Është koha për t’u qetësuar: Të gjithë fëmijët bëjnë kapriço dhe kjo është një sjellje normale, konstatojnë specialistët e shëndetit mendor.
Kur një fëmijë quhet kapriçoz
Një fëmijë kapriçoz zakonisht është: i padisiplinuar, ka vështirësi të zbatojë rregullat, nuk bashkëpunon, proteston për çdo gjë që do dhe e dëshiron në atë moment. Nuk toleron të ketë refuzime si nga më të vegjlit, por edhe nga më të rriturit. Me pak fjalë, bën kapriço për çdo gjë dhe nuk është në gjendje të shpjegojë atë që do.
Cila është mosha kur fëmijët bëhen kapriçozë
Eksperienca njerëzore ka treguar se rreth 18-24 muajt e parë të jetës, fëmija shfaq kapriçot e tij të para. Duhet theksuar se, sjelljet kapriçoze te fëmijët nuk shfaqen më përpara kësaj moshe. Kujdes! Një foshnje që qan në karrocën e tij, nuk bën kapriço, por shfaq një nevojë: nevojën për t’u ushqyer, për t’u pastruar, për t’u marrë në krahë, për t’u përkëdhelur etj. Përgjithësisht pas moshës 2-vjeçare shfaqen sjelljet kapriçoze, sepse fëmija kupton ambientin dhe botën e tij përreth në mënyrën e tij dhe udhëhiqet nga instinkti i përmbushjes së kënaqësisë vetjake përderisa nuk ka ende pjekurinë fizike dhe mendore për të menduar edhe për botën jashtë tij. Psikologët shpjegojnë se vetëm në moshën 7-vjeçare fëmija është i aftë të brendësojë disa rregulla sociale dhe vlera morale. Është pikërisht momenti i “moshës së arsyes” që përbën një moment historik në jetën e një individi. Në këtë moshë fëmija ka më shumë gjasa të pranojë kërkesat e realitetit. E megjithatë, kapriçot janë pjesë e jetës së çdo individi e duhet të pranojmë se nganjëherë ato nuk zhduken kurrë nga jeta jonë. Në një moshë tjetër, akoma edhe më të rritur, kapriçot transformohen në varësi të interesave të moshës. Si për shembull: daljet e vona me shokët, tymosja e një cigareje, dëshira për një makinë luksoze etj.
A janë të gjithë fëmijët të barabartë në sjelljet kapriçoze
Sigurisht që jo. Fëmijët kapriçozë janë fëmijë të cilët rriten nga prindër lejues, që i mbrojnë shumë fëmijët e tyre duke i penguar që ata të përballen me frustrime të ndryshme. Disa arsye se pse disa prindër janë shumë lejues dhe më të butë sesa duhet varet nga ngurrimi për të vendosur rregulla të qarta dhe disiplinë fëmijës. Disa prindër nuk duan të provokojnë sjellje negative siç mund të jetë e qara, të bërtiturat etj. Një nënë që kthehet tepër vonë nga puna, ndihet në faj për kohën e munguar kushtuar fëmijës dhe për aq kohë sa janë së bashku përpiqet të plotësojë çdo kërkesë e tekë të fëmijës duke mos e kundërshtuar. Raste të tilla provokojnë sjellje kapriçoze te një fëmijë dhe kjo na bën të kuptojmë se mjedisi i rrethues dhe familja luan një rol shumë të rëndësishëm në edukimin e një fëmije, kapriçoz në maksimum ose jo.
Çfarë ndodh nëse fëmija lihet i lirë për të bërë kapriço
Jeta njerëzore është e bazuar në rregulla që të jetë e shëndetshme dhe e lumtur. Nëse nuk vendosim rregulla në mënyrë konstruktive, fëmija i përkëdhelur do të ketë probleme, sidomos në periudhën e shkollës. Në këtë rast, nuk do të jetë i pranuar nga rrethi shoqëror, sepse ai është egocentrik dhe arrogant. Edhe mësuesit do të kenë vështirësi të përballojnë sjelljet e një fëmije këmbëngulës dhe jo të bindur. Madje dhe vetë prindërit e këtyre fëmijëve të lënë të lirë të veprojnë si duan pa i qortuar dhe pa i vendosur rregulla e limite do të kenë vështirësi t’i duan fëmijën për sjelljet që bëjnë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.