“Nuk dua të martohem…!” Për Lean martesa është dhunë, skllavëri, burgosje. Kjo është çfarë ka përjetuar nga babai i saj, ajo dhe e ëma. Frikë, dhunë, kërcënim derisa një ditë vendosën t’i japin fund, duke e denoncuar në polici. Por Lea nuk është e vetme. Në të gjithë vendin, rezulton se 70 % e fëmijëve përjetojnë një formë dhune, të cilën nuk e raportojnë, por në heshtje kanë mësuar të bashkëjetojnë.
Prindër që deklarojnë se dhuna është formë disiplinimi, fëmijë të neglizhuar që përballen me të gjitha format e dhunës, fëmijë që dhunojnë njëri-tjetrin, apo mësues e kujdestarë që përmes dhunës kërkojnë të sjellin edukimin. Duhet të marrë fund… Janë fëmijët që kërkojnë të rriten me dashuri, përkujdesje, me dritë.
Një udhëtim i shkurtër i 7 fëmijëve që na kujtojnë se vetëm dashuria dhe mbështetja e çdo njërit prej nesh, mund të na çojë drejt fundit të dhunës dhe lindjes së dashurisë.
70% e fëmijëve pësojnë një formë të dhunës fizike apo psikologjike gjatë vitit.
56% e fëmijëve raportojnë se nuk ndihen gjithnjë të sigurt në ambientet e shkollës.
67% e të rinjve raportojnë se nuk e konsiderojnë lagjen si një vend gjithmonë të sigurt.
39.7% e prindërve raportojnë se i kanë neglizhuar në ndonjë mënyrë fëmijët e tyre.
29.4% e fëmijëve raportojnë se punojnë për të siguruar para për familjen e tyre.
80% e prindërve kanë raportuar se e kanë përdorur dhunën për të disiplinuar fëmijët e tyre.
1 në 2 fëmijë raportojnë se jo gjithmonë mund t’i zgjidhin konfliktet apo mosmarrëveshjet pa përdorur dhunën.
Burimi / www.worldvision.al
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.