Në fokus

February 21, 2017 | 6:43

Fëmijët aktivë dhe pasivë

Çdo njeri është uni, është i veçantë nga të tjerët. Kjo është një nga cilësitë më të bukura të qenies njerëzore. Çdokush lind i veçantë dhe më pas zhvillohet i ndikuar nga kushtet në familje dhe shoqëri në të cilat rritet. Sa rëndësi kanë gjenet, modeli i prindërve, ambienti shoqëror në të cilin rritemi? Kjo pyetje nuk ka akoma një përgjigje të saktë, sepse të gjithë elementët ndikojnë në varësi të situatës në të cilën ndodhemi.

1

Psikologe Hipnoterapiste Klinike Pedagoge pranë UET

Psikologe
Hipnoterapiste Klinike
Pedagoge pranë UET

Një fëmijë, i lindur në një familje ku ka liri dhe vendos vetë për zgjedhjet që kur është i vogël, pa dyshim që do të rritet me besim dhe pa frikëra. Në të kundërt, nëse prindërit janë dominues dhe nuk e lejojnë t’i marrë vendimet, do të rritet i nënshtruar, me ndjenja ankthi dhe frike për jetën. Unë ndeshem çdo ditë më studentë me personalitete krejt të ndryshme dhe nëse do të bëja një ndarje të përgjithshme do të thosha: ata që janë aktivë (ndryshe sot i quajmë edhe hiperaktivë), si dhe të ndrojturit apo të nënshtruarit.

Të parët janë gjatë gjithë kohës në lëvizje, në zhurmë, në aktivitet. Në rast se do dimë që këtë energji të brendshme t’ua drejtojmë në mënyrë efikase, këta individë bëhen shumë të suksesshëm në atë
që marrin përsipër të realizojnë.

Ndërsa të dytët janë tipat më të ndrojtur dhe kanë nevojë për konfirmim. Këta tipa, edhe pse nuk janë ata të cilët drejtojnë grupet, festat apo janë më të mbyllur brenda vetes, përsëri janë tepër të aftë kur u
japim detyra që u përshtaten personalitetit të tyre. Unë besoj në thënien e Ajnshtajnit se: “Çdo njeri është gjeni, por nëse i kërkojmë peshkut të ngjitet në pemë atëherë ai do të mbetet idiot gjithë jetën”. Në qoftë se u kërkojmë fëmijëve “hiperaktivë” të rrinë urtë, të sillen mirë dhe të mos ngrenë zërin për asgjë, atëherë do të kemi vetëm një radhë të gjatë me robotë të bindur. Këta fëmijë janë shumë të lëvizur, sepse energjia dhe potenciali i tyre i brendshëm është shumë i fuqishëm dhe ka nevojë për çlirim.

Po tregoj rastin e një djali, i cili, në pamje të parë, të jep idenë e dikujt që është agresiv apo i dhunshëm dhe me të ti nuk duhet të tentosh. Ai është krejt ndryshe: një djalë i dhembshur, me një zemër të madhe dhe me respekt ndaj të tjerëve. Mirëpo, kur i duhet të përballet me një padrejtësi, aty nuk mundet të jetë
i qetë dhe reagon. Ai vetë tregon se kur ka qenë në klasën e parë, mësuesja i kishte rreshtuar nxënësit
që bënin zhurmë dhe i godiste me një thupër. Në momentin kur i erdhi atij radha, ia kapi thuprën dhe
e theu. Ky është temperamenti dhe personaliteti i tij që fëmijë.

A do ta quanim hiperaktiv dhe të mbrapshtë këtë fëmijë, i cili lufton për të drejtën e vet? Apo do t’i tregonim modelin e fëmijës së nënshtruar, që i kanë futur frikën që të vogël, se po bëri gabime quhet fëmijë i keq, që mami dhe babi nuk do ta duan aq shumë, se vetëm duke u sjellë në këtë mënyrë apo një tjetër (të treguara me shembuj konkretë) do të arrijë të jetë një fëmijë shembullor?

Paralelisht po vë një vajzë, e cila vjen te psikologu sepse do të ndihet e kuptuar, pasi me moshatarët e vet ndihet vetëm. Ajo është një vajzë tepër inteligjente, por e mbyllur dhe e ndrojtur, e cila e ka të vështirë të
hyjë në grupe dhe të përshtatet me bashkëmoshatarët e vet. Ajo është me inteligjentja në klasë, por a do të mjaftonte kjo gjë për jetën e saj?! Të gjithë ne ndodhemi përballë kësaj dileme: fëmijë i shkathët dhe pa frikëra në jetë apo fëmijë që u kushton vëmendje vetëm mësimeve, sepse aktivitetet jashtë e bëjnë të paaftë në jetë?

Këta fëmijë rriten dhe kur fillojnë të kuptojnë se inteligjenca emocionale paska kaq shumë rëndësi për të qenë i plotësuar me veten dhe i aftë për t’u përballur më të tjerët. Jam përballur me një rast, i cili kishte lënë shkollën nga presioni që i ishte ushtruar nga shokët e klasës dhe të shkollës. Në terapi vazhdonte e shoqëronte e ëma, duke e mbrojtur akoma në mënyrën e vet dhe duke e trajtuar si të vogël, ndërkohë që ai kishte nevojë të përballej me sfidat dhe me procesin e rritjes së vet, proces të cilin askush nuk mund ta anashkalojë. Nga ana tjetër, ne u bërtasim aktivëve dhe i dënojmë kur këta bëjnë diçka që na prish rregullat e përcaktuara nga shoqëria. Në fund, askush nuk ka rregulla të cilat janë më të mira për cilindo, por le ta lëmë peshkun të jetojë i kënaqur në oqean dhe luanin të sundojë në xhungël!

(Po flasim këtu për raste, të cilat nuk kanë një diagnozë të përcaktuar nga psikiatri apo psikologu klinik)

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top