Nga: Elona Kormaku
Që herët në vogëli vajza ka nevojë të shohë prindërit që duhen dhe e dëshirojnë njëri-tjetrin. Fal babait dhe nënës, vajza do të mund të kërkojë që dhe ajo të dashurojë dhe të duhet nga të tjerët. Vështrimi dëshirues që babai i drejton mamasë së saj është përcaktues për vajzën për t’i kultivuar ndjenjën e dashurisë. Figura e babait e ndihmon vajzën të fitojë feminitetin dhe t’a zhvillojë atë. Përmes fjalëve të tilla si: “Ti je vajza ime e bukur”!…”Sa bukur je veshur sot!”, përmes dhuratave ( një kukull, një unazë për vajza të vogla.., të luajnë sëbashku apo të kalojnë orë të tëra pa prezencën e njerëzve të tjerë). Vështrimi mashkullor është esencial përderisa vajzat vetafirmohen në përballje me figurën atërore. Vajza e konsideron babain si një matës nga i cili do të mund të vlerësojë meshkujt e tjerë. Nëse ai sillet mirë, është i dashur, i ndershëm dhe mbrojtës, është shumë e mundur që vajza do të dëshirojë të shohi po këto cilësi edhe tek mashkulli i jetës së saj. Babai duhet të jetë admirues, krenar dhe të transmetojë një imazh pozitiv të vajzës. Një guidë e vërtetë drejt botës së jashtme është padiskutim figura e babait e mbushur me dashuri, butësi, kurajo dhe me mbështetje të përhershme.
Një marrëdhënie që kompleksohet në adoleshencë
Edhe pse babai ka një impakt të rëndësishëm në jetën e vajzës si në sferën personale, profesionale dhe atë të ndjenjave, në stadin e adoleshencës zhvillohet një distancë midis babait dhe vajzës e cila mbetet esenciale për përgatitjen e shtigjeve të reja në marrëdhënie me meshkujt e tjerë në jetën e vajzës.
Vajza adoleshente bëhet më indiferente dhe lidhja bëhet gjithnjë e më shumë e tensionuar. Babai kërkon të jetë akoma aktiv në vlerësimin e feminitetit dhe bukurisë së vajzës por të pranojë njëkohësisht se tashmë ajo është e preferuar edhe në sytë e meshkujve të tjerë. Në këtë periudhë situata tensionohet akoma edhe më shumë kur vajza kërkon të mbyllet në dhomën e saj duke ëndërruar për dashuritë e reja të moshës e duke u sjellë e ftohtë me babain dhe akoma më keq kur në këtë moshë duket se vajza rifillon të afrohet sërish me nënën. Gjatë kësaj kohe, babai duhet të vazhdojë t’i qëndrojë pranë vajzës. Edhe pse ajo duket një e huaj. Një vështrim mbështetës, mbrojtja dhe përkëdhelitë prindërore nuk duhen mohuar dhe të mos mungojnë përgjatë kësaj periudhe pasi roli i babait mbetet vendimtar dhe largësia emocionale është vetëm e përkohëshme.
Që marrëdhënia të jetë e shëndetshme përgjithmonë…
Kur një vajzë tashmë është e pjekur, ajo ndërton një lidhje të veçantë me secilin nga prindërit. Vajza e re sëbashku me ndryshimet fiziko-emocionale do t’a ketë të vështirë që të ruajë të njëjtën marrëdhënie me babain si më parë. Vajza e rritur dëshiron të ketë afrimititetin e dikurshëm me babain pa qenë pranë fizikisht me njëri-tjetrin. Konkretisht, babai nuk mund të hyjë më si më parë në dhomën e vajzës apo akoma edhe më shumë në tualet. Për këtë arsye mbajtja e linjave të komunikimit është vendimtate për të siguruar lidhjen at-bijë dhe të qëndrojë e fortë gjatë viteve që vijnë.
Të respektohen kufijtë e njëri-tjetrit
Nga fëmijëria në adoleshencë e deri në moshën adulte, lidhja at-bijë, do të ndryshojë dhe për më tepër do të analizohet nga të dyja palët. Etërit të cilët fillojnë vendosjen e kufijve të rreptë për vajzat e tyre të vogla, si një mjet për t’i udhëzuar ato në vitet e hershme, do ta kenë të vështirë t’i vendosin ato në adoleshencë dhe në fund të dorëzohen duke hequr dorë nga kontrolli kur vajzat e tyre të jenë adulte. Kjo vështirësi duket se shfaqet dhe tek vajzat të cilat duhet t’i përmbahen dhe t’i respektojnë këto rregulla në faza të ndryshme të jetës. Cdo gjë mund të kalojë natyrshëm dhe pa pengesa komunikimi kur ato trajtohen në mënyrë jo kritike apo negative që mund të shkaktojnë një çarje në marrëdhënien e tyre.
Pranoni ndryshimet
Interesi i treguar nga ana juaj dhe e babait për interesat, preferencat dhe angazhimet vetjake është një mënyrë e shkëlqyer për të ndërtuar mënyra të reja komunikimi. Të pranoni dhe të mos gjykoni kur babai ju rrëfen për miqtë e tij të vjetër dhe takimet që bën me ta. Për ndryshimet e reja që ka dëshirë të bëjë në shtëpi, në punë etj. Mos kritikoni se si sillet me fëmijët tuaj dhe zakonet e reja familjare të cilat mund të vijnë si rezultat i viteve që kalojnë…E njëjta gjë vlen për një përshtatje nga ana e babait në lidhje me stilin e jetës së vajzës. Daljet e vona natën, blerjet e shumta për garderobë,edukimi i fëmijëve, pushime të shtrenjta etj. Mundësia që i japin njëri-tjetrit për të shprehur dhe vepruar lirshëm në bazë të interesave personale i ndihmon etërit dhe bijat të mbajnë një marrëdhënie të shëndetshme dhe të fortë ashtu siç nis që në vogëli. Marrëdhënia at-bijë është unike dhe e veçantë që mund të mbijetojë përgjatë viteve në baza të forta respekti, të kohës cilësore kushtuar mes tyre dhe të një komunikimi të qëndrueshëm.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.