Për shumë njerëz fillimi i ditës me buzëqeshje është një detyrë e vështirë: si është e mundur të zgjohemi me humor të mirë, kur duhet të përballemi me një ditë të gjatë në punë apo kur duhet të shkojmë në shkollë? Dhe ja tek çohemi nga shtrati të përqendruar në aspektet më të zymta që na presin në orët e mëvonshme, pa marrë në konsideratë se ky zakon do të ushqejë pritshmëritë negative, duke na bërë që të jetojmë përvoja aspak të kënaqshme.
E megjithatë ekzistojnë disa mënyra për të thyer këtë zinxhir pesimizmi dhe një nga këto mënyra është që ta filloni ditën duke qeshur. Por cilat janë përfitimet e këtij zakoni të mirë?
Të qeshësh në mëngjes është një mënyrë për të zeruar përvojat negative të ditës së mëparshme: është një mënyrë për të kujtuar se, në fund të fundit, çdo ditë është një ditë e re, e pasur me mundësi, raste dhe surpriza. Fakti që dielli lind çdo mëngjes është një gjë që të gjithë e marrim si të mirëqenë, por në fakt bëhet fjalë për një fenomen spektakolar dhe joshës. Nata ka mbaruar dhe ja ku vjen drita dhe shkëlqimi i një dite të re: si është e mundur të mos buzëqeshësh përballë kësaj mrekullie të vogël të përditshme?
Nga këndvështrimi i shëndetit, buzëqeshja sjell përfitime të paevitueshme: një buzëqeshje ndihmon në uljen e tensionit të gjakut, ndërsa humori i mirë forcon sistemin imunitar. Veç kësaj, kur qeshim zakonisht jemi më të bukur dhe të këndshëm për të tjerët. Stresi është një nga armiqtë kryesorë të kohës në të cilën jetojmë. Shqetësime, parehati, frikë nga e ardhmja, fobi që shpesh na bëjnë të jetojmë të palumtur, duke shkaktuar një sërë pasojash negative, si fizike, ashtu dhe psikologjike. E megjithatë, ndonjëherë problemet tona janë frut i ekzagjerimeve, të cilat mund t’i evitojmë nëse e marrim në jetën në mënyrë më të lehtë dhe duke buzëqeshur përballë vështirësive.
Gjithmonë duke folur për shqetësimet e përditshme, duhet të konsideroni se si shpesh, këto gjëra janë krejtësisht jo objektive. Ndonjëherë është mungesa e besimit në vetvete që i shndërron problemet e vogla në një mal të pakapërcyeshëm, sidomos nëse askush nuk ju siguron mbi mundësitë tuaja për të pasur sukses. Në këto raste është mirë të kujtoni se një buzëqeshje ka fuqinë për t’ju bërë më të sigurt në vetvete, duke forcuar optimizmin dhe aftësinë për të besuar në forcat tuaja.
Buzëqeshja është një mënyrë për të katalizuar njerëzit pozitivë. Një person që është vazhdimisht me humor të keq, negativ, serioz dhe nuk dëshiron të ndajë momente të gëzueshme, vështirë se do të jetë ndonjëherë i rrethuar nga miqtë. Nga ana tjetër, ata që janë mësuar t’u dhurojnë të tjerëve buzëqeshje të vërteta dhe të sinqerta do të vërejnë se ky zakon është thelbësor për të tërhequr njerëz më të këndshëm dhe me humor.
Përgatiti: Manjola EREQI / Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr, 154
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.