Kequshqyerja, konsumi i alkoolit apo edhe mjekimet për sëmundje kronike e infektive janë faktorët kryesorë që çojnë në sëmundjet e mëlçisë, i cili është laboratori i trupit të njeriut. Dietologia Rolina Naço jep disa këshilla praktike dhe një listë ushqimesh që rregullojnë funksionin e një prej organeve jetësore, mëlçisë.
Mëlçia ka disa funksione: metabolizon të gjitha elementët ushqimore (yndyrë, proteina, karbohidrate, vitamina, kripëra minerale etj.); përmban depozitat e hekurit (feritin) dhe të bakrit; prodhon substanca për të përthithur vitaminë K, ndihmon në përthithjen e vitaminës A nga Betakaroten; prodhon enzima për të tretur ushqimin; funksionon si detoksikues për të larguar lëndë toksike që janë marrë nga ushqimi apo janë prodhuar në aparatin tretës.
Këto dhe shumë funksione të tjera janë thelbësore për të jetuar. Fenomeni më i shpeshtë që lidhet me kequshqyerjen është steatoza, e cila vjen nga disa faktorë: konsumimi i tepërt i alkoolit, i sasisë kalorike në total të ushqimit apo konsumimi i tepërt i ushqimeve me përmbajtje të lartë yndyrë shtazore. Por origjina e steatozës mund të vijë edhe nga sëmundje endokrine, gjenetike si sindromi Wilson etj.
Këshillat ushqimore më poshtë janë të drejtuara për personat që kanë një steatozë dhe probleme të tjera me mosfunksionimin e mirë të heparit.
Së pari, një person me steatozë dhe mbi peshë do të duhet të ketë si qëllim një peshë normale. Kjo do të thotë që për një kohë derisa të arrijë peshën normale do të duhet të ketë një balancë negative të kalorive që merr me ato që djeg. Kjo mund të bëhet duke ulur kaloritë ditore dhe duke shtuar aktivitetin fizik për të shtuar djegiet apo kombinim të tyre.
Së dyti, personi duhet të ketë një kujdes të madhe te ushqimet me përmbajtje të lartë të yndyrës shtazore. Në tabelën që shoqëron shkrimin, dietologia Rolina Naço ka hartuar një listë me ushqimet që duhet të evitohen, ato që duhet të konsumohen, por në masë të vogël apo rrallë, si dhe ushqimet që duhen konsumuar shpesh.
Pas ushqimeve me sasi të lartë të yndyrës shtazore që duhet të evitohen, yndyra bimore nga ana tjetër është e rekomanduar, ndaj dhe këshillohet të gatuhet vetëm me vaj ulliri, i cili për të vepruar sa më mirë, do të duhet të shtohet në gatimet tona, i gjallë, i pagatuar, në mënyrë që të përfitojmë sa më shumë nga vlerat e tij, të cilat kontribuojnë duke e pastruar atë nga lëndët toksike.
Përveç vajit të ullirit dhe ullinjve, burime të mira yndyrore kanë peshku, frutat e thata (të cilat rekomandohen të papjekura dhe pa kripë, avokadoja, çokollata e zezë, gjalpë susami etj. Alkooli këshillohet të evitohet totalisht dhe të zëvendësohet me lëng frutash, perimesh apo çajëra bimore me pak mjaltë dhe jo sheqer industrial shtesë. Nga frutat dhe perimet këshillohet të konsumohet çdo ditë minimumi 2 racione rreth 200 gr. fruta apo perime të stinës, të pagatuara, në formën natyrale dhe me lëkurë, në mënyrë që të na ofrojnë vlerat maksimale antioksiduese.
Gjithmonë kjo këshillë vlen nëse ato janë të pa kontaminuara me kimikate apo pesticide.
Hurdha dhe qepa janë dy superushqime për mëlçinë tuaj, pasi përmbajnë sulfur, i cili ndihmon në detoksifikimin e saj. Hurdha përmban alisin dhe selen, që kanë një veti të lartë antioksiduese.
Çaji jeshil përmban katehina, të cilat parandalojnë depozitimin e masës dhjamore në zonën abdominale, e cila lidhet drejtpërdrejt edhe me dhjamosjen e mëlçisë, steatozën.
Agrumet, si limon, mandarinë, portokall, por dhe qitro, përmbajnë një sasi të lartë Vitaminë C, antioksidues dhe glutathione, që janë të dobishme për mëlçinë që të kryejë detoksifikimin.
Qitroja gjithashtu rekomandohet të përdoret pasi parandalon depozitimin e masës dhjamore, por kujdes, jo nëse jeni në kurim me mjekime.
“Milk Thistle”, është një gjembaç me veti shumë të dobishme për përforcimin e funksionit të mëlçisë sonë. Substanca me emrin silimarin, përveç vetive antioksiduese që ka, kuron nga dëmimet e oksidimit, duke stimuluar riprodhimin e qelizave të reja të mëlçisë dhe ndihmon në parandalimin e inflamacionit të mëlçisë. Mund të merret si çaj, por edhe si suplement.
Shafran Indie ose tumerik, tumeriku përmban një substancë që quhet kurkumin, i cili ka një efekt të dyfishtë si antioksidues, por edhe si antiinflamator. Stimulon rigjenerimin e qelizave të mëlçisë, kontribuon në uljen e yndyrave si kolesteroli LDL, që lidhet drejtpërdrejt me steatozën.
Perimet me ngjyrë jeshile dhe erëzat bimore, si majdanozi, koriandëri, rigoni, rozmarina, përmbajnë fitokimikatë, klorofil, kripëra minerale dhe fibra që ndihmojnë në uljen e inflamacionit, në prodhimin e enzimave, në oksigjenimin më të mirë të mëlçisë, gjithashtu dhe në pastrimin e mëlçisë nga toksina, mbetje metabolike dhe metale të rënda.
Burimi: Gazeta Panorama
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.