Marrëdhënie

April 15, 2016 | 7:00

Figura atërore

1Çfarë është për ne babai? Si përshkallëzohet figura e tij në kohëra, në nevoja, në dëshira, në qëndrueshmëri vlerash? Si ka qenë më parë si individ, ky njeri i pazëvendësueshëm që jemi mësuar që në çastin e parë që kemi kuptuar diçka nga bota, ta shohim vetëm brenda rolit që vjen përmes këtij emri?

Drejt statusit të babait

Është pikë me rëndësi të veçantë marrja e statusit të babait nga ana e mashkullit. Këta të fundit, shpesh, edhe pse bëhen baballarë biologjikisht, nuk arrijnë të kryejnë ato rregullime psikologjike dhe sjellore të nevojshme për t`u përfshirë në këtë rol plotësisht. Të qenit baba implikon një zinxhir të gjatë përgjegjësish të ndryshme nga ato të bashkëshortit dhe kërkon impenjime të ndërsjella. Ky lloj ndryshimi ka efekte mbi prioritetet, zgjedhjet dhe sjelljen në jetën e përditshme. Është një proces që kërkon kohën e vet. Ky lloj tranzicioni mund të konsiderohet çasti më i madh i revolucionit në jetën e një mashkulli.

Nëse do të hedhim vështrimin prapa në kohë, shohim tri momente historike:

-të babait autoritar

-të babait me autoritet te zbutur

-të babait thuajse jo ekzistues në kuptimin e ndikimit

Thuhet që lidhjet e vërteta afektive familjare janë krijuar vetëm në dy shekujt e fundit, pasi më parë fëmijët konsideroheshin thuajse pronë e prindërve për nga mënyra se si trajtoheshin dhe nxirreshin jashtë shtëpie për t`u përdorur. Vetëm në vitet 700, paralelisht me modifikimin e strukturës së shtëpisë (deri në atë çast jo të ndarë në zonë dite dhe zonë nate) nisën të krijoheshin marrëdhënie më intime mes fëmijëve dhe prindërve. Në të njëjtën kohë nis të marrë jetë kalimi nga autoriteti tek zbutja e autoritetit duke arritur deri në ditët tona, të cilat shënojnë një humbje të madhe në marrëdhënien fëmijë-etër, për shkak të punës dhe impenjimeve të tjera të babait. Në kohërat kur baballarët u mësonin zanatin bijve të tyre, ndërtohej një relacion gati i hekurt. Palët qëndronin bashkë për të “prodhuar diçka të mirë”: ndërsa marrëdhënia me nënën është e ndërtuar mbi baza verbale, ajo me babanë është strukturuar në kohë si të bërit e diçkaje në heshtje së bashku. Në vitet 900, puna e babait, duke u transformuar në më pak manuale dhe më shumë intelektuale, që do të thotë edhe më pak e transmetueshme, ndikoi që ky baba të bëhej më i papranishëm të paktën fizikisht, duke favorizuar në këtë mënyrë dhe idealizimin e tij.

Koha në dispozicion të fëmijëve

Nënat e sotme ankohen shpesh që baballarët nuk flasin mjaftueshëm me fëmijët, por ky fakt është deri diku i pranueshëm thonë psikologët, Gjithnjë nëpër shekuj ka qenë kështu, duke marrë parasysh dhe ndryshimet karakterizuese të sekseve të ndryshme. Karakteristikat e funksionit atëror në fakt shquhen për më egoiste: babai i kushton një pjesë më të vogël të kohës së tij familjes në krahasim me nënën dhe është më i ndikueshëm nga influencat sociale, gjeografike dhe historike; babai e merr përgjegjësinë e tij jo gjatë shtatzënisë, por më pas; shpeshherë reagon me konfuzion, ankth, arrati, meqë nuk e ndjen fizikisht fëmijën. Këto janë mekanizma që e vonojnë pranimin e faktit. Edhe kur ka ujdi të përbashkët për të patur fëmijë, mashkullit i duhet shumë kohë përpara se të ndjejë atë çfarë femra ndjen menjëherë. Tjetër pikë me rëndësi është që përkufizimi i atërores në sociale, influencon shumë mbi vetë atëroren. P.sh baballarët që rrinë më gjatë në shtëpi se e përgjithshmja e kanë “me merak” se si shihet kjo prej të tjerëve dhe janë më të ndjeshëm se gratë ndaj gjykimeve sociale negative. Babai shihet dhe si ai që “emëron”, pra ai që jep emrin. Dhe në ditët tona kemi të bëjmë ende si dikur me njohjen e atësisë, dhe sipas studiuesve përçimi ndër breza i konceptit të atësisë duhet për të forcuar lidhjen baba-bir, e cila mbetet për t`u theksuar nga një rrethanë sociale e këtij lloji. Sot kemi të bëjmë me tri modele kryesore: Babain e larguar që shpenzon 80% të kohës jashtë mureve të shtëpisë Babain shumë të pranishëm Babain e përkufizuar si prind i tretë (në raste ndarjesh, divorcesh), figurë që zëvendëson babain biologjik. Ndërsa në shekullin e shkuar deri në vitet ‘70 flitej për “baba të zbehtë”, sot flitet për “baba të vjedhur nga shoqëria industriale”, apo baba të papranishëm. Lind natyrshëm nevoja për ta bërë më të pranishëm këtë baba. Në fakt, po t’i pyesësh, shumica e baballarëve, thonë që duan të shpenzojnë më shumë kohë me  fëmijët për dy arsye në dukje të kundërta: sepse kanë vuajtuar largësinë e babait të tyre. sepse kanë çmuar afërsinë e babait të tyre dhe duan që fëmija përkatës të gëzojë të njëjtin fat.

Dashuria nëpërmjet sakrificës

Pikë tjetër me rëndësi është rëndësia e dashurisë së babait përkundrejt fëmijëve. Pjesa më e madhe e kërkimeve shkencore mbi sferën sociale nuk e njeh dhe e vënë theksin te lidhja që prindërit krijojnë me fëmijët duke u përkujdesur me dashuri për ta. Dashuria e një babai për të birin shpesh shihet përmes sakrificës që i pari bën për të dytin. Është e çuditshme se si shumë baballarë janë gati të heqin dorë e të privojnë veten nga dëshira dhe nevoja, thjesht për të qenë në paqe me gjykimin e të qënurit prind i saktë. Ndërkohë, jashtë kësaj sakrifice nuk realizojnë asgjë të dobishme apo të vlefshme për fëmijën. Me sa duket disa baballarëve u mungon sensi i përgjegjësisë së rolit që kanë marrë përsipër. Megjithatë, ka baballarë që bashkëpunojnë në mënyrë aktive me gratë për mirërritjen e fëmijëve. Shumë nga kërkimet në këtë fushë tregojnë se baballarët janë të ndjeshëm ndaj nevojave të fëmijëve dhe në gjendje të trasmetojnë dashuri. Të përkufizosh apo masësh dashurinë atërore nuk është e lehtë. Ka baballarë që janë të pranishëm në jetën e fëmijëve, jo vetëm në nevojat e tij materiale, por edhe në ato emotive, sociale dhe shpirtërore. Të jesh i përfshirë në jetën e fëmijëve dhe t`u përgjigjesh nevojave të tyre emotive është tepër e rëndësishme për një zhvillim të shëndetshëm sidomos të adoleshentëve.

Ndikimi nëpërmjet të qenurit shembull

Babai mund ta çgërmëzojë influencën e tij morale në mënyra të ndryshme: që nga mbajtja e premtimeve të thjeshta deri tek vendosmëria përmes së cilës vlerëson cilat sjellje të fëmijës janë të pranueshme e cilat jo. Në këtë kuptim, duke mos anashkaluar rëndësinë e sasisë së kohës që babai shpenzon me fëmijët, theksojmë rëndësinë e mënyrës se si i përgjigjet sjelljes së tyre. Shembulli personal që babai u jep fëmijëve janë motive të vlefshme edukuese. Fëmija i mëson vlerat morale duke u nisur nga çfarë baballarët realisht bëjnë dhe jo nga çfarë baballarët thonë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top