Shifrat janë shqetësuese. Një në tre persona që i kanë kaluar të 65-at dhe gjysma e atyre mbi 75 vjeç pësojnë ulje të aftësisë dëgjuese në mënyrë krejt të pakuptueshme. Në suplementin e kësaj jave, gazeta Panorama sjell në vëmendje një nga shqetësimet më të shpeshta të të moshuarve.
Mjekja otorinolaringologe, Emirjona Vajushi shpjegon simptomat e para, si dhe ajo çka është më e rëndësishme, çfarë duhet bërë për të përmirësuar shqisën e dëgjimit, mungesa e së cilës shpesh bëhet shkak i një izolimi social. Humbja e dëgjimit te personat e moshës së tretë, sipas mjekes lidhet me ndryshimet në veshin e brendshëm si pasojë e procesit të plakjes së organizmit, ndryshimet komplekse në rrugët nervore nga veshi në tru si dhe një sërë faktorësh të tjerë përfshirë dhe gjenet.
Një humbje graduale e progresive sjell vështirësi për të kuptuar bisedat dhe krijon intolerancë ndaj tingujve të lartë. Gjithsesi, sot shkenca ofron shumë alternativa për personat që vuajnë nga ulja e aftësisë dëgjuese, e cila nuk duhet të ngatërrohet me çrregullime të aftësisë njohëse. Njohja e faktorëve përkeqësues, aparatet e dëgjimit deri tek implanti koklear janë në dispozicion për të moshuarit me vështirësi në dëgjim.
Cilat janë shkaqet që fshihen pas humbjes së dëgjimit te të moshuarit dhe incidenca e rasteve?
Humbja e dëgjimit te të moshuarit (Presbiacusis) është humbja e dëgjimit që ndodh gradualisht me kalimin e moshës. Është një nga problemet më të shpeshta që takohet te të moshuarit. Afërsisht një në tre persona me moshë nga 65-75 vjeç kanë ulje dëgjimi dhe gjysma e atyre mbi 75 vjeç kanë vështirësi në të dëgjuar. Kjo lloj uljeje dëgjimi prek zakonisht të dy veshët në mënyrë të barabartë. Ngaqë ulja është graduale, një person me ulje dëgjimi të lidhur me moshën për një kohë të gjatë nuk arrin ta kuptojë që ka humbur disa nga aftësitë e tij për të dëgjuar. Kjo ulje dëgjimi zakonisht ndodh si pasojë e ndryshimeve që ndodhin në veshin e brendshëm, si pasojë e procesit të plakjes së organizmit dhe nga ndryshimet komplekse në rrugët nervore nga veshi në tru. Shkaqe të tjera që kontribuojnë dhe e përkeqësojnë këtë ulje dëgjimi janë diabeti mellitus, yndyrat e larta në gjak, hipertensioni arterial, përdorimi i disa ilaçeve ototoksike (dëmtuese të veshit), si disa lloje antibiotikësh (gentamicina, amikacina etj.), preparatet që përdoren për kimioterapi, si cisplatina, ekspozimi ndaj zhurmave etj. Janë gjetur gjithashtu edhe disa gjene që lidhen me nivele të ndryshme të uljes së dëgjimit te të moshuarit.
Përpara se të flasim për simptomat që shfaqen me humbjen e aftësive dëgjuese, mund të na shpjegoni me fjalë të thjeshta procesin e dëgjimit?
Dëgjimi varet nga një grup ngjarjesh që shndërrojnë valën e tingullit në ajër në sinjal elektrik. Tingulli hyn në kanalin e jashtëm të dëgjimit dhe përplaset me membranën timpanike apo daullen. Membrana timpanike vibron dhe ua transmeton këtë vibrim tri kockëzave të vogla të zinxhirit kockor që ndodhen në veshin e mesëm. Këto kockëza vënë në lëvizje lëngjet në kermidhin (koklea) e veshit të brendshëm dhe si pasojë vihet në lëvizje membrana bazilare në të cilën ndodhen qelizat me qime (qelizat sensore), të cilat gjithashtu, duke u përkulur, krijojnë një sinjal elektrik. Ky sinjal elektrik transmetohet nëpërmjet nervit të dëgjimit në tru, i cili i percepton si tinguj që ne i njohim dhe i kuptojmë.
Cilat janë simptomat e uljes së dëgjimit te të moshuarit?
Të moshuarve me ulje dëgjimi tingujt u duken më të ulët në volum dhe më pak të qartë, kështu që bëhet më i vështirë dëgjimi dhe të kuptuarit e të folurës, mund të jetë e vështirë të dëgjohen “s” dhe “z” që janë në frekuencat e larta. Në prani të zhurmave e kanë të vështirë të dëgjojnë, disa tinguj u duken të fortë dhe shqetësues, mund të kenë gjithashtu zhurmë në veshë. Ulja e dëgjimit e bën të vështirë bisedën me familjaret dhe miqtë, duke shkaktuar edhe izolim social të këtyre të moshuarve.
Si mund të parandalohet dhe trajtohet ulja e dëgjimit tek të moshuarit?
Akoma nuk është zbuluar mënyra se si të parandalohet kjo lloj uljeje dëgjimi. Megjithatë, trajtimi me korrektësi i sëmundjeve përkeqësuese që i përmendëm më lart, evitimi dhe reduktimi i zhurmave mund të kufizojnë gravitetin e uljes së dëgjimit nga procesi i plakjes. Ka shumë opsione që mund të ndikojnë në përmirësimin e jetës se përditshme te të moshuarit me ulje dëgjimi. Në radhë të parë, njohja e problemit është një hap i rëndë- sishëm pozitiv, sepse ulja e dëgjimit te të moshuarit mund të ngatërrohet shpeshherë me çrregullim të aftësisë njohëse. Në rast të diagnostikimit me këtë ulje dëgjimi, të moshuarit mund të trajtojnë apo evitojnë faktorët përkeqësues të uljes së dëgjimit. Shumë pacientë me ulje dëgjimi përfitojnë nga aparatet e dëgjimit, të cilat janë të llojeve të ndryshme. Implanti koklear përdoret në rastet kur pacientët nuk përfitojnë nga aparatet e dëgjimit. Përmirësimi i dëgjimit është i rëndësishëm edhe te të sëmurët me demencë, sepse ulja e dëgjimit e përkeqëson më tej aftësinë njohëse dhe funksionale të tyre.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.