Në fokus

April 3, 2018 | 12:46

Fëmijët nuk mësojnë më shpejt se të rriturit

Franca vendos arsimin e detyrueshëm për trevjeçarët. Por a është ky fillim i hershëm vërtetë më i mirë për fëmijët? Dhe a mësojnë ata më shpejt se të rriturit?

Fati i Francës varet nga sistemi arsimor, thotë Presidenti Macron. Prandaj duke nisur nga muaji shtator arsimi parashkollor do të jetë i detyrueshme për të gjithë fëmijët. Në vend që detyrimi shkollor të nisë nga mosha gjashtë vjeçare, fëmijët francezë duhet të shkojnë tani në shkollë që nga mosha tre vjeçare. Sistemi parashkollor është mjaft i preferuar në Francë dhe rreth 97% e të gjithë fëmijëve marrin pjesë në të edhe pa detyrim.

Megjithatë për shkak se presidenti Macron ka frikë se 3% që nuk shkojnë janë kryesisht fëmijë nga familjet e pafavorizuara, sistemi parashkollor do të bëhet i detyrueshëm dhe duke nisur nga muaji shtator edhe ushqimi në shkolla do të jetë falas.

Avantazh për Francën, por mirë edhe për fëmijët?

Ndoshta arsimi i hershëm me detyrueshëm është një avantazh për Francën, por a është i mirë edhe për fëmijët? Jo, thotë prof. Brigitte Rollett, sepse fëmijët nuk mund të mësojnë kaq shpejt sa të rriturit. Sidomos tek trevjeçarët nuk janë zhvilluar mirë të gjitha sektorët e trurit, si p.sh. dallimi majtas-djathtas.

Kjo vlen edhe për gjuhët, sepse në tru ka dy qendra për gjuhën lidhja mes të cilave bëhet e qëndrueshme me kalimin e kohës. E vetmja gjë që fëmijët e mësojnë më mirë dhe më shpejt se të rriturit, thotë psikologia Brigitte Rollett është shqiptimi i saktë. Kur fëmijët mësojnë një gjuhë të huaj, ata tingëllojnë shpesh si ta kenë gjuhën e nënës, ndërsa për të rriturit kjo është më e vështirë. 

Njeriu mund të mësojë në çdo moshë

Eksperimentet neurologjike kanë treguar se truri i njeriut mund të zhvillohet dhe njerëzit mund të mësojnë në çdo moshë. P.sh. tek shoferët e taksive në Londër neurologët konstatuan në vitin 2011 se pas katër vjetësh në profesion zona e e tyre e trurit përgjegjëse për orientimin ishte më e madhe se sa ajo e qytetarëve të zakonshëm. Pra nevoja dhe stërvitja e vazhdueshme për t’u orientuar në rrugët e Londrës çoi në një ndryshim të strukturës së trurit të shoferëve të taksive. Ky është një zbulim tepër i rëndësishëm, sepse tregoi se edhe të rriturit mund të mësojnë.

Në kopsht po, por në bankat e shkollës ….  

Sipas psikologes Brigitte Rollett kopshti është shumë i rëndësishëm për fëmijët, sepse ata mësojnë aty aftësi si të sillen në shoqëri dhe si të kooperojnë. Po ashtu shumë mirë është që ata të mësojnë përmes lojërave edhe si të numërojnë apo të shkruajnë dhe të lexojnë. Por këto duhen bërë në përgjigje të moshës.

Nga ana tjetër në qoftë se fëmijët i detyron tepër herët, pra para moshës 6-vjeçare, që të fillojnë të mësojnë me strukturë dhe t’u kërkosh llogari në bankat e shkollës, ata mund të humbasin motivimin dhe të ndihen të mbingarkuar. Fëmijët janë tepër të ndryshëm. Ka të tillë që dinë të mbledhin e të zbresin që në moshën 3-vjeçare, por ka të tjerë që në këtë moshë fillojnë të mësojnë dallimin shumë dhe pak.

Burimi / http://www.dw.com

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top