Në fokus

December 12, 2017 | 9:23

Fëmijët dhe miqësitë që i rrisin

“Sot Megi është shoqja ime, por Rei jo. Më inatosi shumë në shkollë.” “Do vish të flesh në shtëpinë time sot? Bëjmë gjoja sikur jemi motra…”. “Nëse më thua prapë që jam bullafiq, nuk do jesh më shoku im”. Janë shprehje të zakonshme miqësie ndër fëmijë. Një marrëdhënie e bërë nga aventura të mëdha dhe krisje të vogla, nga gëzime e lot, të qeshura e xhelozi, shpesh të nënvlerësuara nga “të rriturit”. Të lini pas dore atë çka ndodh mes fëmijëve tuaj dhe miqve të tyre, do të thotë të lini pas dore një pjesë thelbësore të jetës së tyre, që në vitet e para. Marrëdhëniet me bashkëmoshatarët janë prova e parë e tyre për të ndërtuar identitetin vetjak.

1

Përgatiti: Manjola EREQI

Origjina e intimitetit

“A do luajmë piratash?”, pyet Arbi tre vjeç e gjysmë, shokun e tij të kopshtit Ergin, i cili pranon i ngazëllyer. Dhe ja ku të dy miqtë e vegjël nisen në lundrim mbi një anije të vogël imagjinare (të ndërtuar me karrige) në kërkim të thesarit (kubat me ngjyra) të fshehur në një ishull të shkretë (nën tavolinë). Loja është një mjet i jashtëzakonshëm mësimi. Miqësitë e para, të bëra nga veprime “gjoja” dhe me personazhe imagjinarë janë “hapu-Sezami” drejt botëve të pamundura. Aftësia e Arbit dhe e Ergit për t’u sintonizuar mbi historinë që po shpikin së bashku është veçanërisht e rëndësishme nga këndvështrimi emotiv, bën të mundur krijimin e intimitetit, që është thelbësor për të krijuar lidhje të forta në të ardhmen, dhe vë edhe bazat për të njohur ndjenjat e tjetrit. Deri në moshën 7-8 vjeçare, miqësia është e përbërë nga shoqërizimi, intimiteti dhe dashuria. Vetëm duke filluar nga paraadoleshenca, në këta përbërës të miqësisë shtohet edhe besnikëria dhe përkushtimi.

2

Drejt pavarësisë

“Kur lindi Ema, Eriku ishte shtatë vjeç. Për shumë kohë nuk denjoi as t’i hidhte shikimin së motrës, – tregon Linda, 42 vjeçe, menaxhere – Dukej se kishte sy vetëm për Joelin, shokun e bankës. Mendova se mos ishte xheloz. Me mua nuk hapej fare, ndërsa e dëgjoja që fliste shumë me Joelin…” Një mik mund të jetë një mbështetje e rëndësishme emotive. Fakti se ka një bashkëmoshatar në krah, ku mund t’i rrëfejë për ndryshime të mëdha siç mund të jetë lindja e motre apo kalimi nga parashkollori në shkollë fillore, e mbron të voglin nga stresi dhe shton besimin te vetja. Përveç pranisë dhe mbështetjes së prindërve, të kesh një mik si një shpatull për të qarë, një vesh gati për të dëgjuar, shenjon fillimin e një pavarësie të re. Kjo gjë e lejon fëmijën të largojë frikërat, të cilat, ndonjëherë “të rriturit” e kanë të vështirë t’i kuptojnë.

Liria për të qenë

Të gjitha miqësitë të rrisin. Edhe ato ku fëmija refuzon apo ndihet i refuzuar. Ndaj duhet t’i lëmë të lirë, edhe duke ruajtur një kontroll autoritar. Të luajnë me atë grup shokësh që prindërve nuk u pëlqen edhe aq, mund të jetë edhe një shenjë fillestare rebelimi, fazë që kulmohet në adoleshencë dhe që përfaqëson një kalim të detyrueshëm për ndërtimin e identitetit.

Prepotent me të tjerët

“Është lodra ime dhe ti nuk do luash me të”. Mundohuni t’i mësoni fëmijës mënyra shprehie të ndryshme, që parashikojnë gjithmonë përdorimin e fjalëve “të lutem” dhe “faleminderit”. Mësojini teknikat e negocimit, që edhe ju i përdorni në përditshmërinë tuaj si për shembull: “Nëse sillesh keq, e ke më të vështirë të fitosh gjërat që dëshiron”, “Nëse e lë shokun të luajë me makinën tënde, edhe ai do të të lërë të luash me biçikletën e tij të re”. Mos kini frikë ta qortoni kur e meriton dhe lavdërojeni kur sillet mirë. Gjithsesi, nëse e mbani nën kontroll, edhe prepotenca mund të jetë një stimul drejt rritjes. Të dijë se çfarë ju pëlqen dhe çfarë ju bezdis, ndihmon që të zhvilloni tek i vogli, aftësinë e tij në rritje për të kuptuar të tjerët dhe zakonet e botës. Mos harroni, në fund të fundit, që fëmijët janë imitues të paparë, pra kanë tendencën të përsërisin atë që shohin dhe bëjnë nga të rriturit.

Mother and daughters playing in garden with balloons

Miqësohet me vështirësi

“Dua të rri vetëm” – një fëmijë që nuk dëshiron të krijojë miqësi, është një fëmijë i pasigurt, që ka frikë të zbulojë botën. Respektoni kohën dhe pasiguritë e tij. Mos e lëshoni “në turmë”, por pranojeni drojën e tij. Për shembull, për ta mësuar që të krijojë lidhje me të tjerët, në fillim propozojini një miqësi dyshe, ndoshta duke ftuar në shtëpinë tuaj fëmijën e një çifti miqsh dhe qëndroni edhe ju me të. Prania juaj, edhe pse në heshtje, do ta sigurojë dhe do ta shtyjë që të hapet me shokun.

E refuzojnë shokët

“Më thonë që jam bullafiq…” – shqyrtoheni situatën me fëmijën tuaj, duke pasur parasysh edhe arsyet që i shtyjnë fëmijët e tjerë të bëjnë një sjellje refuzimi dhe mënjanimi (“Mundohu të shoqërohesh me shokët” ose “Thonë këto fjalë, sepse janë të pasigurt”). Këshillojini fëmijës artin e diplomacisë dhe drejtojeni vëmendjen e tij mbi sjelljet pozitive të bashkëmoshatarëve kundrejt tij: “Jona u soll shumë mirë kur të dha librin e saj. Duket që është vajzë e mirë”, “Ti ke shkuar shumë herë të shtëpia e Kejsit. Kjo do të thotë se ju të dy keni një miqësi, që shkon përtej të qenit shokë banke”. Shpjegojini gjithashtu që në jetë nuk mund t’u pëlqejnë të gjithëve, dhe padyshim as nuk do të jenë fitimtarë në çdo rast (“Nëse shokët e tu të qëndrojnë larg, kjo nuk do të thotë se ti nuk vlen. Ti ke shumë cilësi të mira…”).

E keqtrajtojnë, por nuk reagon

“Nuk jam mirë, por nuk ta them se pse” – fëmijët që kanë një sjellje pasive shpesh janë viktimë e bulizmit. Në këtë rast, ngrini antenat dhe mundohuni të kapni sinjalet – verbale dhe jo – tipike të fenomenit, si dëshira për të mos shkuar më në shkollë, mbyllja në vetvete, refuzimi për të folur mbi problemet, notat e këqija, të qarat në mes të natës… Këshilla është të jeni të drejtpërdrejtë: “Mendoj se dikush po të keqtrajton, që është prepotent me ty. Më trego gjithçka.” Thuajini fëmijës se jeni gati ta dëgjoni, në momentin që ai dëshiron të hapet me ju. Vërini në dijeni mësueset dhe, mbi të gjitha, mund u ndjeni përgjegjës për situatën. Ulje-ngritjet në marrëdhënie janë normale, edhe në marrëdhëniet e fëmijëve.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top