Psikofakt

January 13, 2017 | 13:40

Fenomeni i divorcit (shkurorëzimit) në shoqërinë shqiptare

Në shoqërinë shqiptare, tani në kohën moderne, divorci është bërë një nga dukuritë sociale me dimension të zgjeruar. Madje është shndërruar në një ndryshim në perceptimin social të tij, duke u konsideruar si gjë normale, e cila mund t’i ndodhë të gjithëve. Pra, ka ndodhur një ndryshim në mendimet e shqiptarëve sa i përket çështjes së shkurorëzimit si nga ana morale, po ashtu edhe ajo sociale. Divorci sot perceptohet ndryshe te shqiptarët.

Nga Ardiana Blakçori Sociologe

Nga Ardiana Blakçori Sociologe

Mentaliteti i shoqërisë shqiptare, në krahasim me vitet e mëparshme ka pësuar ndryshime sa i përket çështjes së divorcit, duke u nisur në perceptimin mbi femrat që më parë shiheshin me një sy krejtësisht ndryshe nëse janë shkurorëzuar. Krahasuar me vitet e fundit, shoqëria shqiptare akoma nuk ka mundur që ta shohë në të njëjtën pozitë si femrën po ashtu edhe mashkullin. Por, në një aspekt, sot femra është shumë më e lirë që të kërkojë divorc, në krahasim me disa vite më parë, duke mos përjashtuar faktin se, akoma femrat kanë pasoja sa i përket çështjes së shkurorëzimit në aspektin ekonomik dhe social.

Në ditët e sotme, ne jemi dëshmitarë të një numri të madh çiftesh të divorcuara nëpër botë. E njëjta gjë ka prekur edhe shoqërinë tonë, e cila kundrejt kësaj çështjeje, nuk ka pasur një shkallë kaq të lartë të numrit të çifteve të ndara, por sot, në shoqërinë tonë shqiptare, martesa nuk e ka më kuptimin që kishte dikur. Martesa në shoqërinë tonë po pëson ndryshime të thella shoqërore. Modernizimi që vijon si proces, po ia humb rolin martesës dhe, sa më moderne të bëhet shoqëria shqiptare, aq më shumë martesa do të bëhet një institucion problematik shoqëror.

Që të mundemi ta vlerësojmë martesën, ritmin e ndryshimeve të saj, duhet së pari të dimë atë që krijoi tipologjinë e re, duke shkatërruar tipologjinë e vjetër të martesës. Ky ndryshim i madh ka bërë që edhe shoqëria jonë të ndryshojë në mënyrë radikale martesën, duke filluar që nga organizimi i saj, e duke vazhduar deri te marrëdhëniet seksuale, të cilat në të kaluarën ishin të rregulluara me kanun ose fe.

Ndërsa sot ndodh e kundërta, marrëdhëniet seksuale pothuajse nuk janë të ndaluara. Ato janë mjaft të theksuara, madje edhe ato jashtë martesore, që çojnë deri tek tradhëtia bashkëshortore, e që më pas çojnë në divorce. Pra, martesa në shoqërinë tonë ka pësuar transformime të shumta në shumë aspekte, duke përfshirë këtu edhe familjen, si një strukturë ekzistenciale ekonomike. Nga këtu mund të nxjerrim përfundimin se, kushtet janë krijuar që të gjithë anëtarët e familjes të kenë një lidhje midis punës dhe pasurisë. Ndaj edhe martesa e ka humbur kuptimin e dikurshëm të saj, e cila është konsideruar si një institucion, që mban të bashkuar anëtarët e familjes dhe siguron mbijetesën për ta. Por, ajo që vlen të theksohet është se, në shoqërinë tonë martesa ka humbur kuptimin që kishte dikur, si një lidhje e shenjtë dhe e përjetshme midis dy njerëzve.

Në ditët e sotme, ajo po shihet si më e paqëndrueshme, e shoqëruar me konflikte të shumta, dhunën në familje, shkurorëzimin si dukuri masive. Pra, martesa në shoqërinë tonë është e kërcënuar që nga thelbi i ekzistencës së saj. Asaj i është kërcënuar intimiteti. Por, duke krahasuar shkallën e lartë të divorceve në shtetet perëndimore me shoqërinë tonë, atëherë do shohim se nuk kemi arritur një shkallë aq të lartë të divorceve, sikurse në perëndim, ngase femrat shqiptare e kanë akoma atë mentalitetin e krijuar më parë, mos t’i lërë fëmijët vetëm edhe përkundër presionit, dhunës, e shumë gjërave të tjera me të cilat ajo ballafaqohet.

Ne e dimë që deri në shekullin XX rregullimi i martesave është bërë me anë të së drejtës zakonore apo normave fetare në Shqipëri. Në Shqipërinë e pas Luftës së Dytë Botërore janë bërë ndryshime të shumta sa i përket rregullimit të çështjeve familjare e martesore. Ky ndryshim u bë në Deklaratën mbi të drejtat e qytetarëve në Berat, në tetor të 1944. Ishte kjo hera e parë ku u sanksionua e drejta e barabartë e gruas dhe burrit, në të gjitha aspektet e jetës dhe mbi të drejtat familjare. Gjithashtu me miratimin e Kushtetutës së vitit 1946, u hartua një ligj mbi shkurorëzimin, ku me anë të miratimit të këtij ligji synohej t’iu jepej fund të gjitha martesave të vdekura, të cilat ishin ligjërisht të pazgjidhshme. Kodi i parë, i cili u miratua mbi martesën ishte ai në vitin 1965, kurse kodi i dytë u miratua në qershor të vitit 1982, ky kod edhe sot vazhdon të jetë burim i së drejtës familjare. Transformimet e martesës nga njëra anë, shoqëria e modernizuar, femrat ekonomikisht të lira kanë bërë që sot martesa mos të ketë kuptimin e dikurshëm dhe të ketë një kontigjent të madh të çifteve të cilat kanë pasur divorc. Kanuni i Lekë Dukagjinit ishte njëri ndër sistemet kodifikuese për shoqërinë shqiptare në periudhat e më hershme, të cilin e kishte shkruar Shtjefan Gjeçovi. Kanuni i Lekë Dukagjinit, përmbante rregulla për shoqërinë shqiptare në atë kohë, madje me të pleqëroheshin të gjitha veprat e kryera nga njerëzit. Nuk bën që të përbuzet apo përqeshet ky kod, ngase në kohërat e mëhershme kishte pasur ndikimin e tij në popullsinë shqiptare, por duke mos anashkaluar edhe të metat e tij. Ky kanun kishte bërë rregulla, kishte vendosur dispozita e shumë gjëra të tjera që kishin të bënin me shoqërinë shqiptare, por edhe nga ana tjetër nuk duhet anashkaluar edhe fakti se i kishte lënë femrat aq të diskriminuara, të përulura. Me një fjalë, s’kishte asnjë të drejtë, ashtu siç duhej të respektohej femra dhe të drejtat e saj, pasi në fund të fundit edhe femra është njeri dhe meriton që të respektohet në mënyrë të barabartë, sikurse mashkulli.

Rregullat që vendoste Kanuni i Lekë Dukagjinit ishin gjithëpërfshirëse, për të gjitha sferat e jetës. Madje, në kanun janë vendosur edhe rregullat e fejesës, martesës, si duhen organizuar ato, çfarë të drejtash kishte burri mbi gruan, po ashtu edhe gruaja mbi burrin e shumë gjëra të tjera.

Tani do shtjellojmë temën mbi divorcin duke filluar nga ajo se si është organizuar fejesa sipas kanunit. Përcaktimi i fejesës bëhej nga shkuesi, sipas kanunit. Shkuesi përcaktohej nga familja e dhëndrit dhe ai paguhej 50 grosh. Ai kishte të drejtë që të përzihej tek të dy familjet deri në ditën e martesës. Ai bëhej fjalëmirë për të dy familjet, si të djalit ashtu edhe të vajzës. Për t’u fejuar dy persona sipas kanunit duhej të kishin parasysh 5 gjëra:

Të mos jetë gjak e gjini;

Të mos jetë i një fisi;

Të mos jetë mbesë fisi të djalit, që do me nxanë;

Të mos jetë gruaja e lëshume;

Të mos ketë kumari.”[1.Shtjefen Gjeçovi: “Kanuni i Lekë Dukagjinit”]

Kanuni nuk bënte fejesën, nëse njëra nga këto ndalime ishte e pranishme, edhe për 400 breza të tjerë. Nëse nuk kishte shkues atëherë nuk do të kishte fejesë, sepse nuse pa shkuesë nuk bahet, në kanun psh. nusja e grabitur. Sheji që i jepet për fejesë e martesë është unaza, e cila është e përbërë nga argjendi. Sheji nuk kthehet, nuk ndrrohet, pasi sheji i takon vajzës dhe shtëpisë së saj, nëse dalin fjalë të liga për vajzën e shtëpin e saj, atëherë shtëpisë së dhandurit i kanë borxh një gjak. Sipas kanunit djali ka të drejtë me lëshue vajzën. Dhe si thuhet në kanun kur ti teket djalit ai ka të drejtë më lëshue vajzën e zanë, dhe djalit i shqiptohet gjoba me para dhe shejin që ia ka dhënë vajzës. Djali para se ta lëshojë vajzën sipas kanunit, ai duhet ta lajmërojë shkuesin, ndërsa shkuesi me dy shokë të fshatit të djalit që e ka lëshue vajzën dhe dy shokë të fshatit të vajzës, në sy të katër këtyre duhet ti tregojë familjës së vajzës, se janë të lirë që ta jepin vajzën ku të dojnë ngase ajo është e lirë nga fejesa e mëparshme. Ndërsa vajza nën unazë nuk ka të drejtë që ta lëshojë apo ta prishë fejesën. Nëse ajo kishtë bërë ndonjë gjë të tillë ajo ishte mbeteje pamartuar për gjithë jetën e saj. Prindërit e saj janë të detyruar që t’ia kthejnë shtëpisë së djalit të gjitha dhuratat që ia ka dhuruar ai, deri edhe tek dhurata e fundit. Madje vajza që ka qenë e fejuar nëse ish i fejuari i saj nuk dëshiron që të heqë dorë nga ajo, ajo do të jetë e penguar për gjithë jetën e saj dhe nuk do kërkohet nga askush për grua, ngase ajo do të jetë e penguar dhe askush nuk dëshiron që ta merr në atë gjendje për grua, kurse djali ka të drejtë që të martohet dhe të krijojë familje. Nga ana tjetër sa i përket lëshimit apo shkurorëzimit nëse vdes dhëndri atëherë vajza është e liruar që të martohet, nëse dhëndri vdes pa e marrur nusen, atëherë sheji apo unaza dhe 10 grosh nga dhurata i takojnë nuses kurse të tjerat i takojnë të gjitha familjes së djalit. Nëse dhëndri vdes atë natë që është martuar, atëherë gjysma e shpërblimeve do i kthehet shtëpisë së dhandrit. Nëse dhandri vdes dy vjet pasi  është martuar, miku është i detyruar që dy pjesë të çmimit ti ndalë për vete kurse 1 pjesë të tij t’ia kthejë shtëpisë së dhandrit. Ndërsa nëse ai vdes në këto dy vite dhe lenë fëmijë mbas atëherë, miku nuk është i detyruar që ti kthejë diçka familjës së dhandrit. Nëse dhandri vdes pas 3 viteve prindërit e tij nuk kanë të drejtë që të marrin ndonjë gjë nga miku. Kurse nga ana tjetër nëse ka vdekur nusja pas 3 viteve, atëherë prindërit e saj kanë të drejtë që të marrin petkat apo rrobat e saj, por një palë petka duhet ti lënë në shtëpinë e burrit dhe arkën me dry. Kurse nëse vdes gruaja dhe ka lënë fëmijë, prindërit e saj nuk kanë të drejtë që të marrin gjërat, petkat e saj, përveç gjërat e fytit, sepse të tjerat mbesin në shtëpi të burrit.

Gruaja në kanun nuk ka të drejtë që të divorcohet nga burri, përveç atëherë kur është zënë burri i saj moralisht keq apo siç thuhet në kanun “prekja në seder”. Nëse gruaja nuk i shkon si duhet burrit, atëherë kanuni i jep leje që ai ta lëshojë. Nëse gruaja, lëshohet por nga dashamirët kërkohet që ajo të kthehet tek burri dhe nëse ajo pranon, atëherë ka të drejtë burri që ta kthejë përsëri atë. Gruaja kur martohet për dy punë e ka fishekun në krahëror kur del prej shtëpisë së babait: Për kurvëri dhe kur është prer miku në besë, dhe kur lëshohet gruaja ajo nuk ka të drejtë që të marrë ndonjë gjë nga burri. Nëse gruaja e lëshuar ka ndonjë fëmijë, burri ka të drejtë që ta caktojë një vend për ta ushqyer, veshur e mbathur fëmijën.

Në kanun po ashtu thuhet që nëse një burrë merr grua pa kurorë, atëherë ai burrë do të jetë i akuzuar si nga ana e fesë, si nga ana e kanunit. Ai i cili merr një grua të tillë i jepen këto ndëshkime : “Kanuja i jep këto ndëshkime burrit, që merr grue pa kunorë:

a) shpija i digjet e toka i jet djerr;

b) xieret prej vendit, e s`mund ta shklasë tokën e vet mje qi ta largojë e mbajtne pa kunorë;

c) në pasët fmi me grue të pakunorë, njehen të pa ligjë e prandej s`mund të bahen kurr perkaes(trashëgues).”[2. Shtjefen Gjeçovi: “Kanuni i Lekë Dukagjinit”]

Pra ky ishte një përshkrim i asaj që kishte ndodhur në traditën tonë shqiptare, i asaj se si ishte trajtuar divorci sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit. Sot kanuni nuk gjen një hapësirë të zbatimit të tij në praktik në shoqërinë tonë, ndoshta për këtë tregon fakti se shoqëria jonë ka pasur një avancim më të theksuar, në zhvillimin e disa fenomeneve shoqërore, ndër to po ashtu është edhe divorci.

Sot as familja nuk ka atë funksion që kishte dikur, dikur familja shqiptare ishte familje e zgjeruar dhe secili problem zgjidhej me ndihmën e gjithë familjes, kurse sot kjo ka ndryshuar dhe të rinjtë janë të pavarur. Nëse dikur femra shqiptare ishte mësuar që ti shërbejë burrit të saj dhe ta ruajë moralin dhe nderin, ajo sot nuk mësohet në atë mënyrë, ajo sot mësohet si të jetë e pavarur dhe të ketë një emancipim e jo ti cenohen të drejtat e saj kurdoherë dhe nga kushdo. Shoqëria sot është duke u ballafaquar me një sërë problemesh, që e kanë kapluar atë, duke mos anashkaluar edhe problemin e divorcit. Madje edhe shoqëria jonë kosovare ka pësuar një ngritje mjaft të madhe të të divorcuarve. Vitet e pasluftës ( pas 1999 ), janë këto vitet kur më së shumti është rritur numri i divorceve, në njërën anë emancipimi i femrës, kurse edhe në anën tjetër vetë prania ndërkombëtare ka bërë që në Kosovë të kemi një numër më të madh të kulturave të ndryshme të botës, me anë të të cilave është ndikuar në fenomenin e divorcit, si një ndër fenomenet në ngritje që shoqëria jonë është duke u ballafaquar sot.

Nuk duhet çuditemi sot që vendi jonë është duke u ballafaquar me një fenomen të tillë, ngase nuk jemi ne të vetmit që kemi ngritje të numrit të divorcit, por e gjithë bota është duke u përballuar me këtë çështje. Por ajo që neve duhet të na shqetësojë është fakti se fenomeni i divorcit ka pësuar një rritje shumë të shpejtë, duke u krahasuar me  kohërat e mëparshme, ne shumë thjeshtë mund të shohim se ishim një shoqëri e organizuar në mënyrë patriarkale, në atë kohë kur fenomeni divorc ishte shumë pak i përhapur ngase vetë shoqëria jonë udhëhiqej nga aspekti i dokeve, zakoneve, traditave që ishin të përhapura tek shqiptarët  jo vetëm me anë të aspektit kanunor por, kishim të shprehur edhe aspektin fetar apo religjioz, i cili kishte një ndikim të madh në shoqërinë tonë në përgjithësi dhe ky ndikim kryesisht shtrihej tek gjinia femërore.

Sot martesa më nuk ka ka atë kuptimin e shenjëtërisë sikur dikur, ku martesa konsiderohej si një ndër gjërat më të vlefshme për njeriun. Sot kemi një numër të madh të çifteve që vetëm janë duke bashkëjetuar, por jo edhe të kenë një martesë sidikur. Martesa sot ka bërë aq shumë transformime sa  nganjëherë ajo nuk të duket se është një lidhje dashurore midis dy personave.

Shpresoj që në të ardhmen të ketë një ulje të numrit të çifteve të divorcuara. Ndoshta jo vetëm shoqëria jonë, por gjithë bota të vetëdijsohet dhe të ndërrmarrë masa sa i përket këtij problemi. Shpresoj që familjet kosovare të kenë një koncept më të gjerë mbi familjën dhe të bëjnë të pamundurën që fenomeni i divorcit të pësojë ulje, pasi me një ritëm të tillë që ka  vetëm sa do të shtohet numri i parterëve që kanë pësuar divorc. Familjet duhet të kthejnë atë harmonin e dikurshme familjare, mirëkuptimin midis partnerëve dhe të kenë një respekt të ndërsjelltë midis tyre. Statusi social nuk duhet të jetë një ndër preukopimet e partnerëve në lidhjen e tyre, ngase vetë kjo gjë do të shkaktojë probleme, duhen lënë gjërat e tjera në njërën anë dhe të vazhdohet me respektimin e të drejtave nga ana e dy partnerëve, mos të ketë shkelje të lirive dhe të drejtave të tyre dhe vetëm atëherë do arrihet një mirëkuptim dhe respekt i ndërsjelltë midis tyre dhe e gjithë familja do jetojë në harmoni dhe nuk do ketë arsye që të shkohet deri tek konfliktet dhe martesa të përfundojë me divorc.

 

Botuar në/kosovalajm.net/

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top