Ndotja, ndryshimet klimatike, obeziteti dhe marketingu i tepruar kërcënojnë seriozisht shëndetin dhe të ardhmen e fëmijëve. Në raportin e fundit të realizuar nga UNICEF mbi një analizë të jetës së fëmijëve në 180 vende, del në pah se 250 milionë fëmijë nën moshën 5 vjeç rrezikojnë seriozisht të mos arrijnë zhvillim të plotë.
Në analizë janë vlerësuar mirëqenia e tyre në shëndetësi, arsim dhe ushqyerje. Në vendet me të ardhura të mesme dhe të ulëta problem më shqetësues është kequshqyerja kronike dhe varfëria. Por jo vetëm kaq, pasi në mbarë globin çdo fëmijë duhet të përballet me dy rreziqe të tjera që janë ndryshimi klimatik e ndotja dhe presioni tregtar.
Kequshqyerja nuk është vetëm mungesë ushqimi, por edhe tepricë e ushqimit me kualitet të ulët. Këtë e vërtetojnë edhe shifrat, pasi në vitin 1975 në botë rezultonin 11 milionë fëmijë obezë, ndërsa në 2016-n ishin 124 milionë. Sipas ekspertëve, shkaku kryesor qëndron pas marketingut agresiv që drejton masat drejt ushqimeve të shpejta, pijeve me përmbajtje të lartë sheqernash, alkool dhe duhan. Sipas OBSH, është përllogaritur që në disa vende, në një vit fëmijët shohin në TV deri në 30 mijë reklama publicitare.
Në majë të klasifikimit për kushtet më të mira që i ofrohen fëmijëve dhe rritjes së tyre janë Norvegjia, Koreja e Jugut, Holanda, Franca dhe Irlanda, ndërsa vendet afrikane renditen të fundit. Në analizë theksohet se për sa i përket ndotjes nga Co2 statistikat më të rënda vërehen në SHBA, Australi dhe Arabi Saudite.
Burimi / KlanPlus
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.