kalendarit Kombëtar të Vaksinimit
  • Punonjësve të kujdesit shëndetësor
  • Personave që kryejnë kontakte seksuale të pambrojtura
  • Meshkujve që kryejnë seks me meshkuj
  • Përdoruesve të drogave të injektueshme
  • Të sëmurëve që kryejnë transfuzione gjaku të shumta, si Hemofilikët dhe Talasemikët
  • Të sëmurëve me sëmundje kronike
  • Partnerëve seksualë dhe familjarëve që jetojnë me persona të infektuar
  • Çdo personi që nuk paraqet kundra-indikacion, që nuk është vaksinuar në lindje dhe mendon se mund të ekspozohet ndaj virusit, p.sh. udhëtarët që shkojnë në vende ku ka hepatit.

 

Si jepet vaksina?

Vaksina e Hepatit Viral A jepet me dy doza dhe siguron mbrojtje për 20-25 vjet. Kjo lloj vaksine nuk është e përfshirë në Kalendarin Kombëtar të Vaksinimit, por është e rekomandueshme kryerja e saj nga shoqatat e profesionistëve. Vaksina e Hepatit Viral B jepet me tri doza. Për fëmijët, vaksina jepet në moshën 2,4 dhe 6 muajsh. Kjo vaksinë është e përfshirë në Kalendarin Kombëtar të Vaksinimit. Për adoleshentët dhe të rriturit, doza e parë dhe e dytë kanë interval 1 muaj, ndërsa doza e tretë bëhet 5 muaj mbas dozës së dytë, ose 6 muaj mbas dozës së parë.

Mbani mend!

Nëse një person, për arsye të ndryshme humbet datën e përcaktuar të

vaksinimit, nuk duhet të fillojë vaksinimin nga e para, por duhet ta vazhdojë atje ku e ka lënë. Vaksina është efektive dhe nëse kryhet sipas rekomandimeve të dhëna, ajo siguron një nivel mbrojtjeje mbi 95%.

 

A jep vaksina efekte anësore?

Vaksinat janë të sigurta. Nuk janë vërejtur efekte anësore të rëndësishme.

hepa

Si mund të mbroheni nga infektimi me Hepatit Viral?

  • Respektoni rregullat e higjienës (larje e shpeshtë e duarve)
  • Përdorni prezervativ gjatë kontaktit seksual
  • Mos përdorni pajisjet personale të tjetrit si: furçë dhëmbësh dhe brisk roje
  • Nuk duhen përdoruar të njëjtat age dhe shiringa
  • Përdorni doreza nëse ju duhet të prekni gjakun e një personi tjetër
  • Sigurohuni që tatuazhet apo vendosja e sendeve me shpim (piercing) në trup, të bëhet me mjete sterile
  • Nuk duhet dhuruar gjak apo produkte të tij, nëse e dini apo zbuloni se keni Hepatit B
  • Testohuni për Hepatit B dhe C, pasi shpesh bartësit nuk e dinë se janë të infektuar me to.
  • Testimi rrit mundësinë e zbulimit të hershëm të personave bartës apo të formave kronike, si dhe rrit mundësinë e trajtimit të hershëm të tyre.

 

Këshilla të fundit për personat që janë me Hepatit Viral, sidomos për format B dhe C:

  • Ushqehuni shëndetshëm
  • Mos përdorni pije alkoolike
  • Mbani higjienën personale
  • Kontrollohuni vazhdimisht tek specialisti, sidomos personat me format B,C dhe D të Hepatitit Viral pasi ato mund të kronicizohen.

 

Disa fakte nga bota:

Çdo vit, në botë vlerësohen 1.4 milion raste me Hepatit Viral A, 2 miliard raste me Hepatit Viral B, dhe më shumë se 350 milion raste kanë infeksione kronike të mëlçisë. Sipas OBSH-së, 3% e popullsisë së botës është e infektuar me Hepatit Viral C dhe 1.7 milion janë bartës kronikë.

Burimi: Instituti i Shëndetit Publik

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top