Këshilla & Arsye

January 15, 2017 | 10:57

Fatmir Gjata, poeti i kështjellës: Poezia ndihmon të jetosh më mirë

Hiri i pashterueshëm i historisë dhe kulturës së librave që mbajnë aromë myshku të pyjeve piemonteze, e përmbledh këtë poet shqiptar, i cili mbi lidhjen ndërmjet jetës dhe poezisë shprehet: “Nuk kam njohur askënd që nuk ka pasur një ëndërr edhe pse nuk ka pasur kurajën e forcën për ta realizuar atë. Të qëndrosh me këmbë në tokë është nevojë, të ëndërrosh është të jetosh!

anila-kadija

Nga Anila Kadija, Publiciste

Valsi i tij i Tretë në një kështjellë italiane. Kisha lexuar disa kohë më parë një libër shumë të bukur që titullohej “Hija e erës”, nga Carlos Ruiz Zafon. Të them të drejtën, kujtimet mbi këtë libër m’i zgjoi historia e poetit shqiptar Fatmir Gjata.

Historia e një jete e prodhime poetike të jetuara mbi librat e bibliotekës antike, brenda mureve të një kështjelle të madhe afër Astit. Hiri i pashterueshëm i historisë dhe kulturës, e përpin këtë poet që jeton mes librave me aromën myshkut e të pyjeve piemonteze. Ulur në dy kolltukë prej basme të ashpër, përpara një kafeje që parfumonte ambientin, e krijoi urën e fjalëve. I kërkova këtij poeti të më tregonte jetën e tij.

Përgjigjja ishte e shkurtër dhe e lirë! “Kam lindur në një qytezë në Shqipëri që sot nuk ekziston më. Mendoj se jam i vetmi që ka ende të shkruar lindjen në atë qytezë, Rostamas, që gjendesh në mes të fushës së madhe të Shqipërisë. Në atë fushë, ime më shtrihesh mbi tokën e lagur nga shiut i marsit. Pikërisht aty kam qarë për herë të parë fshehurazi, në mes të misrit të mbledhur. Më pëlqen të mendoj se historia ime është e tëra aty”.

Për këtë thjeshtësi, për ngjyrën e verdhë floriri të fjalëve të tij, dhe për madhësinë e historisë që fshihet përtej atyre pak fjalëve, kjo intervistë nuk mund të mos shpërndahet me lexuesit tanë.

fatmir-gjata-libra-frontFatmir Gjata është një poet shqiptar, që prej shumë vitesh jeton e punon në një kështjellë të viteve 1400, e mrekullueshmja kështjella e Pino d’Asti. Kështjella lind në mes të bregoreve me rrush nga prodhohet vera e mirënjohur, e në krahë ka një pyll që shtrihet për dhjetëra kilometra. Një vend paqeje për shpirtin e për trupin, ku jo rrallë ndodh të hasësh lepuj ndër rrugë, fazanë apo derra pyjesh.

Vërtetë një parajsë, ashtu si dhe qyteza, ku koha ka një tjetër dimension, ndryshe nga jeta moderne. Në fakt, këtu rrjedh gjithçka me ngadalësi personale, për mua diçka e re. Besoj se është një nga vendet më të bukura ku të meditosh mbi jetën, mbi fatin, mbi vlerën e gjërave, mbi dashurinë, mbi dëshirën e vetminë. Syri i kullës të lejon një pamje marramendëse mbi malet që rrethojnë Torinon dhe malet e Ligurias.

Ka ditë ku mjegulla lejon shikimin vetëm të pikave më të larta, si gjigant të fjetur, krijojnë një peizazh që ngulitet në mendjen e udhëtarit si një dhuratë tepër e çmuar dhe e paharrueshme. Ngjyrat ndryshojnë me të njëjtin hap të ngadaltë çdo vit, ngjyra të çelura, të ftohta o të zbehta. Këtu, një nga sociologët më të mëdhenj italian, Giampaolo Fabris, ka shkruar librat e tij duke u frymëzuar nga magjia e këtij vendi. Fati im që e njoha nga afër, ta kisha pranë. Çdo mbrëmje përpara se të flinte lexonte një poezi.

fatmir-gjata-libra5Më flisni pak për këtë përvojë jete të bukur tuajën Fatmir.

Janë tashmë 23 vite që unë në këtë vend magjik me time shoqe Evi e time bijë Kiti, duke e mirëmbajtur ashtu siç meriton një perlë e tillë. Kanë kaluar konte e markezë në të shkuarën. Ky vend ka njohur fundosje e rindërtime, ka njohur luftëra e tradhti, dashuri e urrejtje, ushtarë e murgj. Në derën kryesore kemi gjetur plumba të qëlluara nga gjermanët, të njëjtët gjermanë që vinin e vijnë ende si miq. Ka njohur kontesha të trishta e balerina të rëndomta, markezë me karrocë e partizanë të fshehur në birucat e kështjellës, artistë, letrarë, deputetë, studiues të të gjithave fushave e politikanë të njohur. Të gjitha këto nuk mund të mos linin shenja të pashlyeshme mbi karakterin e kësaj shtëpie. Të gjithë kanë lënë diçka të çmueshme, të kaluarën e tyre, kurajën, dashurinë.

Poezia që ju shkruani ka rrënjë nostalgjie, përse?

Nuk mund të jetë ndryshe. Poezia ime është shprehje e shenjave që mbart në shpirt. Në fund të fundit ka gjithnjë diçka që mbetet e goditur nga ngjarjet e jetës. Duke qenë të çrrënjosur prej kaq shumë vitesh, ajo është ushqim për nostalgjinë, lind nevoja të kërkosh tokën tënde, erën e saj, paraardhësit e tu. Normalisht ndodh kur dikush arrin një moshë të caktuar, ndërsa unë kam nevojë të di për të shkruar, nëse nuk di kush jam, si mund të prezantohem përpara të tjerëve? Në fund të fundit kemi një pasaportë që prej lindjes ku na shënojnë emrin, vulën tonë. Të kthehesh pas e të kërkosh të dish se ç’do të thonë ato shenja që mbart vula jonë, është gjëja më normale që ekziston, mëse njerëzore.

Poezia juaj mendoni se është për të gjithë?

Po, absolutisht për të gjithë. Sikundër ju e dini, unë kam një stil që thonë të pangjashëm me të tjerë. Një tjetër mënyrë shkrimi, tjetër ritëm. Poezia moderne tenton gjithnjë të gjejë mënyra, shpeshherë ekstravagante, për të qenë bashkëkohore. Unë jam munduar të gjej një tjetër tingull. Për mua poezia është një këngë. Kur e lexon duhet të të përcjellë një melodi, një sfond ndjeshmërie që të shoqëron edhe pse nuk ekziston vërtet. Doja një poezi që të mund ta kuptonin të gjithë, ta ndjenin të gjithë. Që të përcillte lexuesin ndër kujtime, dashuri, suksese e luftëra të humbura jete. Është gjithçka e shkruar në mënyrë të thjeshtë dhe e shoqëruar me ritëm. Më vijnë ndërmend pak poetë që kanë një stil të veçantë aq sa t’i njohësh edhe pa e ditur se e kanë shkruar ata. Kam dëshiruar me forcë që të isha një prej tyre. Dikush që nuk ka nevojë të shkruajë emrin nën poezinë. Lexuesi im e di kush e ka shkruar.

Më flisni pak për bibliotekën e lashtë ku ju jetoni. Çfarë keni lexuar duke kureshtuar mbi librat?

Në kështjellë ka më shumë se një bibliotekë. Nga prof. Favris kam mësuar që nuk mund të jesh një shkrimtar apo poet nëse nuk ke njohuri mbi të gjitha format e artit. Artet ecin krahë më krahë e komunikojnë me njëra-tjetrën. Poezia, piktura, skulptura, arkitektura, muzika janë të tëra të ndërthurura. Si një ushtri, të vëna në rresht e ecin me të njëjtin hap. Kur njëri prej tyre vrapon, të tjerët përpiqen t’i afrohen e historia i vë në kornizë. Ky ka qenë fati im e falënderoj Zotin çdo ditë për këtë fat që më dedikoi mua.

Nuk mundem asnjëherë të pyes një poet se çfarë është poezia për të, pasi mendoj se do të ishte sikur të pyesja një të dashuruar se çfarë është dashuria për të. Por mund t’ju pyes nëse të jesh poet sot është privilegj?

Natyrisht që po, dhe jo sot, por ngaherë. Gjithnjë, të ishe e të jesh poet është privilegj. Të vë përpara mjaft përgjegjësi e detyrime. Nuk është e lehtë! Je i vëzhguar nga lexuesit e duhet të përmirësohesh gjithnjë, nuk ka kthim. Për të arritur të shkruash mirë, duhen vite e vite të tëra studimesh dhe, edhe atëherë je gjithsesi nën vëzhgim. Vërtetësia e poezisë është gjëja më e çmuar që poeti ka dhe është gjithashtu dhe e vetmja armë që ka në dispozicion.

Keni menduar ndonjëherë për ndonjë valsin fisnik, meqenëse jemi në një kështjellë, kur keni titulluar krijimin tuaj të fundit “Valsi i Tretë”, apo për ju jeta është vet një vals?

Titulli është frymëzuar nga një vals që e dëgjoj shpesh në mendje kur shkruaj. Është Valsi i dytë i Shostakovich. Poezia ime më kujtonte gjithnjë hapat e një valsi, e meqenëse Shostakovich ka shkruar Valsin e dytë, mua më pëlqente Valsi i Tretë.

Jeta dhe poezia juaj çfarë kanë të përbashkët? Hapat e një poeti përputhen me hapat e jetës, apo kjo është një ide e imja e gabuar që mendoj se poezia nganjëherë është utopi? Mund të ndërrojë mendim?

Ka një masë utopie në jetë dhe është ajo që na bën të jetojmë më mirë. Ndoshta është pjesa më e bukur e jetës, ajo e utopisë, ajo e ëndrrave, e dëshirave, pasioneve. Shumë njerëz mendojnë që të qëndrosh me këmbët në tokë është diçka e mirë. Ndoshta, por unë nuk kam njohur askënd që nuk ka pasur një ëndërr edhe pse nuk ka pasur kurajën e forcën për ta realizuar. Të mbash këmbët në tokë është e nevojshme, por të ëndërrosh është jetë. Poezia ndihmon të jetosh më mirë.

Çfarë mendoni mbi Nerudën?

Nuk mund të mos lexohet Neruda, Lorka. Forca dhe lehtësia që gjenden në të njëjtin vend. Thjeshtësia. Kjo është ajo çfarë e transformon një poet në një poet të madh, thjeshtësia. Të qenit të kuptueshëm nga të gjithë, të adhurohesh nga lexuesit. Nuk mund ta bësh një gjë të tillë nëse nuk kupton arsyen që po u dhuron për të qenë të lumtur.

Mund të publikojmë një poezi tuajën?

E giro da faro in faro

marinaio col sale sparso su tutto il corpo

figlio di onde, di vite precedenti visute a terra

È lì che ho conosciuto la luce e la tenebre

è lì che ho creato il lino della camicia, la vela

il legno della nave, i porti

 

Solo dopo ho conosciuto le stelle

per finire a solcare i tempi di passaggio

da faro in faro cercando le vite degli altri

 È la meraviglia stessa scoprire meraviglie

nate tra cielo e terra, tra terra e cielo

nel regno dell’acqua ondeggiando…

 

Publikimet e Fatmir Gjata:

Mjelma nën dritën e hënës – Tiranë 2013

Engjëjt e shuar – Botimet Male 2014

Valsi i tretë – Shtëpia botuese Muzgu 2014

Mbi kuaj ëndrrash – Shtëpia botuese Toena 2015

Shi margaritarësh – Shtëpia botuese Toena 2016

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top