Fëmijët gjithmonë mund t’i befasojnë prindërit me sjellje të papritura. Ata ndonjëherë e kanë të vështirë të vlerësojnë fëmijën e tyre nëse janë hiperaktivë apo të përkëdhelur?
Ekzistojnë mendime të ndryshme për shkaktarët e shfaqjes së këtij çrregullimi, i cili duhet vështruar nga ana mjekësore dhe terapeutike, sepse kjo gjendje nuk është kaluese.
Vetëm me bashkëpunim me psikiatrit dhe me psikologët e shkollës arrihet shërimi i fëmijëve të tillë.
Këta fëmijë janë hiperaktivë dhe kanë mungesë përqendrimi, kohëzgjatjen e përqendrimit e kanë të limituar, janë shumë të ndjeshëm nga bezdisje të vogla mjedisore, meditojnë për diçka tjetër, duke parë drejt tabelës së klasës ose duke të parë në sy. Ata e kanë të pamundur të rrinë në një vend dhe të dëgjojnë me qetësi.
Ata lëvizin sa majtas-djathtas të shpërqendruar, pa asnjë qëllim. Fëmijët hiperaktivë janë këmbëngulës dhe i mbrojnë idetë e tyre, nuk kujdesen për sendet e tyre, shpeshherë humbasin diçka. Megjithëse mund të kenë inteligjencë normale, nuk janë të suksesshëm në mësime. Fëmijët hiperaktivë arrijnë kulmin e shpërqendrimit të tyre në moshën 7-8 vjeç. Duke filluar nga mosha 9 vjeç, dalëngadalë ndërgjegjësohen dhe fillojnë të tërhiqen nga lëvizjet e tepërta, por, tashmë, të qenit i shpërqendruar dhe i hallakatur, është një pjesë e karakterit të tyre, që vazhdon gjatë gjithë jetës.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.