Kur i pyesim prindërit për të përshkruar një fëmijë tipik që ka probleme me përqendrimin dhe është tepër hiperaktiv, në gjuhën mjekësore njihet si ADHD (Attention-deficit/hyperactivity disorder), shumica e tyre do të përshkruajnë një djalë të vogël që do të bëjë shumë gjëra njëkohësisht, nuk duron asgjë dhe nuk bënë atë që prindërit e këshillojnë.
Shumë pak prej tyre do të personifikonin një vajzë me këto sjellje, pasi në mendjen e prindërve vajzat janë gjithnjë të edukuara dhe marrin nota të mira, flasim gjithmonë që në moshë të vogël kur fëmijët përvetësojnë sjellje të ndryshme. Megjithatë, mund të ndodhë që një vajzë e vogël të ketë simptoma ADHD, që e shoqërojnë atë në jetën e përditshme dhe kjo gjë të anashkalohet nga të rriturit rreth saj.
Problemet me përqendrimin dhe hieraktiviteti, të cilat nuk vërehen në kohë tek një fëmijë kanë pasoja afatgjata, duke përfshirë këtu edhe kryerjen e veprimeve të rrezikshme në moshë madhore, si për shembull përdorimi i substancave narkotike, një jetë të çrregullt, vetëbesim të ulët dhe probleme të tjera të shëndetit mendor.
Kam parë shumë vajza dhe gra, të cilat që kur kanë qenë të vogla kanë vuajtur, kanë pasur simptoma si përqendrimi i ulët dhe hiperaktivitet. Tashmë ato marrin ilaçe për depresionin dhe ankthin. Njerëzit nuk e dinë, por çrregullimet të tilla, janë një sëmundje që duhet të kurohet. Kam vënë re se të gjitha pacientet e mia i kanë pasur këto probleme, që kur kanë qenë të vogla, gjë e cila mund të ishte anashkaluar nëse prindërit e tyre, do të kishin qenë më të vëmendshëm.
Fëmijët me këto çrregullime shfaqin tre grupime kryesore të simptomave, si hiperaktivitet, impulsivitet dhe mospërfillje. Edhe pse fëmijët meshkuj, janë diagnostikuar më shumë me këto çrregullime, të dhënat nga studime të ndryshme kanë treguar se, normat e diagnostikimit tek të rriturit janë të barabarta dhe të ndara mes meshkujve dhe femrave. Kjo gjë tregon se vajzat mund të vuajnë nga probleme të tilla dhe të anashkalohen nga prindërit.
ADHD, mund të duket ndryshe tek vajzat dhe ndryshe tek djemtë. Jo vetëm që simptomat janë më të dukshme tek djemtë, por ata gjithashtu kanë një tendencë të jenë më hiperaktiv dhe impulsiv se vajzat, duke fituar kështu vëmendjen e prindërve dhe të mësuesve në klasë.
Gjithashtu, të rriturit kanë pritshmëri të ndryshme për të dyja gjinitë. Ata mendojnë se vajzat janë gjithmonë të sjellshme, të pastra të organizuara, marrin nota të mira në shkollë dhe mund t’i bindësh më lehtë. Shkollat duhet të bëjnë më shumë për të luftuar stereotipat gjinor.
Shenjat që vajza juaj mund të ketë ADHD janë:
-Detyrat e shtëpisë zgjasin më shumë se sa duhet. Nëse vajza juaj harrohet duke luajtur, apo do të luajë gjithë kohës me shoqet e saj, atëherë duhet t’i kushtoni rëndësi, pasi kjo është një shenjë që ajo ka probleme me përqendrimin.
-Ajo nuk është një nxënëse e mirë dhe ka performancë të dobët në teste.
-Nuk e kupton atë që lexon. Vajza juaj mund të dijë të lexojë shumë mirë, por nuk e kupton çfarë ka lexuar dhe kjo gjë vjen, për shkak se nuk është e vëmendshme.
-Debaton shpesh me shoqet e saj dhe nuk dëgjon mendimet e tyre.
-Nuk iu kushton rëndësi gjërave për të cilat ka nevojë.
-Ndoshta ka ide për projekte të bukura, por kurrë nuk i finalizon ato.
-Gjatë gjithë kohës do të kryejë, një veprim të gabuar dhe nuk mëson nga gabimet.
-Ka luhatje të thella të humorit, një moment është e gëzuar, e qeshur dhe mund të bëjë shaka dhe një moment tjetër do të rrijë vetëm.
Nëse mendoni se vajza juaj mund të ketë simptoma të ADHD, duhet të konsultoheni me një psikolog ose pediatër, i cili është i familjarizuar me këto probleme dhe mund t’iu këshillojë në mënyrë të duhur.
*Meadow Schroeder, psikologe klinike për të rritur dhe fëmijë, njëkohësisht dhe pedagoge psikologjie në universitetin Calgary, Kanada.
Burimi / gazetasi.al
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.