Nga Orjona Tresa
Në natën e gjatë mes 22 dhe 23 Dhjetorit, ku u la pas e diela ndërsa e hëna u fut dukshëm, në Festivalin me numër 63 të Radio Televizionit Shqiptar vazhdonte gara. Pas dëgjimit të 15 këngëve garuese, mysafirëve dhe fjalës së drejtoreshës artistike të festivalit, Elhaida Dani, kureshtja u bë e madhe për të mësuar fituesin përmes pikëve të jurisë, votave elektronike të diasporës dhe mesazheve telefonike.
Me Ornela Bregun dhe Enkel Demin, të dy figura të dashura për publikun, që e mbajtën atmosferën të ngrohtë dhe me humor, pritëm me padurim renditjen që do të përcaktonte fituesin për në Eurovizion 2025.
Si çdo vit, Festivali i RTSH ka sjellë prurje muzikore të jashtëzakonshme, që mbulojnë një gamë të gjerë stilesh e rrymash. Por, si gjithmonë, kjo atmosferë ka ardhur edhe me zhgënjime të përsëritura, të cilat kanë ndikuar negativisht në imazhin e Festivalit, dhe kanë nxitur kritika, duke sjellë ndjenja të pakënaqësisë në mesin e atyre që e ndjekin ngjarjen me shumë vëmendje. Një shembull i dukshëm është përfaqësimi në Eurovizion, ku jo gjithmonë kemi parë përfaqësues që arrijnë të reflektojnë nivelin e duhur në një ngjarje kaq prestigjioze.
Kënga përfaqësuese e Shqipërisë shpesh nuk është kualifikuar për natën finale. E vetmja që ka ka kapur vendin më të mirë në renditje është Rona Nishliu, e cila me këngën “Suus” u bë përfaqësuesja e Shqipërisë me rezultatin më të lartë në Festivalin Evropian të Këngës 2012, Eurovision, në Baku, Azerbajxhan.
Interpretimi dhe melodia e fuqishme e bënë të njohur këngëtaren për vokalin e mrekullueshëm dhe dinamikën e saj të veçantë. “Suus” u rendit në vendin e 5-të në finales së Eurovizion 2012, një arritje e shkëlqyer për Shqipërinë, ndërsa ka vazhduar të performohet dhe të pëlqehet në shumë spektakle dhe ngjarje të tjera muzikore, duke u konsideruar një “hit”.
Për t’u rikthyer tek Festivali i RTSH-së, dhe duke pasur parasysh pasionin që kam për muzikën, mund të them se kemi konkurrentë po aq të denjë sa Rona Nishliu, të cilët mund ta përfaqësojnë Shqipërinë me dinjitet. Megjithatë, as në këtë edicion të Fest ’63 nuk ndodhi diçka e tillë. Një nga shembujt më të diskutuar ishte përpjekja e Mal Retkocerit, një kantautor i ri me të ardhme.
Zëri i tij, kompozimi, rrymat muzikore që ai eksploron, performanca artistike dhe kurimi i imazhit janë të gjitha elementë që e bëjnë të veçantë. Për mendimin tim, ai duhej të kishte fituar edhe këtë vit, jo si në Fest ’62, kur pasi ia dhanë çmimin, ia hoqën për shkak të disa formulave të votimit, që na nxorrën një fitues për “shtëpi” dhe një tjetër për Eurovizionin.
Megjithatë, muzika e mirë mbetet e paharrueshme. Ajo vazhdon të dëgjohet pa u lodhur dhe nuk ka vit që ta zbehë. Për shembull, kënga “Dashuri në përjetësi” e Rezarta Smaja dhe Klodian Kaçanit, pjesëmarrëse në Fest ’55, është një këngë që nuk mund të ndaloj së dëgjuari. Ajo është një himn për dashurinë. Po ashtu, ka shumë këngë të tjera që e kanë bërë të njëjtën gjë.
Duke u rikthyer tek artistët dhe këngët e festivalit të fundit, grupi “Shkodra Elektronike” ka realizuar një paraqitje të jashtëzakonshme, me një performancë shumëdimensionale, duke sjellë një shtresë të re muzikore dhe një interpretim tërheqës. Në këtë listë do të rendisja gjithashtu Lorenc Hasramën me këngën “Frymë”, e cila më preku thellësisht për përmbajtjen dhe interpretimin me shpirt, Alisin me “Mall”, Vesa Smolicën me “Lutem”, Jetin me “Gjallë” dhe shumë të tjerë.
Megjithatë, Festivali i RTSH shpalli edhe këtë vit fituesin e tij në mënyrën e vet, ku çmimi i parë shkoi për këngën “Zjerm” të grupit “Shkodra Elektronike”, e cila mori më shumë vota dhe do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizionin 2025. Vendi i dytë iu dha Elvana Gjatës me këngën “Karnaval”, ndërsa vendi i tretë shkoi për Alisin me “Mjegull”. Ky vit ka shënuar një avancim të dukshëm në aspektin muzikor dhe është një hap më afër për të dëshmuar se Shqipëria, edhe pse e vogël, ka mundësinë të nxjerrë talente të jashtëzakonshme, që mund të konkurrojnë në nivel ndërkombëtar.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.