Në fokus

May 23, 2016 | 9:57

Femra të reja edhe pas të 40-ve

Nga Elona Kormaku Psikologe Klinike

Nga Elona Kormaku
Psikologe Klinike

 Një arsye thelbësore se pse femrat priren të jenë gjithnjë të bukura e të kuruara estetikisht është edhe frika e humbjes së vlerave të mëparshme.

Si ka ndryshuar koncepti për bukurinë femërore?

Për dekada me rradhë gratë që kalonin moshën e rinisë së hershme (25-30 vjeç), në mënyrë automatike nuk konsideroheshin më tërheqëse nga shoqëria. Ky perceptim i vjetër, që një femër mbi dyzet vjeç nuk është tërheqëse dhe për t’u admiruar fizikisht, pra ajo duhej të mos i kishe kaluar të tridhjetat, sot ka ndryshuar. Femrat televizive kanë dhënë shembullin për ta kapërcyer barrierën e moshës duke u kujdesur për veten, duke i përdorur potencialet e tyre për të qëndruar akoma të bukura dhe të reja. Në ditët e sotme vlerësimi për femrën nuk mjaftohet vetëm me bukurinë fizike, e cila shfaqej dhe tërhiqej nga sytë e të tjerëve atëherë kur ajo ishte e re dhe nuk kishte nevoja të sforcuara për t’u paraqitur tërheqëse. Sot, mjafton të jesh e realizuar, me personalitet, e mençur dhe interesi për ty nuk humbet, ndonëse vitet e jetës kalojnë.

Përse femrat dëshirojnë të ngjajnë përherë e më të reja “Përse feminiliteti dhe bukuria nuk mund të konceptohen të ndara nga njëra-tjetra?”, – ngre pyetjen psikoanalistja Hana Rottman. Ndoshta sepse ndryshe nga kafshët, njerëzit, që janë qenie sociale, dhe kryesisht femrat, janë të prirura për t’u shfaqur të bukura e gjithnjë të reja – shprehet ajo. Antropologu Bruno Remaury shpjegon se për femrat “detyra për të qenë të bukura” është gjithnjë e pranishme. Kur një femër qëndron para pasqyrës, është njësoj si të marrë gjykimin nga tjetri për atë çka ajo përfaqëson si individ. Një arsye thelbësore se pse femrat priren të jenë gjithnjë të bukura e të kuruara estetikisht është edhe frika e humbjes së vlerave të mëparshme. Këto vlera lidhen me paraqitjen fizike, sa tërheqëse është ajo në sytë e një mashkulli. Jo vetëm në takimet e para, por edhe pas shumë vitesh, atëherë kur kërcënimi i humbjes së interesit nga seksi tjetër ndihet edhe më shumë. “Është e pamundur të harrojmë se bukuria është e lidhur ngushtë me seksualitetin”, – thotë psikoanalistja. Disa arsye pse femrat përpiqen të duken gjithnjë e më të reja:

-Një femër është e vetëdijshme se një mashkull është i tërhequr nga femrat e reja, me forma fizike të admirueshme, të bukura dhe të freskëta.

-Një grua kur vendoset në një lidhje të qëndrueshme në çift reflekton për vitet që kalojnë dhe sheh ndryshimet e mëdha në paraqitjen e saj, në shtimin në peshë, në rrudhat që fillojnë dhe evidentohen nga viti në vit, në shterimin e fuqive etj.

Ky ndryshim i dukshëm është i dhimbshëm për këdo dhe menjëherë rriten pritshmëritë se do të humbasë admirimin fizik dhe shpirtëror të partnerit. Meshkujt i preferojnë femrat e reja sepse:

-Femrat e reja janë më origjinale (në sjellje dhe në dukje), të reja, të shkujdesura, spontane dhe të pangarkuara me përgjegjësi.

-Femrat e reja kanë tendencën t’i mbajnë flokët e tyre të gjatë dhe natyralë, të cilët janë të pëlqyeshëm përgjithësisht nga meshkujt.

-Femrat e mëdha në moshë priren të jenë më të stresuara nga angazhimet jetësore, të mërzitshme e serioze dhe në këtë mënyrë humbasin freskinë dhe rininë e tyre. Në një moment të tillë kyç, një kategori femrash me vullnet dhe vlerësim për veten nuk dorëzohen përballë ligjeve të jetës. Vitet kalojnë, por koncepti i tyre për moshën është një çështje e mendjes. Rinia nuk varet nga mosha, ajo shfaqet në mënyrën se si femra reagon ndaj saj. Rinia është e ndërtuar në bazë të vlerave dhe besimeve tona. Ka shumë vajza 18-vjeçare që duken e reagojnë si gra 40-vjeçare dhe mund të shohim gra të bukura mbi 40 vjeç që janë të paraqitshme dhe sillen si vajza të reja.

Ndikimet e jashtme për këtë prirje femërore:

-Një fenomen të tillë e shpjegojnë akoma më mirë edhe zbulimet e mjekësisë moderne në lidhje me praktikimin e kirurgjisë plastike në eliminimin e rrudhave, heqjen e kilogramëve të tepërt, që na japin mundësinë të vishemi me rrobat e një 20-vjeçare, të përdorim ngjyra ekstravagante, pse jo edhe në flokë.

-Jeta e sotme moderne është e prirur ndaj së bukurës dhe estetikës. Modelet e ofruara në media, rrethi shoqëror në ambientet e punës, konkurrenca për të qenë të vlerësuar dhe të pëlqyer nga të tjerët.

-Presioni i jashtëm ka ndikim rrënjësor në atë që ne jemi për të tjerët. Opinionet e jashtme luajnë një rol të rëndësishëm në besimin dhe vlerësimin tonë.

-Por edhe presioni i brendshëm që na ndjek kudo, mendimi ynë për veten. Nëse e ndjejmë se nuk jemi më tërheqëse sa më parë, vuajmë dhe gjejmë forma të ndryshme zgjidhjeje, e cila lidhet kryesisht me kujdesin tonë fizik.

Feminiliteti, suksesi i një rinie të përjetshme

Tërheqja fizike ndaj një femre është shumë e rëndësishme, pavarësisht moshës së saj. Kjo është një arsye që mund të shpjegojë se pse disa femra i rezistojnë kohës me bukurinë dhe elegancën e tyre. Feminiliteti nuk njeh moshë. Meshkujt e adhurojnë feminilitetin te një femër. Shumëkush mendon se feminiliteti është një koncept i gjerë dhe i ndryshëm në mënyrën se si njerëzit e perceptojnë atë. Feminiliteti për disa nuk lidhet me të qenit bionde, brune e gjatë apo e hollë. Janë disa faktorë të tjerë, të cilët, të gërshetuar së bashku, të bëjnë femërore. Mënyra se si ecën, si lëviz duart, si flet dhe mimika e grimasa të fytyrës, pavarësisht mënyrës se si je veshur. Një sociologe italiane shpjegon se brezat e viteve të fundit janë të varur nga publicitetet televizive, që tentojnë t’i “veshin” femrat 40-50-vjeçare si adoleshente, i nxisin të hanë kujdesshëm për të mos shtuar në peshë etj. Një studiues tjetër nënvizon se koha e shekullit të XXI ka sjellë edhe zgjatjen e viteve të jetës te njerëzit në raport me jetëgjatësinë e mëparshme. Kjo ka sjellë dhe përshtatjen e sjelljeve të të rinjve tek ata, pavarësisht viteve që kalojnë. Sot i kushtohet më shumë vëmendje cilësisë së jetës, moshës dhe kurimit të trupit së brendshmi, por edhe së jashtmi. Për aq kohë sa një femër qëndron femërore dhe elegante në sjellje e paraqitje dhe nuk i dorëzohet kalimit të viteve, ajo nuk do të ketë problemet që vijnë nga mosha biologjike. Pasojat e moshës nuk do ta pengojnë ecurinë e marrëdhënies në çift, në shoqëri dhe me veten.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top