Mirëqenie

October 6, 2016 | 10:16

Fjalë të adhurueshme të babait për të bijën: “Do zbeh diellin që mos të të vrasë syçkat…”

Aktivisti Rezart Cenaj i ka dedikur disa vargje të ëmbla të bijës që sapo ka ardhur në jetë.

Postimi i tij i plotë:

E ëmbla ime,

U bë kohë që imagjinoja si do të ishe, si do të ishin gishtat e tu, thonjtë, qerpikët, ngjyra e syve… Si do të ishte buzëqeshja jote. E qara jote. Sa të lëmuar do e kishe lëkurën. Çfarë do ndjeja kur të më prekje. Ngjyrën e flokëve.

Mësova të të dua çdo ditë, edhe pse të kisha vënë fytyrë vetëm në imagjinatën time.

Lëvizjet e tua i ndjeja përmes lëkurës. I prekja dhe më pëlqente që ishe aq luftarake. E vendosur. Vajza ime që përballet me çdo gjë.

Je ti ajo që më zgjodhe mua, prej muajsh. Ti më njeh tashmë, ndërsa unë kam një jetë për të të njohur.

Ti më njeh kur nevrikosem, kur jam i lumtur, njeh prekjen e puthjeve të mia përmes lëkurës së barkut.

Ti di kur më pëlqen diçka. Di çdo palë të dorës sime që të përkëdhelte. Di tonin tim të zërit kur jam i lodhur. Biles, di edhe frikërat e mia.

Por, mos qaj e vogla ime. Kjo botë nuk është aq e keqe. Ke ardhur këtu për të mësuar dhe unë do mësoj bashkë me ty atë që se kam bërë asnjëherë deri tani.

Do mësoj të bëj gati për jetën një qenie të vogël e të pambrojtur.

Do mësoj si ta bëj botën një vend më të mirë për ty. Vetëm për ty, dashuri e paprovuar më parë.

Do çohem herët dhe do bëj zhurmat e rrugës të heshtin për gjumin tënd.

Do rregulloj pllakat e rrugës që mos trondisin shëtitjen tënde.

Do zbeh diellin që mos të të vrasë syçkat.

Do pastroj qytetin që mos të ndotet nuhatja jote. Do mbjell lule që sytë e tu mos të shohin vetëm gri. Do pikturoj qiellin me blu edhe kur të jetë vranët. Do i jap ngjyra shiut që të dashurohesh me të.

Por, mbi të gjitha, njeriu im i vockël, do të të mësoj të respektosh veten. Nuk dua që ti të plotësosh ëndrrat që unë nuk arrita t’i plotësoja kurrë. Më ndalo ndonjë ditë nëse të imponoj mungesat që kam pasur unë.

Të kërkoj të ndërtosh udhën tënde, me gabime dhe suksese që do jenë vetëm të tuat. Ndiq nuhatjen tënde dhe ji e lumtur.

Shpresoj të kem bërë një punë të mirë këto muaj që të kam pritur. Jam munduar të largoj nga shpirti im çdo papastërti që të mund të të ofroj dashurinë më të kristaltë dhe më të madhe, e vogla ime.

Ti ke brenda vetes më tepër zgjuarsi nga çdo kem unë ndonjëherë.

Faleminderit që erdhe të më shpëtoje. Të më shpëtoje, në të gjitha kuptimet. Në formën më të bukur që një shpirt mund të shpëtojë një tjetër.

Ti nuk ke ardhur vetëm për mua. Vetëm për ne. Bota është një vend më i mirë vetëm me praninë tënde. Jeta është një kohë më e mirë vetëm me buzëqeshjen tënde. Lëshoje veten në duart e magjisë që ke dhe ndrysho gjithçka që ke rreth teje. Rrezato mirësinë tënde edhe në skutat më të errëta. Jepi shpresë edhe më të humburit. Mësoji shpejt leksionet dhe fal shumë dashuri. Jeto, e vogla ime.

Jeto dhe ushqehu me mirësi.

Këtu na ke mbështetje për çdo gjë. Jemi këtu për ty. Tani mbyll sytë dhe fli, se e nesërmja është sot.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top