Mirëqenie

September 5, 2019 | 8:30

Fëmijët kanë nevojë të shoqërohen

Fëmijët lindin për të ndenjur bashkë me të tjerët, sepse “qeniet njerëzore janë kafshë sociale” | ARISTOTELI

Menjëherë pas lindjes, reagimi i parë është padyshim çorientimi, duke qenë se pas nëntë muajve të jetuara në një ambient ideal, mbrojtës dhe të sigurt, të sapolindurit gjenden të katapultuar në një ambient krejtësisht të ri, që duket një kënd lojërash, plot me drita, tinguj e zhurma.

Me t’u kaluar muajt e parë, bëhet menjëherë e dukshme nevoja dhe kërkimi nga ana e të vegjëlve për të ndërvepruar me botën jashtë dhe sidomos shtysa për të kërkuar fëmijë të tjerë. E keni parasysh një fëmijë të vogël kur sheh fëmijë të tjerë? I shkëlqen fytyra, fillon të lëvizë këmbë e duar, e ndjek ngado me shikim… Kjo shtysë drejt të tjerëve, sidomos fëmijëve, rritet me kalimin e muajve, derisa shndërrohet në kërkesa më të qarta: “bebi”, “loja”…

Përse është e rëndësishme të shoqërohen?

Të gjithë ne jetojmë në një kontekst social dhe kulturor dhe çdo ditë përballemi me njerëz të tjerë; kjo kërkon përfitimin e për pasojë edhe përdorimin e aftësive dhe kompetencave të ndryshme sociale në marrëdhënie me të tjerët. Aftësitë sociale nuk janë të lindura; përfitohen përgjatë viteve nëpërmjet mësimeve, si të prindërve dhe të edukatorëve, ashtu dhe falë përvojave të jetuara personalisht dhe drejtpërdrejt.

Dhe është e rëndësishme të fillosh menjëherë, sepse shtysa drejt së jashtmes, siç e përmendëm edhe më sipër, është e lindur dhe e natyrshme, dhe sepse për të zhvilluar aftësinë e përshtatjes dhe të shoqërizimit, fëmijët kanë nevojë të bëjnë “palestër” në këtë fushë. Në fund, të tjerët janë stimuli dhe motivi i rritjes personale. Fëmijët janë shumë më interesantë se sa të rriturit në sytë e një fëmije, sepse shihen si më të ngjashëm, ashtu dhe sepse kanë një përqasje ndaj gjërave dhe ndaj lojërave më pranë tyre, përveç se edhe një disponibilitet më të madh ndaj lojërave. Fëmijët përbëjnë edhe një pasqyrë me të cilën të krahasohen, që është burim mësimi dhe imitimi.

Si t’i shtyni të shoqërohen?

Shkolla (çerdhja, kopshti, shkolla fillore) përfaqëson pa dyshim një palestër të shkëlqyer sociale, ose më mirë një rast për të mësuar për të ndenjur me fëmijët e tjerë, përveç se për të mësuar aktivitete dhe lojëra edukative. Kush ka vëllezër dhe motra, pa dyshim është i zhdërvjellët nga ky këndvështrim, duke qenë se mund të bëjë një stërvitje marrëdhënieje çdo ditë dhe kushdo që ka shumë fëmijë, e vëren dukshëm se si fëmija i dytë apo i tretë është zakonisht më i parakohshëm në zhvillimin në përgjithësi, por edhe atë social, duke qenë se është i rrethuar dhe i stimuluar nga motrat dhe vëllezërit më të mëdhenj.

Me siguri mund të jetë e nevojshme të krijoni raste ku fëmija të mund të qëndrojë me fëmijë të tjerë e për rrjedhojë të luajë dhe të lidhet edhe me të tjerët, që nuk janë vetëm dhe domosdoshmërish të rritur. Kjo gjë mund të ndodhë si duke frekuentuar ambiente ku ai mund të takojë fëmijë të tjerë (parqe, kënde lojërash), ashtu edhe duke krijuar situata shoqërizimi me miqtë, të afërmit apo të njohurit që kanë fëmijë të vegjël.

Fëmijët ia dalin të shoqërohen lehtësisht me moshatarët e tyre, që nuk kanë të gjitha mbingarkesat mendore që i pengojnë të rriturit t’i flasin dikujt apo të shkëmbejnë një buzëqeshje me atë që u qëndron pranë. Ndaj, nëse një pasdite ka luajtur në park me një tjetër fëmijë, ai menjëherë shndërrohet në ‘shokun e parkut’. Pa dyshim, ndërtimi i një miqësie të fortë e të qëndrueshme është një proces i vështirë dhe i mundimshëm edhe për ta. Proces që, si për të gjitha gjërat, duhet t’ia mësojmë dhe ta inkurajojmë.

Në moshën parashkollore, të vegjlit fillojnë të kuptojnë se ekziston një botë rreth e rrotull tyre, e përbërë nga fëmijë të ngjashëm me të, me të cilët, për kuriozitet është e natyrshme të afrohet e të luajë. Në kopsht, fillojnë të formohen miqësitë e para, shoqja ose shoku i zemrës, shoku i përsosur. Shumë larg hipotezës për të ndërtuar miqësi afatgjata, fëmijët kuptojnë mbi mundësinë për të ndarë përvoja pozitive me të tjerët dhe e provojnë në kurrizin e tyre përvojën e moskuptimeve, grindjeve, inatit.

Por zgjedhjet e vërteta bëhen në moshën e shkollës, kur fëmijët vendosin në pavarësi dhe me vetëdije se me kë duan të ndajnë ditët e tyre, kohën në shkollë dhe kohën e lirë. Në këtë fazë është e nevojshme që mami dhe babi ta ndihmojnë fëmijën dhe ta inkurajojnë për zgjedhjet shoqërore, duke i ftuar shokët e klasës në shtëpi, duke organizuar shëtitje në grup, duke u bërë ndërmjetës mes fëmijëve dhe shokëve të tyre. Gjithmonë në këtë moment, është e rëndësishme që prindërit t’u mësojnë fëmijëve se cilësia e një miqësie vlen më shumë se sa numri i miqve që kanë dhe se miqësia duhet kultivuar çdo ditë.

Po a duhet që prindërit të ndërhyjnë në miqësitë e fëmijëve të tyre? Edhe po, edhe jo. Prindërit janë të rëndësishëm, sepse mund të kontribuojnë për të lehtësuar marrëdhëniet mes fëmijëve. Por duhet gjithmonë të kenë parasysh dy gjëra:

  • Të ndihmojnë fëmijët të lidhen me njëri-tjetrin nuk do të thotë të zëvendësojnë fëmijët. Shtysa për të takuar shokun apo shoqen, për ta ftuar për drekë apo për darkë, për t’u takuar jashtë shkollës duhet të vijë gjithmonë nga fëmija.
  • Prindërit duhet të kontrollojnë që fëmija nuk po shtypet nga personaliteti i shokut dhe se është i aftë, edhe duke ndarë gjërat, të ruajë pavarësinë e mendimit dhe veprimit. Kjo është thelbësore në adoleshencë.

Fëmijët që të vegjël kanë të zhvilluar pavarësinë e sjelljes dhe një siguri marrëdhënieje, që, gjithsesi, i bën që të vendosin gjithmonë me mendjen e tyre mbi mënyrën se si duhet të sillen, në adoleshencë vështirë se do të përfshihen nga ‘miqësitë e këqija’.

 

 

Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 140

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top