Keni disa vite që drejtoni Tirana Training Center dhe jeni rritur vit pas viti. Çfarë e bën atë të suksesshme dhe të dallueshme nga qendrat e shumta që ndodhen thuajse në çdo rrugicë të Tiranës?
TTC është unike sepse ofron mësimdhënie me një staf mësuesish të kualifikuar, që janë të gjithë pa përjashtim folës të lindur të gjuhës që mësojnë. Përveç ekspertizës së tyre, përvoja jetësore dhe diversiteti kulturor që mbartin, i përball nxënësit me përvoja gjithashtu tepër të veçanta. Suksesi natyrisht që është i lidhur me këtë, por edhe me zotimet e përkushtimin tonë për të ofruar cilësinë çdo aspekt të punës sonë.
Pse është e rëndësishme që mësuesit të jenë folës të lindur?
Ka shumë mësues shqiptarë të talentuar e të përgjegjshëm. Pa dashur t’ua ul vlerat, aq më tepër që jam vetë mësuese prej mbi 25 vjetësh, besoj fuqimisht që mësimi me theksin e duhur, që nga fillimi, veçanërisht te fëmijët është mjaft i rëndësishëm. Korrigjimi i theksit më vonë në jetë shoqërohet, veç problemeve fonetike, edhe me komplekse të tjera psikologjike dhe është e vështirë të zhbësh diçka të mësuar gabim. Dhe së dyti, kur mësuesit ndajnë me nxënësit të njëjtën gjuhë amtare, dashje pa dashje e përdorin atë me raste si gjuhë instruksioni apo si mjet komunikimi kur ky i fundit ka ngecur, për shkak të nivelit të ulët të nxënësve, gjë që duhet minimizuar.
Si filloi e gjithë kjo? Domethënë çfarë ju nxiti ta fillonit këtë aktivitet? Përmendët pak më lart që edhe ju jeni mësuese.
Thonë se njeriu duhet të bëjë atë që di të bëjë më mirë. Unë vij nga një familje mësuesish, shkrimtarësh, përkthyesish, redaktorësh e akademikësh. Gjyshërit e mi ishin mësues, prindërit e mi po ashtu, madje edhe im shoq vjen nga një familje e tillë. Personalisht kam dashur gjithmonë të jem mësuese. I kam adhuruar mësuesit e mi dhe më pas, si mësuese, nxënësit e mi. Kam punuar si përkthyese fillimisht e më pas si pedagoge e gjuhës italiane në fakultet, por kryesisht si mësuese e gjuhës shqipe për të huaj. Kam mbi 25 vjet që u mësoj shqip të huajve dhe e kam shijuar pafund këtë përvojë me njerëz të vendeve, kulturave e moshave të ndryshme.
Kam punuar edhe në një shkollë për fëmijë të huaj që jetojnë në Shqipëri. Duke pasur edhe vetë një përvojë të gjerë mësimdhënieje, gradualisht m’u konsolidua ideja e mësimdhënies me mësues të huaj. Por e vura në jetë vetëm pasi fëmijët e mi u rritën, sepse isha e vetëdijshme që do të ishte një sipërmarrje e vështirë, me sfida e me orë të zgjatura.
Meqë përmendët sfidat, cilat janë disa nga sfidat me të cilat ju është dashur të përballeni?
Sfida kryesore është gjetja e mësuesve të përshtatshëm dhe mbajtja e premtimit të mësimdhënies vetëm me mësues të huaj. Këtë vit kemi mësues amerikanë, anglezë, kanadezë, madje edhe australianë, që mësojnë gjuhën angleze, që është gjuha kryesore. E kam bindje dhe e them vazhdimisht që sot pa anglishten mbetesh jashtë loje. Por duke parë edhe kërkesat në rritje për gjuhën gjermane, kemi 3 vjet që ofrojmë edhe kurse të gjuhës gjermane, natyrisht me mësuese gjermane. Kemi ofruar gjuhën finlandeze e italiane dhe së shpejti atë franceze e koreane.
Çfarë kursesh të tjera ofroni veç gjuhëve të huaja?
Veç kurseve tradicionale për fëmijë, adoleshentë e të rritur, ofrojmë edhe kurse përgatitore për provimet e standardizuara si TOEFL iBT, IELTS, GMAT, SAT, GRE për ata që dëshirojnë të studiojnë apo punojnë jashtë Shqipërisë, si edhe kurse arti dhe kurse kompjuteri për marrjen e certifikatës EIPASS. Për këtë kemi edhe një laborator modern me pajisje bashkëkohore. Po ashtu ofrojmë çdo verë programin e kampit veror – një zhytje totale në gjuhën angleze e shoqëruar me aktivitete të larmishme brenda e jashtë qendrës.
Fëmijët kanë qenë klientët tanë kryesorë në vitet e kaluara. Por fokusi ynë këtë vit janë sidomos kurset e specializuara për të rritur, nga më të thjeshtat siç janë ato të bashkëbisedimit, te kurset e biznesit, anglishtes ligjore e ato të inteligjencës kulturore. Po konsiderojmë edhe mundësinë e ofrimit të kurseve online. Dhe së fundmi, por jo më pak të rëndësishme do të jenë kurset në fushën e turizmit. Jo vetëm të gjuhës së turizmit, por trajnime për udhërrëfyes turistikë, hoteleri etj. Për këtë qëllim sapo kemi hapur në Sarandë TTC2 për trajnimin e stafit të hoteleve e resorteve turistike e kurse të tjera të formimit profesional, duke pasur parasysh mungesën e theksuar të cilësisë së këtyre shërbimeve dhe të ardhmen pa mëdyshje të turizmit në Shqipëri.
Ju përgëzoj për këto projekte ambicioze dhe me vizion të qartë! Për të gjithë ata që do të donin të ishin pjesë e këtyre programeve, si mund t’ju mbërrijnë?
Tirana Training Center ndodhet në rrugën e Kavajës, mbrapa kishës katolike.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 137
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.