Në fokus

January 27, 2018 | 15:20

Fëmijë nën moshën 3-vjeçare, kujdes nga rreziku i përtypjes së trupave të huaj në rrugët e frymëmarrjes

 

Prof. Ermira Kola, Shefe Shërbimi e Terapisë Intensive, në Spitalin e Pediatrisë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” vjen shpesh me këshilla të vyera për lexuesit. Këtë herë ajo ka zgjedhur në temë delikate, siç  është përtypja e sendeve të vogla e të forta nga fëmijët nën moshën dy vjeç, të cilat shkaktojnë asfiksi. Mesa duket, ky është një problem i evidentuar dhe që kërkon një vëmendje më të madhe nga ana e prindërve, sidomos atyre të rinjve, pa përvojë.

Prof. Ermira Kola, Shefe Shërbimi e Terapisë Intensive, në Spitalin e Pediatrisë, në QSUT

Prof. Ermira Kola, Shefe Shërbimi e Terapisë Intensive, në Spitalin e Pediatrisë, në QSUT

Çdo send i lehtë për t’u kapërcyer, mund të shkaktojë pasoja fatale, deri në bllokimin e rrugëve të frymëmarrjes apo asfiksisë. Ndaj këshilla të tilla duhen mbajtur gjithmonë parasysh për t’u treguar vigjilentë ndaj situatës së padëshiruar.

Shpeshherë fëmijët ndodhen në situata të tilla ku mund të rrezikohet jeta e tyre, pasi në ambientet ku ata rriten apo luajnë, mund të gëlltisin pa dashje objekte të ndryshme shumëformëshe, të cilët duke rënë në rrugët e frymëmarrjes, i bllokojnë ato duke shkaktuar asfiksi. Kjo situatë është potencialisht e rrezikshme për jetën e tyre, duke u bërë kështu një nga shkaqet kryesore të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë në fëmijët në moshën nën 3-vjeçare.

i

Përafërsisht 80% e episodeve të asfiksisë nga objekte apo “trupa të huaj” në rrugët e frymëmarrjes ndodhin në fëmijët më të vegjël se 3 vjeç, me një incidencë më të lartë midis 1 dhe 2 vjeç. Fëmijët në këtë moshë janë tepër kurioze dhe njëkohësisht janë të prirur për të eksploruar botën e tyre, duke futur në gojë çdo lloj objekti që gjendet rreth tyre. Ata kanë aftësi motorike për të vënë një objekt të vogël në gojën e tyre, ndërkohë që nuk kanë aftësinë molare për të përtypur ushqimin në mënyrë adekuate si dhe nuk kanë aftësi të koordinojnë mirë frymëmarrjen dhe gëlltitjen.

Faktorë të tjerë predispozues për asfiksinë nga trupat e huaj në rrugët e frymëmarrjes në këtë moshë, lidhen edhe me vendosjen pranë tyre të ushqimeve të papërshtatshme ose objekteve të vogla, me aktivitet ose lojëra gjatë ushqyerjes, ose kur vëllezërit e motrat më të mëdhenj vendosin ushqim ose objekte në gojën e fëmijëve të vegjël. Fëmijët e vegjël janë më të predispozuar ndaj mbytjes edhe për shkak të diametrit më të vogël të rrugëve ajrore.

ok

Si të parandalojmë asfiksinë

Në momentin kur një fëmijë në mënyre aksidentale asfiksohet apo mbytet nga kalimi i objekteve të vogla, ushqimeve, lodrave etj, në rrugët e frymëmarrjes krijohet një situate dramatike, ku fëmija ka kollë të fortë dhe të vazhdueshme, skuqet i tëri dhe kërkon ta nxjerrë me çdo kusht objektin e marrë. Nëse ju nuk do të jeni prezent atëherë do të dyshohet që fëmija është mbytur kur kolla fillon papritur, ose kur frymëmarrja komprometohet papritur dhe shoqërohet me kollë dhe stridor. Shpesh “trupi i huaj“ sjell asfiksi, në këtë rast fëmija nuk kollitet, vë dorën ne grykë dhe cianotizohet. Sytë i zmadhohen dhe bebëzat e syve i zgjerohen. Bllokimi i rrugëve të frymëmarrjes çon në vuajtje të organizmit për oksigjen që shumë shpesh përfundon me pasoja fatale.

Çfarë duhet të bëjnë prindërit në këtë moment?

Në moshat e vogla nën 1 vit, rekomandohet (metoda Mohenson) Një kombinim i goditjeve pas shpine me shtypjet e toraksit për të liruar rrugët e frymëmarrjes nga “trupi i huaj”. Fëmija vendoset në dorën tuaj me kokë poshtë, duke kaluar dorën tuaj midis këmbëve të fëmijës dhe me dorën tjetër godisni 5 herë fort pas shpine. Nëse rrugët respiratore nuk lirohen, fëmija kthehet me fytyrë përpara dhe i bëhen 5 shtypje mbi kraharor.

Fëmija më i rritur përkulet në prehrin tuaj. Në qoftë se fëmija është në këmbë, ju mund të qëndroni prapa fëmijës duke kaluar të dyja duart poshtë kraharorit, duke shtypur fort. Kur gjatësia e fëmijës është e vogël, për ta bërë sa më efektive këtë manovër, viktima vendoset mbi karrige duke e rrethuar me krahët tuaj poshtë kraharorit duke e shtypur fort. (Manovra Heimlich)

Këshilla për prindërit

Në ambientet ku qëndroni me fëmijët tuaj kontrolloni me kujdes dhe largoni çdo objekt të vogël që mund të futet plotësisht në gojë. Lexoni udhëzimet lidhur me moshën që duhet të ketë fëmija për të përdorur një lodër të caktuar.

Kikirikët për fëmijët deri në moshën 3-vjeçare janë tepër të rrezikshme, pasi ai nuk arrin t’i kafshojë dhe përtypë.

Fëmijët nën moshën 3-vjeçare nuk duhet të kenë lodra të dimensioneve të vogla që mund ti gëlltisin. Respektoni gjithnjë etiketat “Ndaluar deri në moshën 3-vjeçare”.

Ushqimin e fëmijëve të vegjël mos e prisni në copa më të mëdha se 2-2,5 cm dhe inkurajojeni fëmijën tuaj ta përtypë mirë ushqimin.

Qëndroni pranë fëmijës tuaj gjatë kohës që po ushqehet vetë dhe insistoni që fëmija të ulet gjatë kohës që po ushqehet.

Nuk duhet lejuar asnjëherë që fëmija të ecë, vrapojë, të luajë apo të shtrihet gjatë kohës që ka ushqim në gojë.

Jini të kujdesshëm kur fëmija juaj është në kontakt me fëmijë më të mëdhenj. Shumë incidente mbytjesh shkaktohen kur një fëmijë më i rritur i jep një fëmije më të vogël një lodër apo ushqim të rrezikshëm.

Të gjitha sa u thanë më sipër mund të jenë pjesë e rutinës në kujdesin ndaj fëmijës tuaj megjithatë, rëndësia e problemit qëndron në nivel të tillë që duhet rikujtuar.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top