Në fokus

August 12, 2016 | 8:29

Fëmijë të lumtur? Mësojini të jenë mirënjohës

Shoqëria e konsumit na shtyn nëpërmjet çdo mjeti që ka në dispozicion të blejmë sa më shumë dhe sa më shtrenjtë, duke na shitur në këtë mënyrë “iluzionin” e lumturisë. Fëmijët janë më të prekshëm ndaj këtyre mesazheve, për shkak të mundësisë së rritur për t’i sugjestionuar ato. Shohim përditë nga ata, të cilët luajnë pa interes me një telefon të gjeneratës së fundit, por edhe nga ata të cilët dinë të argëtohen me një shkop. Studimet e fundit psikologjike na tregojnë se ekziston një marrëdhënie e drejtpërdrejtë midis mirënjohjes dhe lumturisë (Seligman, Ster si Peterson, 2005). Mirënjohja nënkupton një gjendje vlerësimi të orientuar ndaj asaj që kemi tashmë dhe jo ndaj asaj që dëshirojmë. Është një ndjenjë falënderimi, e cila na çon drejt lumturisë dhe drejt një gjendjeje shëndetësore më të mirë.

Mirënjohja ndryshon perspektivën në të cilën perceptojmë jetën dhe veten tonë. Studimet tregojnë se njerëzit ndjejnë më tepër lumturi kur japin diçka sesa kur marrin. Tingëllon e çuditshme? Nuk e besoni? Po sikur ta provoni edhe ju? Në fakt, mirënjohja kalon shpeshherë pa u vënë re, përderisa shumë prej nesh harrojmë ta përdorim. Harrojmë të themi “faleminderit” dhe “e vlerësoj shumë atë që bëre për mua…” ose “më ndihmove jashtë mase duke e bërë këtë gjë…”. E shpenzojmë jetën tonë duke u fokusuar mbi objekte, dështime dhe mungesa. Alarmohemi për problemin më të vogël dhe shikojmë kudo vetëm mure të pakalueshme. Çuditërisht, kur na pyesin, themi se punojmë për familjen tonë ose për lirinë tonë. Por, pikërisht i harrojmë, duke i neglizhuar, duke i akuzuar se kërkojnë shumë nga ne. Kjo ndodh sepse jemi bërë një konglomerat energjish negative. Imagjinoni si do të ishte një shoqëri ku mirënjohja do të shfaqet në çdo mjedis: në familje, në çift, në shoqëri. A e keni menduar, sa do ta rrisim vetëbesimin? Ndoshta më shumë persona duhet të fillojnë të kenë më tepër iniciativë. Ndoshta jeta jonë do të lehtësohej nga barra e fajësisë. Ndoshta dhuna do të zhdukej. Pse jemi kështu? T’ia nisim nga fillimi. Mijëra vite përpara, njerëzit kishin nevojë për vëmendje të madhe ndaj gjërave negative: nëse një tigër vinte rrotull shpellës, duhej të ishim të kujdesshëm. Në fakt, diferenca midis jetës dhe vdekjes ishte vëmendja ndaj gjërave të dëmshme që vinin nga mjedisi i jashtëm. Më saktë, a ka kohë për mirënjohje në këtë kontekst jo të favorshëm? Por të shikojmë çfarë mund të bëjmë. Mirënjohja tregohet në mënyrë të thjeshtë dhe nuk na kushton asgjë. Duke përdorur sa më shpesh fjalën “faleminderit” kudo: në zyrë, në dyqan, në shtëpi. Pastaj vjen hapi i dytë: vlerëso deri në detaje çfarë ka bërë dikush për ty. Hapi i tretë: shprehja personit në fjalë si je ndjerë falë gjërave që ai ka bërë për ty. Nëse ndihesh në siklet, pyet veten çfarë pjese e jotja nuk “sintonizohet” me këtë formë të thjeshtë të dashuruari. Dhe mos e gënje veten, mungesa e mirënjohjes ka pasoja të rënda! Pa të, fundosemi në gropën e pakënaqësisë, e cila ka në përbërjen e saj disa struktura shumë të rrezikshme: mungesa e vetëbesimit, mungesa e respektit, bindja se çdo gjë shkon për keq, zvogëlimi i pikëpamjes për një të ardhme më të mirë. Siç e kuptoni tani, mirënjohja nuk vjen vetvetiu. Ajo jepet dhe shkakton reagime pozitive ose nuk jepet dhe, me mungesën e saj, krijon përbindëshat.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top