Aktualitet

March 27, 2022 | 18:13

Familja ukrainase gjen strehë në Tiranë, rrëfen mes lotësh tmerret e luftës: Djali i vogël i tha babit ‘mos qaj’… (Video)

Yana Nikolaenko me dy djemtë, Timurin dhe Nikitan, si dhe me nënën e saj, Nataliyan, udhëtuan me javë të tëra për t’u larguar nga luftimet në qytetin e tyre Buça të Ukrainës. Ata kanë arritur në Tiranë më 20 mars, por pas vetes në Ukrainë kanë lënë të gjithë familjarët e tjerë, përfshirë burrin e Yanas, Igorin. Ndonëse nuk e dinë se çfarë do të sjellë e ardhmja, Yana dhe nëna e saj shpresojnë që lufta të mbarojë shpejt.

0

Lufta në Ukrainë e detyroi Yanan me dy djemtë dhe nënën e saj të udhëtojë me javë të tëra me makinën e tyre për të mbërritur në një vend të sigurt.

Ata kaluan një pjesë të Ukrainës, Rumanisë, Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, për t’u strehuar në Tiranë. Këtu kanë mbërritur më 20 mars, gati një muaj pasi Rusia ka nisur pushtimin e vendit të tyre.

Yana thotë se po mundohet t’i bëjë fëmijët të ndihen si në shtëpi, ndonëse ndiejnë mungesën për babain Igorin që ka mbetur në Ukrainë. Bashkë me nënën ajo shikon me trishtim pamjet që një i afërm ka dërguar nga Ukraina, shohin shtëpinë e tyre të dëmtuar rëndë nga sulmet e ushtrisë ruse.

Yana thotë se këto pamje përpiqet t’i mbajë larg syrit të fëmijëve të saj 9 dhe tre vjeç.

“Kjo është gjëja më e dhimbshme. Djali i madh e kupton se çfarë është lufta. Dje (23 mars) ishte ulur në shtrat, duart po i dridheshin dhe tha se po e kuptonte se çfarë po ndodh”.

Deri kur u larguan, Yana thotë se u kanë mbijetuar granatimeve dhe të shtënave me armë zjarri duke u fshehur në bodrumet e banesave të ndryshme pa ushqim e ujë.

Burri i saj nuk ka mundur të largohet për shkak të ligjit që nuk i lejon burrat të ikin nga lufta, atje i ka mbetur dhe babai.

“Burri im po qante atë ditë, por djali im i vogël i tha “mos qaj babi! Tanket do të largohen, të shtënat me armë do të ndalen dhe ne do të kthehemi në shtëpi”.

Në Shqipëri Yana thotë se ka ardhur me rekomandimin e një mikeje.

“Ne shpresojmë që lufta të mbarojë dhe të kthehemi në shtëpi. Ne u futëm në shtëpinë e re vitin kaluar, nuk jetuam dot as një vit aty. Fëmijët kishin dhomën e tyre, nuk u mungonte asgjë”.

Yana thotë se nuk e kanë idenë se çfarë do të sjellë e ardhmja por thotë se ajo dhe nëna e saj duan të punojnë në Shqipëri që fëmijëve të mos u mungojë asgjë.

 

 

Burimi Radio Evropa e Lirë

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top