Finoku është fruti që nuk duhet t’i mungojë tryezës në familje. Konsiderojeni si një bimë me shumë veti cilësore sa i takon mbarëvajtjes së shëndetit. Efektet janë të menjëhershme.
Jo pa qëllim Azia e Vogël, prej nga e ka origjinën, por edhe e gjithë zonë mesdhetare e përdor këtë perime për cilësitë që bart. Finoku është shumë i varfër në kalori ( rreth 31 kalori për 100 gr), yndyrna, por shumë i pasur në fibra. Fruti i finokut ka shumë kripëra minerale, mbi të gjitha, potas, kalcium dhe fosfor, të vlefshëm për forcimin e kockave dhe parandalimin e lodhjes. Ai përmban gjithashtu shumë vitamina, si vitamina A, e rëndësishme për një lëkurë të mirë dhe për të rregulluar funksionimin e retinës së syrit, Vitaminën B, e cila ndihmon në mirëfunksionimin e sistemit nervoz dhe aparatit kardiovenoz, si dhe Vitaminën C, e cila ndihmon së tepërmi në parandalimin e shumë sëmundjeve dhe forcon sistemin imunitar të trupit. Përdorimi i finokut mund të vijë në forma të ndryshme, si sallatë e freskët, në supë apo në formën e çajit.
Sallatë me Finok
Përbërësit:
finok
portokalle
pak vaj ulliri ekstra i virgjër
miks farash
disa degë kopër
një dorë ullinj pa bërthamë
limon
pak kripë
Përgatitja:
Prisni hollë fetat nga finoku. Qëroni një portokall dhe priteni në feta. Bëni një marinim me disa lugë vaj ulliri, lëngun e limonit dhe lëngun e një portokalli. Shtoni pak kripë dhe përziejini mirë. Në një sallatierë vendosni fetat e finokut, shtoni marinimin, fetat e portokallit dhe ullinjtë. Përziejeni dhe sipër shtoni pak kopër të grirë dhe miksin e farave.
Supë me Finok
Përbërësit:
1 qep e ëmbël
1 finok
lëngu i dy portokalleve të shtrydhura
kripë dhe piper të zi
kopër
lëkura e grirë imët e një portokalli
pak vaj ulliri
1 lugë lëngë limoni
Përgatitja:
Kaurdisni finokun me qepen me pak vaj ulliri dhe shtojini gjysmë gote ujë. Lëreni të gatuhet derisa uji të përthahet. Shtoni kripë dhe piper të zi. Pastaj zhvendoseni komplet masën në një mikser ku do të shtoni lëngun e portokallit, atë të limonit dhe grijeni derisa të bëhet krem. Shërbejeni me vaj ulliri sipër, kopër të grirë, lëkurat e portokallit të grira me rende, vaj ulliri dhe copa buke të thekur.
Musaka me Finok
Përbërësit:
500 gramë mish i bluar
4 finokë të mëdhenj
2 qepë
3 vezë
4 decilitra jogurt
1 tufë kopër
2 decilitra lëng domatesh
0,5 decilitri vaj
erëza të përziera
kripë, piper i zi
Përgatitja:
Finokët qërohen, zihen mirë në ujë me kripë e pastaj priten në rrathë. Qepët qërohen dhe priten në kube, ndërsa kopra grihet imët. Në pak vaj kaurdiset qepa, sa të marrë formë të kristaltë, e pastaj shtohet mishi i bluar dhe erëza sipas shijes. Vazhdon kaurdisja derisa mishi të ndërrojë ngjyrë. Shtohet lëngu i domateve dhe vazhdon kaurdisja derisa mishi të zbutet plotësisht dhe derisa të shterë lëngu i tepërt. Lyhet me vaj ena rezistuese ndaj zjarrit, fundi i saj mbulohet me rrathë të finokëve të zier dhe përmbi shtrihet një shtresë e mbushjes me mish. Procedura e njëjtë përsëritet derisa të shpenzohet i tërë materiali i përgatitur.
Në enë të veçantë tunden vezët, jogurti dhe kopra dhe kjo përzierje i derdhet musakasë përmbi në formë kremi. Ena shkundet me qëllim që përzierja të shpërndahet njëtrajtshëm. Musakaja e përgatitur piqet, derisa të skuqet, në furrën e nxehtë në 200°C.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.