Këshilla & Arsye

December 19, 2019 | 8:01

Festoni në harmoni

Shpesh ndihemi të detyruar t’i jetojmë festat si të ishin momentet më të bukura të vitit, ku duhet të jemi të lumtur me çdo kusht, pa mundur t’i largohemi. Duhet ta duam familjen me patjetër,  duhet të kemi po ashtu edhe dëshirë të bëjmë dhurata…

Family opening Christmas gifts at home

Krishtlindjet: një univers paralel?

Çdo gjë është nën ndikimin e ditëve të fundit të vitit, rrugët,  dyqanet, baret, restorantet, njerëzit e lumtur. Shumica prej nesh ka kohë që e ka planifikuar se si do t’i kalojë ditët e festave. Madje ka nga ato amvisa që kanë bërë gati dhe menunë e gatimeve. Edhe pse hareja ndihet kudo këto ditë,  psikologët sugjerojnë edhe një gjë tjetër shumë të rëndësishme: nuk është e nevojshme të ndihemi me çdo kusht të lumtur, as të hidhemi përpjetë nga gëzimi, por ekzistojnë disa strategji, të cilat mund t’i vëmë në punë për t’u mbijetuar festave, pa dëshiruar që këto ditë të kalojnë sa më shpejt të jetë e mundur.

Mos u detyroni të jeni të lumtur me çdo kusht

Gjëja e parë më e rëndësishme është të mos vetëdetyrohemi të jemi të lumtur dhe të dashur përgjatë gjithë ditëve të festave. Nuk duhet të pretendojmë se do t’i kalojmë në alegri dhe as se do të ndihemi mirë me familjen, nëse zakonisht, gjatë gjithë vitit, duhet ndërhyrja e personave të tjerë për të bashkëbiseduar me ta, por duhet të pranojmë gjendjen shpirtërore në të cilën do të ndodhemi në harmoni me veten.

Çdo vit festat vijnë bashkë me detyrimet dhe punët. Sipas studimeve, kush thotë se i urren ato, në të vërtetë nuk pëlqen rutinën dhe detyrimet që vijnë prej tyre. Kush ndihet i stresuar nga festat, mund të eksperimentojë ndonjë zgjidhje kreative, siç mund të jetë një udhëtim me familjen, gjatë të cilit mund të shijojnë qetësinë e njëri-tjetrit në harmoni të plotë.

Kush ju dashuron, ju ndjek pa kushte

Javë përpara festave çdokush mundohet nga pyetjet: ku do t’i kalojmë festat? Do të shkojmë te prindërit e tu apo tek të mitë? Dhe ja ku shfaqet një arsye debati për të gjithë çiftet. E pse të mos e filloni diskutimin me: “Festojmë në shtëpinë tonë!”. Nëse jeni një familje e re, mund të jetë një ide shumë e mirë që të afërmit, në vend që të grinden, të mblidhen të gjithë së bashku në shtëpinë e çiftit. Të paktën kështu ndryshon dhe atmosfera. Mund ta organizoni darkën duke u kërkuar të gjithë të ftuarve të sjellin me vete nga një pjatancë me ushqim. Në këtë mënyrë asnjëri prej jush nuk do të lodhet natën e festave.

Largoni trishtimin për ata që nuk janë më në këtë jetë

Festat janë një periudhë veçanërisht e vështirë, pasi mendojmë edhe për njerëzit që nuk ndodhen më mes nesh. Zakonisht festat janë një moment kur shohim drejt së ardhmes, por përballë humbjes së një njeriu të dashur, e ardhmja duket e vështirë, e paimagjinueshme dhe e pasigurta gjithmonë krijon frikë. Shpesh na kaplon trishtimi dhe mërzia, por me t’u kaluar ky çast duhet të kthehemi te personat e ftuar, te gëzimi i festave që ta mbushim mbrëmjen me gëzim.

Mendoni për fëmijët

Në fund, duhet gjithmonë të kujtoheni për fëmijët. Mbi të gjitha kur prindërit janë të divorcuar, gjërat bëhen të vështira. Festat shndërrohen në një luftë për zgjedhjen e prindit më të mirë.  Por, ndonjëherë, duhet ta lini mënjanë krenarinë. Mundohuni të veproni në të mirë të fëmijëve. Meritojeni mirënjohjen e fëmijëve dhe bëni të mundur që ata të kënaqen dhe të ndiejnë se, edhe pse të ndarë, të dy prindërit i duan pa kushte.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top