ÇRREGULLIMET E TË NGRËNIT
Çrregullimet e të ngrënit tek të sapolindurit dhe në fëmijërinë e hershme shpesh karakterizohen nga pamundësia e një të sapolinduri apo një fëmije për të konsumuar ushqim të mjaftueshëm. Si rezultat, ky çrregullim i pengon ata për të shtuar në peshë dhe për t’u rritur në parametrat e duhur mjekësorë, të përcaktuara për një periudhë njëmujore ose më shumë.
Në shumicën e rasteve, të sapolindurit apo fëmijët që vuajnë nga ky çrregullim janë të irrituar, e kanë të vështirë të qetësohen në prani të ushqimit, si dhe të qëndrojnë indiferentë dhe të pabindur ndaj kërkesave të ndryshme të prindërve. Ndonëse çrregullimet e të ngrënit në vende si Shqipëria nuk marrin vëmendjen e duhur, në nivel ndërkombëtar studimet kanë treguar se 25% deri në 35% e fëmijëve me zhvillim normal përjetojnë të tilla çrregullime. Në një pjesë të madhe të fëmijëve, këto çrregullime shpjegohen nëpërmjet shkaqeve të ndryshme mjekësore ose psikologjike. Mirëpo, ekziston edhe një numër i konsiderueshëm fëmijësh, çrregullimet e të cilëve nuk përputhen me asnjë prej dy shkaqeve kryesore. Në këtë rast, përveç sjelljes së vetë fëmijës, humbja e madhe në peshë (brenda një muaji) është treguesi kryesor që ndihmon në identifikimin e këtij çrregullimi. Edhe pse më parë, një pjesë e madhe e fëmijëve mund të mos hanin mjaftueshëm ose të refuzonin ushqimin, këto sjellje do të vinin shumë pak në vëmendje të specialistëve. Në jo pak raste, këta fëmijë do të vlerësoheshin thjesht si një grup fëmijësh të llastuar dhe tekanjozë. Fatmirësisht, sot më tepër studiues i fokusojnë interesat e tyre në shpjegimin e këtij çrregullimi që, në pamje të parë, duket se ka të bëjë me temperamentine fëmijës dhe me mënyrën sesi prindërit i trajtojnë ata. Megjithatë, shumica e studiuesve pohojnë se arsyeja kryesore për rritjen e interesit për këtë grup fëmijësh ka ardhur jo sepse numri i tyre është rritur, porse vetë prindërit i kushtojnë më tepër vëmendje sasisë së ushqimit që konsumon fëmija i tyre. Në fakt, në ditët e sotme gjithnjë dhe më shumë prindër ndihen të përgjegjshëm për çdo gjë të ashtuquajtur negative që ndodh te fëmija i tyre. Dhe ky fenomen mendohet të jetë edhe më i pranishëm te prindërit e fëmijëve me çrregullime tek të ngrënët. Kjo sepse kur mjekët dhe psikologët nuk arrijnë të shpjegojnë arsyet refuzuese të fëmijëve ndaj ushqimit, të gjithë fillojnë të pyesin për rolin e prindërve, madje edhe prindërit vetë.
DISA KËSHILLA PËR PRINDËRIT E FËMIJËVE ME ÇRREGULLIME TË TË NGRËNIT
• Respektoni oraret e të ngrënit. Kjo gjë i ndihmon fëmijët të kuptojnë rëndësinë e ushqimit dhe i bën më të disiplinuar.
• Informojeni fëmijën gjithmonë 10 deri në 15 minuta përpara se të shtroni për të ngrënë. Kështu i jepni kohë që të largohen nga aktivitetet që janë duke bërë në mënyrë të qetë.
• Shmangni argumentet dhe debatet familjare të çfarëdolloj natyre gjatë të ngrënit dhe diskutoni vetëm për gjëra pozitive, duke përfshirë dhe shijen e mirë të ushqimit.
• Fëmijëve u duhet kohë që të mësojnë sesi duhet të sillen kur ulen për të ngrënë, kështu që jini të durueshëm ndaj sjelljeve jo të këndshme të tyre.
• Nëse fëmijët nuk hanë gjatë orareve të përcaktuara nga ju, ofrojuni çdo dy orë ushqime, të cilat kanë shumë vlerë ushqimore. Por, kujdesuni që çdo herë, ushqimet që ofroni t’i prezantoni në mënyrë që t’u tërhiqni vëmendjen.
• Mos lejoni që fëmija të luajë me lodra, të shohë libra apo televizor gjatë kohës kur ushqehet.
• Mos e kërcënoni ose ta shtyni medoemos për të ngrënë dhe mos e penalizoni nëse nuk ha. Thjesht pranoni refuzimin e tij dhe mos e shfaqni mërzinë tuaj. Fëmija mund të refuzojë të hajë në mënyrë që të tërheqë vëmendjen tuaj dhe, nëse ju tregoheni të pakënaqur nga sjellja e tij, ai mund të përsërisë të njëjtën sjellje.
• Mos harroni t’i përsërisni fëmijës se sa e rëndësishme është kur të gjithë në familje hanë së bashku dhe se ai duhet të rrijë në tryezë derisa të gjithë të kenë mbaruar së ngrëni.
• Kur doni t’u jepni fëmijëve ushqime të reja, prezantojuani ato disa herë në ditë. Shumica e fëmijëve mund të provojnë diçka vetëm pasi u është ofruar për të paktën 10-15 herë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.