Shumica e femrave e fillojnë menopauzën mes moshës 45-55 vjet. Menopauza e hershme zakonisht i referohet asaj kur një femre i ndodh para moshës 45 vjeçare, ndërkaq ajo e parakohshme ndodh para moshës 40 vjeçare.
Menopauza ndodh kur vezoret tuaja ndalojnë së prodhuari vezë, gjë e cila rezulton në nivele të ulëta të estrogjenit. Estrogjeni është hormoni i cili kontrollon ciklin riprodhues. Një femër konsiderohet se është në periudhën e menopauzës kur nuk ka pasur menstruacione për më gjatë se 12 muaj. Por, simptomat që ndërlidhen me të fillojnë një kohë të gjatë para menopauzës.
Çdo gjë që dëmton vezoret ose ndalon prodhimin e estrogjenit mund të shkaktojë menopauzën e hershme. Kjo përfshin procedurën e kimioterapisë për kancer, por edhe procedurën e heqjes së vezoreve. Në këto raste, doktori ju ndihmon të përgatiteni për menopauzën e hershme. Megjithatë, ju prapëseprapë mund të futeni në periudhën e menopauzës më herët edhe nëse i keni vezoret të paprekura.
Çfarë e shkakton menopauzën e hershme?
Ka disa shkaktarë të njohur të menopauzës së hershme:
Gjenetika
Nëse nuk ka ndonjë arsye të qartë mjekësore se përse menopauza ju ka ndodhur herët, atëherë shkaktari me shumë mundësi është gjenetika juaj. Pra, mosha kur e filloni menopauzën ka shumë gjasa të jetë gjë e trashëgueshme.
Faktorët e stilit të jetesës
Disa faktorë të stilit të jetesës mund të kenë ndikim në atë se kur e filloni menopauzën. Pirja e duhanit ka efekte anti-estrogen të cilat kontribuojnë në menopauzë të hershme. Edhe indeksi i masës trupore (BMI) mund të jetë faktor i menopauzës së hershme, sepse estrogjeni ruhet në indet yndyrore. Femrat të cilat janë shumë të holla kanë pak rezerva të estrogjenit, të cilat mund të zbrazen më shpejt.
Disa hulumtime gjithashtu sugjerojnë se dieta vegjetariane, mungesa e ushtrimeve fizike dhe mungesa e ekspozimit në diell përgjatë jetës mund të jenë shkaktarë të menopauzës së hershme.
Defektet me kromozomet
Disa defekte të kromozomeve mund të çojnë në menopauzë të hershme. P.sh., sindroma ‘Turner’ është kur keni lindur me një kromozom të pakompletuar. Femrat me këtë sindromë kanë vezore që nuk funksionojnë siç duhet dhe kjo i nxitë ato të futen më herët në fazën e menopauzës.
Faktorët tjerë të cilët mund ta nxisin menopauzën e hershme mund të jenë edhe sëmundjet autoimune dhe epilepsia.
Cilat janë simptomat e menopauzës së hershme?
Menopauza e hershme mund të fillojë menjëherë posa të keni çrregullime me menstruacione të cilat fillojnë të zgjasin më shumë ose më shkurtë se normalisht. Megjithatë, simptomat e tjera të menopauzës së hershme përfshijnë:
- Gjakderdhje më të madhe
- Menstruacione që zgjasin më gjatë se një javë
- Një periudhë më e gjatë kohore mes menstruacioneve
- Problemet me disponimin
- Vagjinë e thatë
- Ndryshime në ndjenja apo epshin seksual
- Probleme me gjumin, etj.
Burimi / telegrafi.com
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.