Marrëdhënie

November 26, 2015 | 11:05

Familja dhe metamorfoza e saj

Nga: Sonila Gruda

Ndërsa mendoja rreth familjes dhe konceptit rreth saj, më erdhi ndërmend një skenë e filmit “Bekas”, xhiruar në Irak, i regjisorit kurd, Karzan Kader. Babashalid, një i moshuar, i cili kujdesej për dy vëllezërit e mbetur jetimë, dërgon më të voglin nga të dy, Dana-n, për të mbledhur rreth njëzet shkopinj dhe pastaj i kërkon që të ndajë më dysh një shkop. Natyrisht fëmija ia del mbanë. Pastaj ai thotë: “Shumë mirë. Merri të gjithë këta shkopinj dhe ndaji më dysh”. Fëmija bëri atë që i kërkoi i moshuari, por pa sukses. I moshuari i tha: “Tufa me shkopinj është familja. Ajo është e fortë në qoftë se mbetet e bashkuar. Në qoftë se ti dhe Dana qëndroni së bashku, do të jeni të fortë. Djali im dhe unë së bashku jemi të fortë. Në këtë mënyrë funksinon”.

Bashkimi (lidhja e fortë mes familjarëve) konsiderohet në këndvështrimin psikologjik, si faktori që ofron mbrojtje dhe vazhdimësinë e familjes në një aspekt themelor. Bashkimi, jo vetëm me prindërit, por edhe me të afërmit, miqtë dhe fqinjët, u garanton fëmijëve që në vegjëli, një rrjet social të dendur dhe të qendruëshëm. Një komunitet i vërtetë, i aftë për të promovuar mirëqenien dhe kohezionin. Familja e kësaj natyre është quajtur resiliente, pra e aftë për t’u përballur me vështirësitë dhe pengesat e jetës, pa humbur koherencën dhe mirëqenien që e karakterizon. Resilienca në të vërtetë varet si nga karakteristikat e komunitetit edukues dhe karakteristikat individuale. Relativisht për njeriun janë të rëndësishme: autonomia, besimi personal, hapja ndaj marrëdhënieve shoqërore, aftësia në zgjidhjen e problemeve dhe në marrjen e vendimeve, përcaktimin e objektivave dhe të qenit në gjendje për t’i arritur ato. Këto karakteristika duhet të merren në konsideratë si objektivat, të cilat duhet t’i ketë edukimi. Në mënyrë që një person të zhvillojë resiliencën, është gjithashtu thelbësore që të ketë një figurë referuese pozitive brenda dhe jashtë familjes, të ketë mundësinë për të pasur përvoja që rrisin vetë-respektin dhe vetë-efikasitetin e tyre (Losel, 1994). Koncepti i resilencës ka lindur nga një ndryshim metodologjik, aplikuar familjes problematike. Më parë kërkohej të identifikohej ajo që mungonte, duke furnizuar nga jashtë atë që mungonte në mënyrë të ngjashme me një kurë. Kjo prospektivë u braktis më vonë në favor të fjalës “familje e sfiduar” ku është e nevojshme të rikuperohen faktorët pozitivë në brendësi, për të kapërcyer periudhat e krizës, por edhe për të pasur një vazhdimësi të mirëqenies. Familja resiliente është një familje që ka një projekt familjar; është vendi ku ndodh ndarja/bashkëndarja e vlerave, qëllimeve, objektivave, përparësitë, pritshmëritë, deri në atë pikë sa të ofrojë një pikëpamje mbi botën. Familjet me një projekt investojnë në unitetin familjar dhe japin dëshmi të një orientimi pjesëmarrës që emfatizon një identitet të përbashkët dhe “sensin e Ne-së”. Në brendësi të familjes resiliente, çdo anëtar gjen dhe kultivon burime për të përballuar pozitivisht ndryshimet dhe sfidat e jetës. Rëndësia e familjes nuk mbështetet vetëm nga shkenca e psikologjisë, por edhe nga studime më tradicionale. Stierling, filozof dhe mjek gjerman, e përkufizon familjen si “Locus nascendi” (vendi ku lind) i individit dhe ku ndodh rritja e tij: vendi ku personi, gradualisht fiton identitetin e tij. Pra, për ta përmbledhur në mënyrë sintetike, është vendi ku individi formon themelet e tij. Është një organizatë farefisnie që fillon nga një histori, prodhon dallime hierarkike me gjeneratat e reja dhe krijon nëpërmjet proceseve lidhëse ndërbrezërore një histori të re familjare”. Edhe në shkrimet e shenjta i jepet një rol shumë i rëndësishëm familjes. Në Kuran, për shembull, një ajet thotë: “Shtëpia është simboli i qetësisë dhe rehatisë”. Me këtë nënkuptojmë që familja duhet të jetë vendi i lumturisë dhe mirëqenies që duhet të zhvillohet në bashkëpunim midis burrit, gruas dhe fëmijëve. Edhe Bibla ka shumë referenca për familjen si një vend

edukimi rreth vlerave, Zotit dhe mirëqenies, shembull i së cilës është familja e Nazaretit.

Pasi prezantuam modelet ideale familjare, të përpiqemi të përmbledhim idenë e familjes në shoqërinë tonë duke analizuar ndryshimet. Familja tradicionale shqiptare ishte fortësisht patriarkale, ku mblidhte nën një çati shumë breza: babai dhe nëna me fëmijët, gjyshërit, kunetërit. Edhe çiftet e reja jetonin në të njëjtën shtëpi. Vetëm femrat braktisnin shtëpinë e babait për të shkuar për të jetuar në sistemin patriarkal të shtëpisë së burrit. Familjet ishin të organizuara në formën e klaneve: vendimet merreshin nga meshkujt me të moshuar. Më të diskriminuarit ishin gratë dhe fëmijët. Kjo mënyrë organizimi i përgjigjej nevojave ekonomike: meshkujt punonin për të siguruar të mirat materiale, gratë kujdeseshin për rritjen e fëmijëve, për të moshuarit dhe të shtëpisë. Një thyerje e parë e këtij sistemi patriarkal erdhi nga komunizmi, i cili i dha mundësinë grave për të studiuar dhe punuar, gjë që më parë as që çohej ndërmend. Thyerja përfundimtare e familjes patriarkale dhe tradicionale u zhvillua në vitet nëntëdhjetë pas rënies së komunizmit. Familja tradicionale shqiptare filloi një kalvar tranzicioni, që vazhdon dhe në ditët e sotme. Ndryshimet që kanë ndodhur në Shqipëri janë të njëjta me ato në shoqëritë “perëndimore”, disa dekada më parë: nga familje patriarkale dhe tradicionale u shndërrua në familje bërthamore, çifti me fëmijë. Rrallë jetojnë ende në të njëjtën çati të moshuarit, prindërit e bashkëshortes ose të bashkëshortit. Numri i fëmijëve për çift është ulur në mënyrë drastike. Sot mesatarja është 1-2 krahasuar 5-6 para viteve ‘90. Arsyet janë të shumta: njëherë e një kohë fëmijët ishin krah pune, një ndihmë e madhe në drejtimin e shtëpisë dhe në punimin e arave, tani një fëmijë ka shpenzime të mëdha. I duhet garantuar e drejta për të studiuar dhe hyrja në botën e punës nuk është më e menjëhershme, si dikur. Pjesëtarët e familjes moderne kanë qëllimet e veta për të arritur, përveç atyre familjare, në fushën e formimit dhe të punës. Gjithashtu, edhe gruaja nuk bën përjashtim, nuk mendon më vetëm për rolin saj social si nënë dhe edukatore, por edhe të objektivave të saja personale, si ato të karrierës dhe të progresit të saj në shoqëri. Gruaja shqiptare sot është më e emancipuar, një figurë shumë më e ngjashme me atë të gruas perëndimore, që deri pak vite më parë ishte thjesht një model i largët. Familja moderne ka një strukturë vendimmarrjeje jo më vertikale, por horizontale. Çdo vendim merret në bashkëpunim nga bashkëshortët në kundërshtim me familjen tradicionale dhe patriarkale. Ne jemi ende në tranzicion, por është e mundur të bëjmë një bilanc të këtyre ndryshimeve. Disavantazhet e familjes tradicionale i kemi përmendur më lart si: struktura vendimtare mashkullore, roli i femrës reduktuar në atë të nënës etj, por sigurisht ka pasur edhe avantazhe: respekti për të moshuarit që i jepej një rol thelbësor dhe i rëndësishëm, stabiliteti i martesës, solidariteti mes njerëzve. Familjet e sotme, të paktën në teori kanë mundësinë e realizimit të qëllimeve personale të hapura për të gjithë (bursat e studimit, familjet, subvencionet), shanse më të larta rreth të mirave materiale (shtëpi, makinë, internet, kompjuterë, telefona) dhe standarde më të larta jetese. Faktorët negative janë me siguri: marrëdhëniet familjare, të cilat janë ftohur, në raste krize, njerëzit ku mund t’i varim shpresat janë gjithmonë e më pak në krahasim me të kaluarën. Po largohemi gjithnjë e më shumë nga njëri-tjetri, duke u bërë të huaj me fqinjët dhe me komunitetin tonë. Në përgjithësi shoqëria është gjithnjë e më shumë individualiste dhe lidhjet më sipërfaqësore. Në vitet e fundit, ndryshimet në familje po e modifikojnë rrënjësisht konceptin e saj. Në fakt, martesat janë në rënie dhe nuk mund të konsiderohen si definitive, duke parë numrin e lartë të divorceve. Ekonomia e dobët e të rinjve rrit gjithashtu dhe numrin e bashkëjetesave. Shpesh prindërit edhe duke mos jetuar në të njëjtën banesë, kujdesen së bashku për rritjen e fëmijëve. Lindshmëria e fëmijëve vjen në një moshë më madhore se më parë. Nga njëra anë, nevoja për të krijuar fillimisht stabilitetin në çift dhe

nga ana tjetër, vështirësia për të ndryshuar përshkimet e tyre si çift dhe hapësirat personale te vetërealizimit për ardhjen e një fëmije (ndryshim planesh). Gjithnjë e më shpesh bërthamat familjare shpërbëhen për t’u rigrupuar, duke vënë së bashku, fëmijë të lindur nga martesat e mëparshme.

Së fundmi, për ta përmbyllur, është e nevojshme t’i drejtojmë këtë pyetje vetes: nëse ne mund t’i lejojmë vetes që të humbasim familjen jo thjesht si institucion, por gjithë atë grup vlerash etike, edukative, respekti dhe gjithashtu rolin që familja ka pasur deri më sot, një nga rrugët kryesore me anën e së cilës këto mesazhe t’i transmetoheshin brezave të ardhshëm. Shoqëria ndryshon shpejt, na bombardon me informacione, na kërkon që të jetë gjithmonë në të njëjtin ritëm me të. A nuk është i nevojshëm dhe i dobishëm një kontekst në të cilin mund të pushojmë, ku mund të gjejmë mbështetje, për të gjetur forcë a asaj që jemi dhe asaj që do të jemi?

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top