Në fokus

March 25, 2017 | 19:54

Femrat apo meshkujt, kush komunikon më mirë?

Debati nëse femrat dhe meshkujt komunikojnë në mënyra të ndryshme, ka nisur shekuj më parë në dialogët mes Sokratit dhe Platonit në veprën “Republika”, të këtij të fundit. Mjaft interesant vjen fakti se induksioni sokratik, sipas të cilit ndryshimi mes femrave dhe meshkujve nis pikësëpari në ndërtimin e trurit të tyre, rimerret sërish si provë bindëse në teoritë shkencore të shekullit të njëzetë, të cilat nuk bëjnë gjë tjetër veçse zgjerojnë me të dhëna të sakta shkencore, hipotezën e hedhur në lashtësi nga filozofi grek.

Nga Blerina Memaj, psikologe

1

Kështu psikologia amerikane, në Universitetin e Ohajos, Amber Hensley rendit dhjetë shkaqe të komunikimit ndryshe mes femrave dhe meshkujve, ku ne do të ndalemi vetëm te kryeshkaku, në marrëdhëniet humane, për të cilat thuhet: “Gratë kanë tendencën për të komunikuar në mënyrë më efikase sesa meshkujt, duke u fokusuar në krijimin e një zgjidhjeje për gjithë grupin, duke përdorur shenja si: toni, emocionet dhe ndjeshmëria, ndërsa burrat kanë tendencën të jenë më të orientuar drejt detyrave dhe çështjeve në një rreth më të ngushtë, duke qenë më të mbyllur në natyrë, e për pasojë më fjalëpakë”.[1]

Femrat paraqiten si natyra më të hapura ose ekstroverte, ndërsa meshkujt natyra më të tërhequra ose introverte.

Ky ndryshim mes tyre prek patjetër edhe mënyrën e të menduarit. Kur unë si femër kam një problem të madh me veten apo tjetrin, jam në gjendje ta bisedoj me një të afërm, shoqe, mikeshë, kolege, dhe duke dëgjuar më shumë se një mendim, jam në gjendje të gjej një rezultante të përgjithshme të veprimeve që dua të ndërmarr në lidhje me çështjet që më shqetësojnë. Njëkohësisht, duke qenë edhe më e ndjeshme në natyrën time femërore, problem i dikujt tjetër, do të më prekte më shpejt nga sa mund ta prekte tim shoq. Ndjeshmëria dhe emocionet bëhen shkak për veprim në rregullimin e situatës. Jo se tim shoq nuk do ta prekte problem i dikujt tjetër, por si mashkull, duke qenë më pak emotiv në krahasim me mua, veprimi i tij do të vinte në një kohë më pak të vonshme. Si rezultat mund të themi se, femrat janë praktikisht më aktive se sa meshkujt.

Çdo veprim realizohet përmes komunkimit.

Komunikimet janë baza e ndërlidhjes mes dy njerëzve e më tej grupeve shoqërore. Prakticiteti i veprimit e bën një femër më komunikuese dhe është kjo ndoshta arsyeja që në pjesën më të madhe të OJF-ve që kanë në fokus problemet sociale, këshillueset më të mira janë të gjinisë femërore, ndërsa idetë dhe ligjet formulohen më tepër nga gjinia mashkullore, pasi këta të fundit janë më shumë ideorë sesa emocionalë. Këto ndryshime mes gjinive nuk krijojnë aspak binomin veprues dhe ideues, por përkundrazi, formësojnë konceptin e femrës më tepër vepruese se sa ideuese dhe meshkujve si më tepër ideatorë sesa veprues.

Një tjetër realitet mjaft thelbësor është grupi social të cilit i përket një femër apo një mashkull.

Në një grup social realizohen pjesë të vetvetes, pasurohet vetëdija njerëzore, shmanget vetmia, vihen në provë vlerat, qëndresat dhe individualiteti njerëzor. Mirëpo, në anën tjetër, të qenit anëtar i një grupi social kufizon lirinë personale, të mendimit e të vetëveprimit, pra liria e individit është e kushtëzuar nga liria e grupit.[2] Psikologjia sociale ndikon me një sërë faktorësh, në formimin e sjelljes dhe të personalitetit të individit. Çdo ditë, individi është i “bombarduar” nga informacione dhe ngjarje, të cilat dashur pa dashur kushtëzojnë sjelljen dhe ndërtojnë te ne personin e “dytë”, ose si e përcakton Zh. Pol Sartri “unin social”. Ky “unë social”, i strukturuar nga qëndrimet e një grupi shoqëror, apo mendësi të grupeve ku bëjmë pjesë është një deformim i kushtëzuar, po njëherazi edhe i ndërgjegjshëm, i plotësuar me vetëdijen e plotë të gjithsecilit prej nesh. Njeriu nuk lind ai që është pasi vijmë në jetë si individë dhe gjatë jetës marrim role.[3] Në procesin e edukimit, ne fitojmë besime, kultura dialoguese e monologuese, kundërshtime, pranime, bindje, qëndrimet, e mbi të gjitha, pozitivitetin dhe negativitetin. Fitojmë atë ç’ka është më e rëndësishme dhe duhet vënë theksi te qëndrimet subjektive që mbajmë në rrethana të ndryshme rastësore. Qëndrime të komanduara në fund të fundit nga vetë ne. Faktorë të tillë do të ishin të panumërt, por ne do të ndalemi në këtë punim në disa prej tyre. Faktor të brendshëm do të rendisnim si më parësor mentalitetin, ndërsa në faktorët e jashtëm do të rendisnim personalitetin, karakterin dhe temperamentin.

Femrat dhe meshkujt komunikojnë ndryshe në shoqëri dhe kultura të ndryshme.

Grupet sociale kanë mentalitete të përafërta ose mjaft të baraslarguara, duke kaluar nga një rajon në tjetrin. Në shoqëritë ku të drejtat mes meshkujve dhe femrave janë të barabarta, edhe komunikimi mes dy gjinive vjen mjaft dialogues, ndërsa në shoqëritë me mentalitet të prapambetur, ku ka një prirje mbizotëruese të gjinisë mashkullore në çdo fushë të jetës, komunikimi jo vetëm që nuk është më dialogues, por ka raste kur epërsia e mendimit mashkullor, e lë në hije mendimin femëror, duke mos realizuar veçse komunikim të njëanshëm.

Sipas Erik Fromit, njeriu mund të ketë mbarësi vetëm në shoqëri. Egoizmi është mënyrë e rrezikshme dhe afatshkurtër për të ndihmuar veten. Njeriu nuk mund t’i ndajë interesat e veta të vërteta nga interesat e shoqërisë. Ai mund ta ndihmojë veten vetëm duke ndihmuar shoqërinë.[4] Fromi sjell rastet kur shoqëria i kryen të gjitha funksionet e lartpërmendura, por në realitetin shqiptar ka raste kur grupi social kufizon lirinë personale deri në shkallën e skllavërimit, të mendimit e të vetëveprimit. Në Shqipëri, periudha e tranzicionit ka ndikuar negativisht në integrimin e gruas në tregun e punës. Faktorët që kanë çuar në një situatë të tillë janë të shumtë, ndër të cilët mund të përmenden zhvillimi i ngadaltë ekonomik, ri-strukturimi i burimeve, mentalitet ekzistuese të trashëguara, pritshmëritë e shoqërisë për gratë dhe mungesa e vullnetit politik për të përfshirë gratë në vendimmarrje.[5]

2

Emancipimi i një shoqërie dhe i mentalitetit të saj hedh rrënjë me emancipimin e femrës. Në të kundërt procesi edukativ i individit vihet në rrezikshmëri të lartë dhe e ardhmja në pikëpyetje të panumërta që i lënë vend njëra-tjetrës. Një nënë që nuk mund të kuptojë dot në mënyrën e duhur fëmijën e saj, nuk mund ta edukojë dhe ndihmojë atë ashtu si duhet, duke i krijuar boshllëqe të mëdha në formimin e tij, ose duke qenë shkaktarja kryesore e një individi pa elementët e vërtetë qytetërues, të cilët ndikojnë drejtpërsëdrejti në ardhmërinë e familjes, e mandej shoqërisë.

Si përfundim, mund të themi se komunikimi ndryshe i femrave dhe i meshkujve, ku e ndryshmja e secilit, plotëson tjetrin, sjell emancipimin e një shoqërie, ndërsa e kundërta, komunikimet e realizuara vetëm brenda individëve të një gjinie, e çon këtë shoqëri drejt një mentaliteti aspak gjenerues.

 

Bibliografia

  1. Amber Hensley,10 Big Differences Between Men’s and Women’s Brains, Ohio University. http://www.mastersofhealthcare.com
    2. Erich From, Shoqëria e shëndoshë, Përkth Myfit Kushi, Shtëpia Botuese “Fan Noli”, Tiranë, 2012
    3.         Gruda A., Guxholli A., Filipi Gj. “ Barazia gjinore në procesin e integrimit europian, shifra dhe fakte”,
    Aleanca Gjinore për Zhvillim, Tiranë, 2008
    4.         Odise Çaçi, Filozofia e Edukimit, Shtëpia Botuese “Triptik”, Vlorë, 2008.
    5.         Platoni, Republika, Shtëpia Botuese “Zambaku”, Tiranë, 2013.
    6.         Robert Ezra Park, Race and culture, Glencoe, III.: The Free Press, 1950

[1] Amber Hensley, 10 Big Differences Between Men’s and Women’s Brains, Ohio University   http://www.mastersofhealthcare.com

[2] Odise Çaçi, Filozofia e Edukimit, Shtëpia Botuese “Triptik”, Vlorë, 2008, f.23.

[3] Robert Ezra Park, Race and culture, Glencoe, III.: The Free Press, 1950, f. 249.

[4] Erich From, Shoqëria e shëndoshë, Përkth Myfit Kushi, Shtëpia Botuese “Fan Noli”, Tiranë, 2012, f.314.

[5] Gruda A., Guxholli A., Filipi Gj. “ Barazia gjinore në procesin e integrimit europian, shifra dhe fakte”, Aleanca Gjinore për Zhvillim, Tiranë, 2008

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top