Marrëdhënie

January 15, 2016 | 10:29

Familja, tempulli i vlerave dhe moralit!

1Nga: Orjola Pampuri

Psikologe klinike 

Në perceptimin e saj, martesa dhe familja janë dy institucionet më të vjetra dhe më të rëndësishme nga dyert e të cilave dalin individë, suksesi i të cilëve është faktori kyç për të zhvilluar komunitetin dhe për të siguruar një të ardhme të suksesshme për një shoqëri dhe një vend. Terreni shoqëror por dhe aktualiteti i familjes shqiptare sot, has gjithaq në një martesë problematike, për të cilën psikologja e njohur, Orjola Pampuri, thotë se cenon mirëqenien e një familjeje, duke i shkaktuar plagë, të cilat fatkeqësisht mund të trashëgohen nga një brez në tjetrin. “Në fakt, secili prej nesh kërkon të ndërtojë e të jetojë në një familje të shëndetshme dhe të suksesshme, por një sjellje e gabuar, një hap i nxituar, një gjest apo fjalë e pamenduar mirë, mund të cenojnë mbarëvajtjen dhe jetëgjatësinë e saj. Në familje çdonjëri nga ne duhet ta ndjejë veten si në një ekip, ku secili ka pozicionin dhe detyrat e tij, të cilat janë në shërbim të një qëllimi të vetëm, që është familja. Çdo anëtar i familjes duhet të dhurojë mbështetje, siguri e dashuri pa kompromis. E gjitha kjo e ka zanafillën te dashuria që duhet t’i falim pa u lodhur njëri-tjetrit, e mbi të gjitha ajo duhet të triumfojë në marrëdhënien bashkëshortore. Ajo që një baba duhet të bëjë për fëmijët e tij është dashuria dhe respekti pa kufi që duhet t’i dhurojë çdo ditë bashkëshortes, nënës së fëmijëve të tij. E njëjta gjë duhet të ndodhë dhe anasjelltas. Kështu fëmijët do të rriten me një model të suksesshëm dhe pozitiv. Jetesa në një familje të shëndetshme mund të lehtësojë çdo dhimbje, çdo problem dhe mund të na nxisë të ndërmarrim iniciativa, të kemi një vetëvlerësim të lartë, një performancë të mirë në punë, shoqëri e komunitet. Familja është tempulli i vlerave dhe moralit, vendi ku promovohen më së miri përgjegjësitë sociale dhe solidariteti. Koncepti i familjes dhe martesës ka ndryshuar ndër vite dhe faktorët kyç që kanë nxitur këtë ndryshim janë:

1. Emancipimi dhe zhvillimi i shoqërisë,

2. Kërkesat në rritje, si pasojë edhe e konkurrencës,

3. Kriza ekonomike

4. Përballja me kultura e shoqëri të ndryshme

5. Emigrimi dhe imigrimi

6. Mendësitë që nuk përputhen me realitetin, paaftësia për t’u përshtatur, etj.

Të gjitha çka u përmendën më lart, janë bërë shkak për të krisur marrëdhënien bashkëshortore, duke e çuar atë deri në divorc, i cili mund të jetë një faktor tregues për emancipimin e një shoqërie, pasi t’i thuash “mjaft” dhunës, neglizhimit e tradhtisë në çift dhe të përballosh jetën e vetme, do të thotë të thyesh tabutë e viteve të shkuara dhe të kesh guxim të përballosh jetën e vetme së bashku me stigmën e diskriminimin që mbart në vetvete një hap i tillë. Gjithsesi rritja e numrit të divorceve vitet e fundit nuk mund të përkufizohet ndryshe, veçse si një plagë e shoqërisë. Individi, i cili lind, rritet e zhvillohet në një familje, është themeli i një shoqërie. Dhe mirëqenia e kësaj shoqërie i ka bazat te familja e suksesshme, e cila nxit zhvillimin dhe mirëfunksionimin ndërpersonal, seksual, të komunikimit dhe të aftësisë për të zhvilluar identitetin e individit në shoqëri. Në këtë botë të trazuar të këtij shekulli, është shumë e rëndësishme t’i kthejmë sytë nga familja, si qendra e botës, si prioriteti kryesor për secilin prej nesh. Familja duhet të përmbushë të gjitha nevojat e fëmijëve dhe duhet t’i ndihmojë ata të mbijetojnë në këtë botë. Prindërit kanë një detyrë të rëndësishme dhe hyjnore, të rrisin pasardhësit e tyre me dashuri e vëmendje. Familja është vendi ku fëmijët njihen për herë të parë më dashurinë, hedhin hapat e parë, belbëzojnë fjalën e parë, është vendi i cili nxit dhe zhvillon të gjithë fazat e zhvillimit psikosocial, moral e konjitiv. Fëmijët duhet ta kuptojnë nga prindërit, të cilët shpesh i shohin edhe si modele të heshtura, rëndësinë e familjes. Duhet të kuptojnë që ai është tempulli ku ata mund të gjejnë prehje dhe mbështetje, dhe e gjitha kjo do të nxisë tek ata vetëbesimin, dhe do t’i bëjë më të sigurt e të suksesshëm për t’u përballur me të gjitha sfidat e vështirësitë që të ofron jeta. Ndër gjërat më të rëndësishme që prindërit duhet t’ua ofrojnë fëmijëve të tyre janë:

1. Dashuria

2. Kujdesi

3. Vëmendja

4. Koha

5. Komunikimi

Familja shqiptare është ndërtuar mbi bazën e themeleve të forta, shtyllat kryesore të të cilave janë:

1. Morali

2. Kultura

Ndryshimet e dekadave të fundit, që kanë të bëjnë me kalimin nga një shoqëri e mbyllur e komuniste, në një shoqëri të hapur kapitaliste, e kanë vendosur përballë sfidave të mëdha familjen shqiptare. Gjithsesi modeli i paraardhësve tanë ka patur një ndikim të fortë dhe të rëndësishëm te secili prej nesh. Mbi bazën e tyre ne edhe pse modifikojmë, përsëri ndërtojmë familjen tonë, e cila mbahet ende në themele të forta. Lëvizja demografike dhe emigrimi, detyrimisht nxit përshtatjen me kulturën dhe emancipimin e vendit të ri në të cilin vendosemi dhe kjo ka bërë që shumë familje të largohen disi nga tradita, por kanë ruajtur me dinjitet normat dhe vlerat morale që ruajnë qëndrueshmërinë e familjes. Respekti, dashuria, përgjegjësia dhe detyrimet kundrejt njëri-tjetrit në familje edhe pse nuk kemi të bëjmë më me atë familjen e madhe tradicionale të njëzet viteve më parë, vazhdojnë ende të identifikojnë familjen në vendin tonë. Martesa është një hap i rëndësishëm në jetë, është një përgjegjësi e madhe për secilin nga partnerët dhe është një ritual i rëndësishëm social, i cili merr vlera kur nxitet nga dashuria, respekti, përgjegjësia dhe detyrimet ndaj njëri-tjetrit në çift e më pas kundrejt fëmijëve.

Të jesh bashkëshorte…

Martesa për mua është hapi më i rëndësishëm në jetë, është marrëdhënia më e veçantë dhe e bukur, është rituali të cilin e kam kryer dhe ndërmarrë me bindjen dhe kënaqësinë më të madhe. Është një ngjarje e bukur që ka ndryshuar mënyrën e të menduarit, perceptuarit dhe marrjes së vendimeve, pasi tani funksionojnë dy mendje dhe këndvështrime për të marrë një vendim apo për të ndërmarrë një iniciativë. Shpesh thuhet që dy mendje japin një mendim më të konsoliduar se sa një e vetme. Jam e lumtur dhe e përkëdhelur nga fati, pasi kam në krah njeriun që më fal siguri dhe dashuri pa kufi, dy vlera këto që kanë nxitur ndër vite vetëbesimin, iniciativën, dhe suksesin në punën time. Sekreti i marrëdhënies sonë bazohet në tre komponentë të rëndësishëm si: dashuria, besimi dhe toleranca. Të jesh bashkëshorte e një mjeku onkolog është sa e bukur dhe krenari për një profesion kaq fisnik, aq edhe e vështirë për t’u përballur me rastet e vështira me fund të dhimbshëm, te telefonatat e pafundme në të gjitha ditët e javës dhe në të gjitha orët e ditës dhe të natës, puna me orare të zgjatura, por dashuria për njëri-tjetrin na jep forcë të jemi të suksesshëm në familje e në punë, t’i përkushtohemi njëri-tjetrit dhe dy djemve tanë, të cilët kanë nevojë të shohin dy prindër të suksesshëm dhe të dashuruar.

Modeli për fëmijët

Mundohemi t’i ofrojmë fëmijëve një model të përkryer të një familjeje tashmë të konsoliduar. Edhe pse të dy të impenjuar, gjejmë kohë të mjaftueshme të qëndrojmë me ta, ndonjëherë të sillemi edhe ne si fëmijë, gjejmë vendet e përshtatshme që ata të argëtohen, gjejmë kohë çdo ditë të qëndrojmë e komunikojmë me ta, e ndjejmë veten përgjegjës për çdo veprim që ata kryejnë. Jemi munduar të vendosemi në radhët e prindërve me autoritet për fëmijët tanë, nuk jemi shokë me ta, pasi ata shokë kanë e do të kenë, por prindërit e tyre deri në fund të jetës jemi vetëm ne, kështu autoriteti ynë për ta qëndron mbi bazën e komunikimit dhe argumentimit për gjithçka, e gjitha kjo me qëllimin e vetëm, që të zhvillojmë vetëbesimin dhe vetëvlerësimin, dy faktorë të rëndësishëm që do t’i ndihmojnë të përballen me botën. Mendoj, nga eksperienca personale, që një individ të përkufizohet i suksesshëm, prapa tij duhet të fshihet një marrëdhënie dhe një familje e suksesshme. Në fakt ndjehem e tillë dhe krenare për atë që kam arritur falë mbështetjes, kënaqësisë e lumturisë që më ka dhuruar bashkëshorti dhe dy djemtë e mi. Për mua martesa dhe familja janë thelbi dhe pikënisja e çdo të mire dhe suksesi në jetë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top