Në fokus

August 28, 2016 | 9:15

Fëmijët & gënjeshtrat / Si t’u mësojmë fëmijëve të mos gënjejnë?

aurora celikuÇdo ditë njerëzit luftojnë të japin më të mirën e tyre për të zënë vendin që meritojnë në shoqërinë e sotme. Në komunikimin e përditshëm, duke u përballur me familjarët, miqtë e shokët, me kolegët në punë, njerëzit transmetojnë përvojat duke qenë realistë ose jo. Një nga “mënyrat e komunikimit” është gënjeshtra.

Gjithsecili nga ne është i vetëdijshëm që gënjen. Por pse nuk e shmangim dot gënjeshtrën? A është gënjeshtra pjesë e zhvillimit psikologjik të njeriut, pjesë e vetëdijes sonë?

Që t’i kuptojmë sadopak situatat pse njeriu gënjen, le të kthehemi mbrapa në fëmijëri dhe të analizojmë fillimet e gënjeshtrës në moshë fare të vogël. Ne mendojmë se fëmijët janë qeniet më të sinqerta, por nuk është tamam ashtu. Bazuar në statistikat e kërkimeve shkencore, fëmijët gënjejnë shumë më herët nga sa mendojnë të rriturit, prindërit apo edukatoret qofshin këta.

Prindërit duhet ta pranojnë dhe të përpiqen të kuptojnë që fëmijët nuk janë “koshientë” kur gënjejnë dhe s’e kuptojnë që gënjeshtra është gabim, sidomos në moshën 4-5 vjeç. Gjithashtu prindërit besojnë se duke u rritur fëmijët do të mësohen të mos gënjejnë. Përsëri kjo bindje është gabim; sa më shumë një fëmijë fillon të dallojë gënjeshtrën nga e vërteta, aq më shumë i jep shanse gënjeshtrës, duke mësuar “benefitet” që jep ky veprim. Ka disa mënyra për ta evituar sadopak gënjeshtrën te fëmijët e vegjël dhe tek ata që janë në moshën shkollore.

• Prindërit nuk duhet të insistojnë ta pyesin fëmijën për një veprim, sidomos kur është i dukshëm veprimi i gabuar. Ata nuk duhet t’i pyesin me ton të acaruar, sepse fëmijët për t’i shpëtuar këtij lloj presioni do të fillojnë të gënjejnë më shumë. Kurrë nuk duhet ta thërrasin fëmijën gënjeshtar. Duke bërë kështu, dëmtojnë konfidencën e tij si individ.

• Prindërit dhe edukatoret duhet t’u flasin fëmijëve që gënjeshtra dëmton lidhjet sociale dhe familjare. Në qoftë se një fëmijë ka gënjyer, nuk duhet të sillet gjithmonë si shembull. Në njëfarë mënyrë, duhet të pretendojmë se e kemi harruar gënjeshtrën. Duhet parë me kujdes pse fëmija gënjen, pasi ndonjëherë duhet që edhe ne të rriturit të ndryshojmë disa gjëra, të cilat e bëjnë fëmijën të gënjejë.

• Nëse në familje kemi rregulla strikte, që fundja-fundit nuk funksionojnë si duhet, ndoshta duhet t’i ndërrojmë dhe adoptojmë.

6

Sërish, duke u bazuar te statistikat e kërkimeve shkencore, 4-vjeçarët gënjejnë çdo dy orë, ndërkohë që një 6-vjeçar gënjen çdo një orë. Megjithatë, në mënyrë të vetëdijshme ose jo, fëmijët e dënojnë gënjeshtrën më shumë se të rriturit. Pjesa më e madhe e fëmijëve mendojnë se ai që gënjen është një njeri i keq dhe se gënjeshtra është moralisht gabim. Nga këndvështrimi im personal, si prind dhe mësuese, e kundërshtoj teorinë e mësipërme, sepse observimet rezultojnë që, përderisa fëmijët gënjejnë vetë, ata e dënojnë gënjeshtrën sërish në mënyrë jo koshiente, duke mos pasur konceptin e drejtë se çfarë është gënjeshtra, aq më tepër se ç’është e moralshme.

Por, diçka tjetër ndodh këtu, ndërkohë që ne mendojmë që të thuash të vërtetën është virtyt i një fëmije. Përkundrazi, të gënjyerit është një veti më e përparuar për zhvillimin psikologjik, bazuar kjo në studimet e kryera. Një fëmijë që gënjen, në radhë të parë, duhet të njohë të vërtetën, pastaj të krijojë një realitet të ndryshëm nga ç’ndodhi në të vërtetë dhe së fundmi ta paraqesë këtë “histori të sajuar” në mënyrë sa më të besueshme. Domethënë, duhet të pranojmë që gënjeshtra ka lidhje me inteligjencën.

Të gënjyerit te fëmijët “përsoset” me kalimin e kohës

Në moshën 3-4 vjeç fëmijët gënjejnë që të mënjanojnë dënimin, por një fëmijë që shkon në shkollë e “përsos” gënjeshtrën si rrugë për të fituar popullaritet te shokët dhe për të përballuar deri-diku presionin e prindërve, që të “mbijetojë” gjatë fazave të zhvillimit fizik dhe psikologjik. Gjatë një “mini survey” që bëra me dy grupe nxënësish, parashkollorët gënjejnë, por s’japin arsye pse. Arsyen e kuptojmë ne vetë, prindërit dhe edukatoret. Ata duan t’i shpëtojnë situatës. Ndërkohë, kur pyeta një grup nxënësish në klasë të katërt se përse gënjejnë, përgjigjja ishte shumë më koshiente. Pjesa më e madhe u përgjigj se donin të mos dënoheshin dhe vetëm një nxënës tha se gënjente sepse ishte mësuar. Pjesë e këtyre gënjeshtrave që ne zakonisht i dënojmë, janë dhe të ashtuquajturat “gënjeshtrat e bardha”. Ato përdoren kur duam që dikush të ndihet mirë. Kur ne bëjmë një kompliment, ndërkohë që mbase nuk meritohet nga bashkëbiseduesi, ne gënjejmë, por këtë e bëjmë që personi në fjalë të ndihet mirë.

Nuk duhet të harrojmë që fëmijët mësojnë dhe nga ne. Fëmijët i shohin prindërit që përdorin gënjeshtrën aty-këtu shumicën e rasteve për të “zbutur” marrëdhëniet sociale. Çfarë prindërit dhe edukatoret duhet të bëjnë, është që të flasin sa më shumë për të mirat e të treguarit të vërtetën, ashtu siç duhen theksuar pasojat e të gënjyerit. Megjithatë, siç thamë dhe më sipër, gënjeshtra është pjesë e krijimit të lidhjeve sociale të çdo njeriu. Nuk është tabu dhe as përrallë; ne e përjetojmë gënjeshtrën çdo ditë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top