Duke u nisur paraprakisht prej faktit se ne shqiptarët kemi një prirje te dallueshme përkundrejt gjuhëve të huaja, sepse ndoshta kjo na është injektuar si një mënyrë për të reaguar ndaj rregullave të hekurta të censurës, të cilat na ndalonin që të ndiqnim televizionet e huaja, të lexonim libra në gjuhë të huaja, të ndiqnim shtypin dhe të gjitha mjetet informuese të huaja, nuk na lejonin që të largoheshim nga vendi ynë, mund të pohojmë se:
Me dukurinë e emigracionit në fillimin e viteve ’90-të, ne shqiptarët – ashtu sikurse kushdo që lë tokën e tij mëmë, për çfarëdo arsyeje – mundëm që t’i jepnim hapësirë pikërisht, jo vetëm asaj aq të kërkuare “dëshirë për liri”, duke i kapërcyer ata kufij që na mbanin prej kohësh të izoluar brenda vendit, pa na lejuar që të zbulonim botën që na rrethonte por, edhe ngutjes për të mësuar dhe për të thelluar njohjen e gjuhëve të reja të huaja.
Kjo, duke qenë diktuar nga nevoja për të komunikuar paraprakisht me banorët e vendit të ri që sapo na kishte ofruar mikpritjen e për t’u përballur me sfidat e jetës së përditshme, në komunikimin përkatës ditor për punë, studim etj.
Prej këtu, pasi të kapërcehej ky hap, d.m.th ai i përballjes së menjëhershme me gjuhën e re të vendit pritës, prirja e lartpërmendur e shqiptarëve përkundrejt gjuhëve të huaja, nuk do të rezultonte më e mjaftueshme në të njëjtën mënyrë për të gjithë emigrantët që erdhën në Itali, duke konsideruar faktorë si: niveli i arsimimit të tyre, prejardhja e shumë prej tyre nga zona të thella të Shqipërisë, mosha etj.
Një problem domethënës, me të cilin do të përballeshin fëmijët e lindur jashtë Shqipërisë:
Në cilën gjuhë duhet t’u flasin atyre prindërit në familje? Në rastin tonë, shqiptarë të Italisë, a do të ishte e drejtë që fëmijëve t’u flitej në gjuhën amtare, atë shqipe?
Apo, rreth moshës 3-vjeçare, moshë në të cilën fëmijët përgatiten që të ndjekin kopshtin, duke u folur shqip në shtëpi, këta fëmijë në kopsht do të hasnin vështirësi me italishten dhe si rrjedhojë, përshtatja e tyre në kopsht e më tej ajo në shoqëri, do të rezultonte e vështirë?
Këto kanë qenë disa pyetje reale dhe objektive që i kanë drejtuar vetes shumë çifte të reja shqiptare në lidhje me çështjen e gjuhës, pyetje, të cilat kanë hasur dy lloje reagimesh nga ana e mësuesve të shkollave të ciklit të ulët.
Ka pasur nga ata mësues që atyre u kanë thënë: “ Po mirë, ju nuk u flisni italisht fëmijëve në shtëpi? Epo, fëmijëve u duhet folur italisht në familje, përndryshe përshtatja e tyre në shkollë do të rezultojë e vështirë…!”
Dhe mësues të tjerë që, përkundrazi, u kanë thënë: “ Bëni mirë që fëmijëve u flisni shqip në shtëpi, në gjuhën tuaj amtare, pasi ata janë të pajisur me aftësinë për t’i dalluar këto dy gjuhë nga njëra-tjetra madje, me një bazë të fortë të shqipes, janë të paraprirë të mësojnë lehtë italishten, të jenë të aftë në dygjuhësinë. Bile, kanë prirje të dallueshme edhe për të mësuar gjuhë të tjera të huaja!”
Veçse këtu, do të hasej zanafilla e një mekanizmi tjetër të veçantë:
“Nëse një prind shqiptar- unë sjell shembullin “shqiptar”, pasi ai përkon me ne por, kjo vlen për çdo kombësi të huaj natyrisht – ai vetë, nuk e zotëron siç duhet italishten, a është e drejtë që në shtëpi t’i flasë fëmijës me një italishte të shtrembëruar, të çalë, me një italishte që lë shumë për të dëshiruar?”
Unë mendoj pikërisht, se kjo nuk është gjëja e duhur për t’u zbatuar.
Në një farë mënyre, një arsyetim i ngjashëm me këtë të lartpërmendurin për zgjedhjen e gjuhës për t’ua folur në familje fëmijëve të huaj – ashtu sikurse më tregojnë miq italianë që janë me origjinë nga Jugu i Italisë – u bëhet këtu në Veri të Italisë, Emilia-Romagna, nga ana e mësuesve veriorë, edhe fëmijëve italianë me prejardhje nga Jugu i vendit të tyre. D.m.th, mësuesit veriorë, i ftojnë prindërit jugorë, që të mos u flasin në shtëpi në dialekt fëmijëve të tyre, pasi ata në shkollë hasin probleme me italishten standarde. Dhe kjo vështirësi nga ana e këtyre nxënësve jugorë me italishten zyrtare, shumëfishohet më tepër në kthimin e tyre pas pushimeve verore nga qytetet e veta përkatëse në Jug të Italisë, aty ku kanë folur vetëm në dialektet e tyre.
Si të themi, këto kthehen në probleme gjuhësore dhe çështje komunikimi të përditshëm për të gjithë ata që nuk janë autoktone në një vend të përcaktuar.
Fëmijët më tej, duke u rritur, projektohen gjithnjë e me tepër drejt mësimit të gjuhës së vendit pritës, në rastin tonë, të italishtes. Prej këtu, në rastin e martesave të përziera italo-shqiptare, bëhet gjithnjë e më e vështirë ruajtja e shqipes.
Sepse, kjo kthehet edhe në një çështje përparësie: se cilës gjuhë t’i jepet më tepër rëndësi.
Për fëmijët shqiptarë të brezit të dytë, shqipja po humbet, duke praktikuar italishten gjithnjë e më shumë nëpër shkolla dhe në të përditshmen e tyre. Përveç kësaj, gjithnjë nëpër shkolla, ata mësojnë anglisht, frëngjisht, gjermanisht, spanjisht.
Kanë të bëjnë në ruajtjen e shqipes, edhe zgjedhjet që bëjnë në vite familjet emigrante, për t’i kaluar pushimet verore në Shqipëri apo jo, pasi kjo është një mënyrë e mirë jo vetëm për ruajtjen dhe aplikimin e gjuhës por, edhe në ruajtjen e zakoneve shqiptare.
Nga “poliglotë” pak për pasion – përtej asaj që, kjo është një dhunti vetjake fundja – nga ana tjetër, pak prej nevojës, emigrantit i duhet të përballet edhe me një tjetër dukuri akoma: jo më me atë të gjuhës standarde të vendit pritës por, edhe me dialektin apo të folurën lokale të provincës apo fshatit të huaj ku ai jeton.
Përveç dialektit pra, në idiolektet, në idioma të ndryshme e në një frazeologji të gjerë, të përbërë prej shumë thëniesh lokale.
Mua p.sh, në fillimet e vendosjes sime këtu në Itali, në krahinën Emilia-Romagna, pavarësisht se e njihja italishten standarde që fëmijë, që në Shqipëri – pasi jam rritur në një familje dygjuhëshe italo-shqiptare – më kanë ndodhur disa situata zbavitëse, pothuajse komike mund të them, në lidhje me zhargonin dialektor e atë provincial.
Kur një zonjë e moshuar nga Parma, një fqinjë e imja më pati thënë:
“Po të përshëndes, sepse tani po shkoj të mbledh nja dy “mace”! ( “Gatti”- italisht)”
E unë, duke i bërë përkthimin fjalë për fjalë, i thashë: “Qenkeni e sjellshme që po mblidhni macet, diçka shumë njerëzore kjo, nga ana juaj!”
Sepse, mendova se ajo po mblidhte macet e braktisura të rrugëve dhe po u ofronte atyre një strehe.
“Ah jo, – më pati thënë – “po mbledh macet”, në krahinën tonë do të thotë:
“Po mbledh pluhurat, po pastroj …”, d.m.th thjesht: ”Po bëj punët e shtëpisë”.
Dhe si kjo shprehje, ka të tjera pafund.
Në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, nuk mundem të anashkaloj një tjetër shqetësim timin aktual: atë të lidhur me mënyrën e shkujdesur, në të cilën flitet e shkruhet sot shqipja brenda kufijve të Shqipërisë.
Vërej me keqardhje që shqipja – kryesisht me përhapjen e gjerë të portaleve online dhe të hapësirave të ndryshme shoqërore të komunikimit virtual – shpesh shkruhet keq, në mënyrë të pasaktë, me gabime ortografike dhe plot huazime nga gjuhët e tjera.
Çështja e huazimeve të vjetra kryesisht nga arabishtja, turqishtja apo italishtja, të integruar në shqipe, është diçka më vete. Ata tashmë janë shkrirë në shqipe, janë kthyer në pjesë përbërëse të fjalorit të shqipes ndër vite – çdo gjuhë ka nevojë për huazime fundja – por, ka edhe forma të shumëllojshme huazimesh nga anglishtja, shkurtime apo shtrembërime gjuhësore që kanë zënë në shqipe vendin që nuk u përket, duke e dëmtuar atë si gjuhë.
Në këtë kontekst, një rol i rëndësishëm u takon institucioneve përkatëse dhe mediave të cilët, me mënyrën sesi shkruajnë e komunikojnë, ndikojnë të gjithë popullsinë që ata i ndjek.
“Gjuha është një gjurmë, gjurma më e madhe e gjendjes sonë njerëzore” shkruante Octavio Paz.
Le të bëjmë çmos që secili nga ne, brenda mundësive të tij, të përkujdeset për këtë gjurmë, e cila do të niste si diçka e mirëfilltë e thjesht “gjuhësore” por, që do të merrte shtrirje në një nivel të gjerë shoqëror e kulturor, madje shumëgjuhësh e shumë kulturor.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.