Finlanda është vendi më i lumtur në botë. Në këtë përfundim ka arritur studimi vjetor mbi lumturinë, që liston 156 vende mbi bazën e të ardhurave për frymë, mbështetjes sociale, pritshmërive për një jetë të shëndetshme, lirisë sociale, bujarisë dhe mungesës së korrupsionit.
Shqipëria renditet e 114-a në listë, shumë më poshtë sesa Kosova, e cila pozicionohet në vendin e 66, por edhe ndër vendet e tjera të rajonit.
Në vend të fundit gjendet Burundi. Stinët e ftohta të dimrit, me të cilat duhet të përballen finlandezët, janë një e keqe e pranueshme përballë qasjes ndaj natyrës, sigurisë, kujdesit për fëmijët, shkollat e mira dhe shëndetësisë falas.
Finlanda u ngjit me 4 vende në klasifikim nga viti i kaluar, duke spostuar Norvegjinë në vend të dytë. Si zakonisht, edhe në vitin 2018 dhjetëshja kryesore e shteteve më të lumtura dominohet nga vendet nordike.
Amerikanët, ndërkohë, po bëhen gjithnjë e më të palumtur, edhe pse vendi i tyre po pasurohet. Këtë vit, Shtetet e Bashkuara renditen në vendin e 18 në listë, 4 vende më poshtë sesa vitin e kaluar.
Një kapitull i raportit prej 170-faqesh iu dedikohet problemeve shëndetësore në rritje, të tilla si obeziteti, depresioni e kriza e opioideve, veçanërisht në SHBA, ku të treja këto po mbizotërojnë në mënyrë shqetësuese.
Për herë të parë që prej vitit 2012, kur edhe nisi të realizohej raporti, vlerësohet edhe lumturia e emigrantëve në 117 vende. Edhe në këtë kategori kryeson Finlanda, ku emigrantët rezultojnë më të lumtur sesa në shtetet e tjera.
Burimi / http://top-channel.tv
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.