Cinema Du Reel, festivali ndërkombëtar i filmit dokumetar që organizohet në Qendrën Pompidou në Paris nga 18 – 27 mars 2016, i dedikon sivjet në ediconin e tij të 38-të, një program të veçantë kinemasë shqiptare, një retrospektivë të sjellë nëpërmjet dokumentarëve të fondit filmik të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit. Programi mbi kinemanë shqiptare, i titilluar “Një histori përmes imazheve”. Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit në fokus, është kuruar nga Clarence Tsui, një nga programuesit e festivalit Cinema Du Reel, kritik filmi dhe studiues i kinemasë. Retrospektiva e pasur me 16 tituj filmash dokumentarë shqiptarë dhe 1 film artistik është konceptuar e grupuar në 5 programe të cilat paraqesin etapat kryesore të historisë së Shqipërisë treguar me anë të mediumit kinematografik:
Shqipëria e periudhës së shtetformimit përcjellë përmes kamerës së drejtuar nga Mandi Koçi me dokumentarin e parë prodhim krejtësisht shqiptar të vitit 1947, Viktor Gjika, kinopoema dokumentareske e vitit 1964 mbi rindërtimin e vendit, Shkëlzen Shala me dokumentarin e tij të vitit 1974 mbi Tiranën e djeshme dhe të kohës, pra të ‘74ës, si dhe Kujtim Gjonaj me thirrjen që i bën shoqërisë në vitin 1993 për të mos ngritur më mite pasi kanë shembur idhujt e vjetër.
‘Zërat’ e censuruar, të kinematografisë shqiptare do të vijnë për publikun ndërkombëtar nëpërmjet kamerës së Viktor Stratobërdhës, me filmat e tj të shkurtër të viteve 1955-56, të veçanta në llojin e vet, një pasqyrë e jetës reale të shoqërisë shqiptare të atyre viteve e që shprehin një kinema të çiltër e origjinale. Pas xhirimit të këtyre etydeve të shkurtra, Stratobërdha i kaloi në burg 20 vitet e tjera të jetës së tij. Kamera e drejtuar nga Mithat Fagu do të na flasë për dhuruesit e jetës, dhuruesit e gjakut. Sërish një regjisor që e përdor bukur syrin e tretë dhe realizon dokumentarë përtej atyre të zakonshmëve. Fagu u dënua më vonë për realizimin e tij “Në gjurmë të revolucionit tekniko-shkencor” film i cili nuk mori dot formën e tij përfundimtare por në AQSHF ruhen elementet kryesorë të kësaj vepre.
E nuk mund të mungonte kamera e regjisorit Dhimitër Anagnosti në këtë retrospektivë të filmit shqiptar në Paris. Anagnosti vjen me premierën botërore të restaurimit të dokumentarit “Përjetësi’ një restaurim i realizuar nga AQSHF vitin e kaluar. Ky dokumentar, një trajtim poetik dhe emocional i temës së të rënëve të luftës antifashiste, nuk është shfaqur për publikun e gjerë në Shqipëri, as në kohën e prodhimit të tij në vitin 1974, pasi është konsideruar të ketë një koncept regjisorial modern për kohën. Gjithashtu, pjesë e programit do të jetë edhe filmi tjetër ‘modern për kohën’ i Anagnostit, “Motive nga dita e diel”, 1974 ku regjisori luan shumë me planet detaj dhe muzikën xhaz.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.