Nga: Fleura Shkëmbi
Çfarë e shtyn një djalë të ri, të pashëm, të shkolluar, që bën jetën e vet, të kthehet në një murg budist?
Ai është i qetë dhe gjithmonë duke buzëqeshur. Ti i bën pyetje dhe ai, monk Pastura nuk heziton të përgjigjet. Ti lë takim dhe ai është 10 minuta përpara duke të të pritur, ti i kërkon intervistë dhe përgjigja është “po”, ti i kërkon fotografi, por nëse je femër ke një problem të vogël, të duhet një mashkull në mes teje dhe murgut.
Monk Pastura është një djalë tajlandez, i cili së bashku me një prej shokëve të vet shkojnë dhe udhëtojnë në çdo cep të botës me qëllimin e vetëm: të qetësojnë shpirtrat njerëzorë përmes meditimit!
Erdhi në Shqipëri për herë të parë, por edhe me fatin që këtu nuk ka qenë një i tillë më parë (të paktën nga aq sa dihet) kështu që përgjegjësia ishte akoma më e madhe. Shkoi kudo që e kërkuan në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe u ndje mirë nga çdo mirëpritje që iu bë.
Jeta për atë është e thjeshtë, ndërsa për ne një kuriozitet. Ngrihet çdo ditë në ora 4.30 të mëngjesit dhe në ora 5.00 fillon meditimi. Ha mëngjesin si gjithmonë, në të njëjtin orar deri në ora 8 dhe më pas dreka çdo ditë deri në ora 13.00 duhet të kishte mbaruar së ngrëni. Ulet në një tavolinë vetëm, i servilet ushqimi, mbyll sytë dhe mediton për disa minuta përpara se të fillojë, ndan çdo ushqim që është i tepërt me ata që e shoqërojnë. Për ne është bezdisje që duhet të shqetësohemi kaq shumë që ai të hajë në të njëjtin orar, por për Pasturën është disiplinë e trupit, e shpirtit dhe e mendjes, sepse ai është në shërbim të njerëzimit.
Dita vazhdon me të gjitha impenjimet e tjera, por për meditimin gjendet gjithmonë kohë. Pastrimi shpirtëror dhe lartësimi i vetes bëhet çdo ditë dhe është proces në vazhdim.
Nëse unë i bëj pyetjen se si do të ishte bota nëse do të ishim të gjithë, monk budist më përgjigjet thjesht: shumë e paqtë. “Ju keni një koncept të gabuar për monkët”, – shprehet ai, – “sepse mendoni që ne nuk punojmë. Përkundrazi, ata janë gjithmonë diku duke punuar dhe papritur marrin shpërblim për punën e bërë”. Ata nuk kanë para nëpër duar, gjithçka është e organizuar në mënyrë perfekte, që i vetmi shqetësim i tij të jetë përhapja e qetësisë kudo që shkon. Nuk ka problem për atë nëse ti je mysliman, i krishterë, budist, pagan, ateist. Të gjithë mund të meditojnë për t’u lidhur me veten dhe të ndalojnë për një moment të marrin frymë dhe të qetësohen. Shtrati i tij është prej druri. Po ashtu edhe jastëku. Veshja është e njëjtë e cila ndërrohet çdo ditë. Është portokalli e ndezur, por mund të jetë edhe kafe deri në të kuqërremtë. Kjo sepse është ngjyrë e ndezur dhe ju ka shërbyer si mbrojtje nga kafshët në pyll.
Një nga pyetjet e përhershme ishte: A martoheni ju? Përgjigja shumë e qetë dhe e qartë: JO. Por kjo ishte vendosur me vullnetin e tij të lirë sepse rreth moshës 29 vjeç, shumica e djemve hyjnë në manastire për pak ditë deri në tre muaj, me qëllimin e vetëm, që të përgatiten për të qenë më të mirë përpara se të martohen. Në atë periudhë, ai tregon se ka pasur një jetë kaotike, me shumë zhurmë (punonte dixhej), kishte pasur jetë me problematika si çdo njeri me të dashurat e veta,
punonte fort, por nuk ishte i lumtur. Ditët e para ishin të parehatshme, derisa filloi ngadalë të qetësohet dhe të çlirohej nga streset e jetës së përditshme. Kur kishte shkuar në një burg në Brazil, ata e kishin pyetur se çfarë bënte e më në fund i kishin thënë se ai ishte ashtu i burgosur si ata. Ndërsa buzëqesha, ai përgjigjet se liria fillon dhe mbaron brenda vetes, se ti mund të jesh edhe në burg e të jesh i lirë dhe anasjelltas. Po pjesa biologjike, guxova unë, si me marifet ta pyesja, si përballet? “Mendja është ajo që drejton dhe komandon gjithçka”, – më tha, e megjithatë, unë përsëri nuk jam akoma shumë e sqaruar në këtë pikë. Ndoshta do më duhet edhe pak kohë që ta kuptoj. Jetesa është shumë e thjeshtë dhe me kuptim dhe buzëqesh kur secili nga ne i bën pyetje se si të menaxhojmë ankthet e jetës së përditshme. “Për aq orë sa ti mediton”, – i thotë dikush, – “unë kam ditën e punës”. “Po edhe unë punë e kam, – përgjigjet ai, por di se si të jetojmë të tashmen dhe të mos shqetësohem për të ardhmen”.
Isha aty duke medituar me një grup mësuesish, në një ambient jashtë ku frynte pak erë. Të gjithë me sytë e mbyllur, meditonin, ndërkohë dëgjohet përplasja e një mbajtëseje kartoni, e cila ishte sipër kokës së tij. Hapa sytë të ‘kontrolloja situatën’, por shikoj monkun që vazhdonte me qetësinë e tij , me sytë e mbyllur dhe me njerëzit që ishin trembur se çfarë po ndodhte. I mbylla sytë e vazhdova, por nuk ndenja pa pyetur se si ai nuk lëvizi dhe nuk reagoi as me hapje të syve. Qetësia ishte pjesa që kishte arritur pas kaq shumë kohe në paqe me veten.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.