Në fokus

October 23, 2019 | 8:10

Fëmijët e vetëm janë më kreativë

Sipas një artikulli të botuar në revistën Brain Imaging and Behaviour, truri i fëmijëve të vetëm është i ndryshëm nga ai i atyre që rriten me motra dhe vëllezër. Por a është vërtet kështu? A janë fëmijët e vetëm më kreativë?

Një grup studiuesish nga Universiteti Jugperëndimor i Chongqing, Kinë, analizuan 303 të rinj kinezë: 126 fëmijë të vetëm dhe 177 me vëllezër. Të dy grupet i janë nënshtruar testeve që matin inteligjencën, krijimtarinë dhe personalitetin. Shkencëtarët analizuan gjithashtu formën e trurit të pjesëmarrësve përmes pamjeve të siguruara nga rezonancat magnetike.

Pas analizimit të rezultateve, studiuesit arritën në përfundimin se truri i fëmijëve të vetëm ka një zonë të pazhvilluar. Kjo kryesisht për faktin se mjediset familjare në të cilat rriten individët ndikojnë në zhvillimin e strukturës së trurit dhe kushtëzojnë personalitetin. Le të shohim nëse fëmijët e vetëm janë më kreativë.

Fëmijët e vetëm janë më kreativë

Studiuesit nuk gjetën dallime në treguesin intelektual, por arritën në përfundimin se fëmijët e vetëm kanë më shumë lëndë gri në zonën e lidhur me gjuhën, fleksibilitetin, imagjinatën dhe planifikimin. Kjo ndodh kryesisht për shkak të vëmendjes që u është dhënë nga prindërit. Kjo do të nënkuptonte se në një farë mase krijimtaria e zhvilluar e fëmijëve varet nga pritjet dhe vëmendja që u japin baballarët dhe nënat e tyre.

Mos u mohoni fëmijëve tuaj vështirësitë e jetës, mësojini ata t’i tejkalojnë ato. Louis Pasteur

Në mënyrë të ngjashme, studimi tregon se fëmijët e vetëm që janë analizuar kanë më pak lëndë gri në korteksin mesatar frontal, një zonë e trurit që shoqërohet me rregullimin e emocioneve. Kështu që ata treguan më pak dashamirësi ndaj fëmijëve të tjerë. Studiuesit kinezë kanë deklaruar se këto karakteristika mund të sugjerojnë se është ambienti shoqëror që gjeneron këto dallime. Kjo lidhet gjithashtu me nivelet e ulëta të empatisë të regjistruar në teste të tjera.

Nga ana tjetër, arsyeja pse fëmijët e vetëm perceptohen si më pak të sjellshëm mund të jetë rezultat i vëmendjes së tepruar nga baballarët, nënat dhe pjesa tjetër e familjes. Në këto raste, fëmijët kanë tendencë të jenë më pak të ekspozuar ndaj grupeve të jashtme sociale dhe të përqendrohen më shumë në aktivitete të vetmuara. Kjo shkakton shfaqjen e “tipareve të padëshiruara të personalitetit”, siç janë varësia, mungesa e mirësisë, egoizmi dhe paaftësia shoqërore.

A janë fëmijët e vetëm më pak të sjellshëm?

“Për shkak të mungesës së motrave dhe vëllezërve, fëmijët e vetëm në përgjithësi humbasin mundësi të rëndësishme në marrëdhëniet shoqërore, sepse nuk zhvillojnë aftësi psikosociale ose mbështetje emocionale,” thonë ekspertët.

Vlen të përmendet se studimi i mësipërm është një mostër e vogël, e kryer në Kinë dhe ku janë analizuar fëmijët e vetëm. Variablat e reja mund të lindin në studime të tjera dhe me grupmosha të ndryshme. Pra, studimi ka gjithashtu kufijtë dhe paragjykimet e tij të mundshme.

Sidoqoftë, kjo është hera e parë që një studim analizon strukturën e trurit të fëmijëve të vetëm. Një analizë e 115 studimeve shkencore të kryera që nga viti 1986 tregoi se fëmijët e vetëm treguan rezultate më të mira në testet e inteligjencës, karakterit dhe marrëdhënieve me prindërit, në krahasim me fëmijët që rriten me motra dhe vëllezër.

Personalitet kokëfortë

Fëmijët e vetëm zakonisht janë shumë kokëfortë sepse janë mësuar të kërkojnë interesat e tyre dhe shpesh mund të jenë shumë posesivë. Ata gjithashtu mund të jenë shumë të rreptë në lidhje me privatësinë dhe kohën e tyre, pasi ata nuk janë mësuar t’i ndajnë ato me dikë tjetër. Sidoqoftë, personaliteti ndryshon në varësi të kushteve të jetesës së fëmijës: mjedisi familjar formon në mënyrë invazive personalitetin e fëmijës.

Një tipar tjetër i personalitetit të fëmijëve të vetëm është se ata kanë tendencë të jenë shumë të pjekur për moshën e tyre. Kjo është një karakteristikë për shkak të mjedisit, duke qenë se nuk kanë vëllezër, ata kërkojnë shoqërinë e prindërve të tyre ose të të rriturve të tjerë.

Fëmijët e vetëm kanë tendencë të pretendojnë se janë shumë më të rritur për moshën e tyre dhe shumë prej tyre mund të bëhen tipik “Unë i di të gjitha”.

 

Burimi / https://siamomamme.it

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top