Në fokus

December 16, 2017 | 8:00

Fëmijët duhet të luajnë jashtë me shokët

Aktualisht fëmijët kalojnë gjithnjë e më shumë kohë në ambiente të mbyllura ose duke shkuar aktivitete jashtëshkollore. Por fëmijët duhet të merren me aktivitet fizik dhe të luajnë në ajër të pastër, të paktën një orë në ditë. Ka shumë arsye pse fëmijët duhet të kalojnë gjithnjë e më shumë kohë jashtë. Në fakt, në këto vitet e fundit, fëmijët qëndrojnë gjithnjë e më shumë kohë të mbyllur në shtëpi dhe merren shumë pak me lojëra. Qëndrimi i tepërt brenda katër mureve, dëmton mjaft shëndetin, ndaj është mirë që prindërit, nëna sidomos, të bëjë më pak punë shtëpie e të merret më shumë me argëtimin dhe mirëqenien psikologjike të fëmijës.

Këto janë këshillat që psikologët japin për një rritje të shëndetshme të fëmijëve. Kemi përzgjedhur tetë arsye të mira, pse duhet t’i çoni fëmijët në park dhe t’i lini të luajnë në hapësira të gjelbra.

untitled

1.Mirëqenia psiko-fizike

Kur një fëmijë kërcen majë divanit apo hidhet nga tavolina në kolltuk si të ishte Tarzani, është mirë të pyesni veten: “do vetëm të tërheqë vëmendjen time apo po shpreh dëshirën e tij fizike për t’u hedhur e lëvizur?” Sipas psikologëve, është e rëndësishme që prindi të përpiqet (gjithmonë) të deshifrojë sjelljen e fëmijës. Në fakt, padurimi, të qarat dhe ankesat, shpesh përfaqësojnë një kërkesë për ndihmë nga fëmija, kur një nevojë e tij bazike, fizike apo emotive, nuk është e përmbushur ashtu siç duhet. Vrapi dhe kërcimet nëpër mobiliet e shtëpisë, mund të tregojnë se fëmija ka nevojë të luajë jashtë, në ajër të pastër. Një nevojë, për fat të keq, gjithmonë e padëgjuar nga prindërit. Sipas psikologëve, në qytet, edhe më të vegjlit (në moshë parashkollore) kalojnë shumë kohë brenda ambienteve të mbyllura, në vend që të luajnë të lirë në parqe, kopshte apo oborre. Është një problem, sepse hapësirat e gjelbra janë shumë të rëndësishme për shoqërizimin, për të ushtruar muskujt dhe reflekset, për të zhvilluar inteligjencën, për të eksploruar dhe për të njohur territorin.

2.Fëmijët kanë të drejtë të luajnë

Në rrugëtimin e tij drejt rritjes, fëmija zbulon botën rreth tij dhe fiton çdo ditë aftësi të reja, psikomotorike, konjitive (njohëse), afektive nëpërmjet lojës dhe lëvizjeve. Loja në ajër të pastër, në mënyrë spontane (vrapi, kërcimet dhe zbulimi i ambientit) është thelbësor për zhvillimin optimal të fëmijës. Në park, për shembull, prindi duhet të jetë i kujdesshëm, por duke i lënë të voglit mundësinë të shprehë prirjet e tij. Në qytet, nuk është kaq e lehtë që fëmijët të jenë sa më shumë në kontakt me natyrën, megjithatë edhe lulishtet, oborret e pallateve i ofrojnë fëmijëve një “fushë” të mirë eksperimentimi në nivel motorik, konjitiv dhe kreativ.

3.Loja jashtë zhvillon 5 shqisat Shëtitjet në bar, duke mbledhur gjethet e pemëve, duke luajtur me drurë apo guriçka, vrapi në natyrë nën rrezet e diellit apo puhiza e freskët, e ndihmon fëmijën të zhvillojë më mirë pesë shqisat. Edhe për më të vegjlit, të cilët janë ende në karrocë, është e rëndësishme të kalojnë kohë në ajër të pastër. Një hapësirë e gjelbër, edhe pse në qytet, i ofron gjithsesi fëmijës mundësinë të hyjë në kontakt me elementët natyrorë. Fëshfërima e një gjetheje të thatë që thërrmohet ndër duar, për shembull, është një përvojë ndjesore kuptimplotë në çdo moshë.

4.Loja në park stimulon trurin

Ndër përfitimet e shumta, loja spontane stimulon edhe zhvillimin konjitiv (njohës) të fëmijës. Sipas “American Academy of Pediatrics” aktivitetet në ajër të pastër ndihmojnë në përmirësimin e aftësive të përqendrimit, duke e bërë më të thjeshtë hyrjen në shkollën fillore. Dimensioni i çlirët i lojës, me të cilin fëmija matet me sfidat që i vë vetes, favorizon edhe zhvillimin e aftësive për të kuptuar dhe zgjidhur problemet (problem-solving). E gjitha kjo e lejon fëmijën të ketë më pas, rezultate më të mira në shkollë, duke rritur sigurinë dhe besimin në vetvete.

5.Përmirëson kreativitetin

Jashtë, nëpër parqe, kopshte dhe oborre, të gjithë fëmijët janë më të prirur (edhe pse në mënyra të ndryshme që lidhen me moshën) të shpikin lojëra të reja. Bordura e një stoli prej çimentoje, në imagjinatën e tyre shndërrohet në një urë që duhet ta kalojnë, apo një shtëpizë e bërë me shkarpa shndërrohet në një restorant… Fushat ku ata luajnë ndihmojnë kështu edhe kreativitetin. Atmosfera e çlirët e lojës – dhe argëtimi që ajo gjeneron – ndihmon për të kultivuar mendimin kreativ, i cili është një burim i mirë që më pas fëmijët t’i vënë në punë edhe gjatë të mësuarit në shkollë, sepse ndihmon në gjetjen dhe propozimin e materialeve në mënyrë të ndryshme.

6.Lojërat përmirësojnë shoqërizimin dhe zgjidhjen e konflikteve

Në oborrin e pallatit, çdo prindi i ka ndodhur që të jetë i pranishëm në lindjen e “miqësive” dhe lojërave të impovizuara e të gëzueshme mes fëmijëve që nuk njihen mes tyre. Mes moshës 2-3 vjeç, në fakt, vjen kalimi gradual i lojës paralele, ku çdo fëmijë luan i vetëm mes fëmijësh të tjerë, tek ai bashkëpunues (të gjithë së bashku). Kjo është një fazë tipike dhe “normale” në procesin e shoqërizimit që i përket çdo fëmije. Në një hapësirë të hapur, në grup, çdo fëmijë mëson të ndajë, negociojë konfliktet (në mënyrë graduale, venitet fraza klasike “është e imja!”) dhe të lidhet me të tjerët me qëllimin që loja të vazhdojë.

37.Ajri i pastër ul rrezikun nga stresi

Stili frenetik i jetës dhe ritmet e shpejta, tipike të realitetit tonë, përfshijnë shpesh edhe fëmijët në një luftë konstante kundër orës. Mes detyrash, impenjimesh familjare, kursesh (not, anglisht, gjimnastikë…) duket që edhe dita e një fëmije në moshë shkollore është e skeduar në çdo minutë të saj. Vrapi, kërcimi, zvarritja nëpër mure, ndërveprimi me fëmijë të tjerë pa një “program” specifik – i caktuar nga prindërit, mësuesit, edukatorët – ka një ndikim shumë pozitiv te çdo fëmijë, duke ulur nivelet e stresit. Liria për të lëvizur zvogëlon problemet që lidhen me vështirësitë e përqendrimit, padurimin dhe ankthin, problematika nga të cilat vuan çdo fëmijë.

8. Lojërat luftojnë obezitetin

Jeta sedentare, orët e kaluara para televizorit, kompjuterit e videolojërave, zakonet e këqija të ushqyerjes, janë ndër shkaktarët kryesorë të obezitetit te fëmijët. Një fenomen që, nëse në Shtetet e Bashkuara prej kohësh ka arritur shifra shqetësuese, po shtohet ndjeshëm edhe në Shqipëri. Të luajturit çdo ditë jashtë shtëpisë është një sistem i efektshëm për të luftuar këtë periudhë që ka pasoja negative për shëndetin edhe në të ardhmen (disa studime tregojnë që ata që janë obezë para moshës 13 vjeç, kanë tendencën të mbeten ashtu për gjithë jetën). Aktiviteti fizik jashtë, tipik për fëmijët, përfaqëson një ushtrim të shkëlqyer aerobik, i cili forcon sistemin imunitar, duke përmirësuar nivelin e Vitaminës D (i cili sipas studimeve të “Centers for Disease Control and Prevention”, ShBA, është i dobishëm kundër osteoporozës, sëmundjet kardiovaskulare dhe diabetin). Në fund… Shembulli i mirë i prindërve është thelbësor. Dilni së bashku ose shëtitni në ajër të pastër. Procesi imitues, tipik në moshën zhvillimore, i bën fëmijët të vëzhgojnë sjelljet e prindërve dhe t’i riprodhojnë ato.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top