Këshilla & Arsye

September 16, 2016 | 8:19

Fëmija qan në kopsht? Këshilla e psikologes…

Tentativat për ta bindur fëmijën të shkojë në kopsht shpesh shndërrohen në beteja të vështira për t’u fituar. Prindërit largohen me dhimbje dhe ndjenja të forta faji, pasi janë përballur me lutjet e fëmijëve për të mos i lënë në klasë. Më pas çështja komplikohet kur fëmijët tregojnë se nuk ndihen mirë aty, për faj të edukatoreve apo të fëmijëve të tjerë, të cilët mund të ushtrojnë dhunë fizike apo psikologjike. Pikërisht në këtë çast prindërit pyesin veten nëse do të ishte më mirë të ndryshonin kopsht.

Por, a është e drejtë të ndryshojnë kopshtin apo shkollën?

Ndonjëherë prindërit mendojnë se ndryshimi i kopshtit mund të jetë zgjidhja e duhur që fëmija të ndihet më mirë. Sipas studimeve psikologjike, kjo është një zgjedhje e gabuar. Nevojitet gjithmonë bashkëpunimi me edukatoret, në mënyrë që të kuptoni më mirë se si ndihet fëmija juaj në kopsht. Nëse nuk ka elementë që e vendosin fëmijën në vështirësi, ndryshimi i shkollës kur fëmija qan, mund të mos jetë i nevojshëm, përkundrazi është jo edukativ, pasi fëmija mëson tri mesazhe negative nga kjo përvojë:

1.Ai mëson se duke qarë, duke bërë teka apo protestuar mund të përfitojë gjithçka dëshiron, madje edhe të ndryshojë kopshtin.

2.Me vendimin për të ndryshuar kopshtin fëmija mëson se, nëse realiteti nuk i pëlqen, është e mundur ta modifikojë dhe ta ndryshojë atë.

3.Në fund, në vend që të mësojë të përballet me problemet, fëmija mëson një tjetër mënyrë: largimi nga vështirësitë.

Hyrja në kopsht apo shkollë për herë të parë mund të jetë realisht për fëmijën burim stresi dhe bezdie (ndoshta është hera e parë që shoqërohet me fëmijë të tjerë për kaq shumë orë në ditë), por ne duhet t’u mësojmë se jo gjithmonë është e mundur të largohen nga problemet dhe të mos vuajnë prej tyre. Veç kësaj, kur fëmija do t’ia dalë mbanë t’i kalojë vështirësitë, ai do të eksperimentojë edhe ndjenjën e kënaqësisë dhe do të fitojë më pas besimin në vetvete.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top