Demenca, ose sëmundjet e trurit, kërcënim deri dje kryesisht te të moshuarit, sot prek edhe të rinjtë në të tridhjetat. E trashëguar ose jo, me rëndësi është ekzaminimi i sëmundjes në kohë me qëllim trajtimin.
Duke folur për llojet e demencës, Prof. Dr. Mira Rakacolli, mjeke neurologe prej më shumë se tri dekadash në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ndalet në një formë të veçantë, pas së cilës fshihet një faktor i pashmangshëm për shumëkënd sot: stresi apo depresioni.
Shenjat janë të njëjta, humbje kujtese, përqendrimi apo aftësisë për të gjykuar. Sipas mjekes, vetëm kurimi i këtyre të fundit, që shpesh njerëzit i etiketojnë si demencë, mund të rikthejë aftësitë e mësipërme, si dhe jetën normale për një person.
Rakacolli sjell disa këshilla për ata që mendojnë se kanë ulje të aftësisë njohëse. Kështu, ushtrimet e trurit, lojërat e memories, fjalëkryqet, shahu, ndërtimi i mozaikëve janë mjaft të këshilluar edhe për njerëzit e shëndoshë, edhe për të sëmurët në fazat e hershme. Një tregues me rëndësi është niveli i lartë arsimor i pacientit, i cili përbën më pak risk për progresin e sëmundjes.
ÇFARË ËSHTË DEMENCA?
Me termin “demencë” kuptojmë uljen progresive të funksioneve të larta konjitive. Funksionet e larta konjitive janë të menduarit, të gjykuarit, aftësia e të marrit vendime, kujtesa, të folurit e të tjera. Këto funksione mund të dëmtohen për shkaqe të ndryshme. Pra, demenca në vetvete nuk është sëmundje, por një sindrom që mund të ketë shumë shkaqe. Në varësi të shkaqeve, është edhe ecuria e mjekimi, si edhe problemet që lidhen me to. Mendohet se sot në botë jetojnë rreth 47.5 milionë njerëz me demencë, shifër që mund të arrijë në 75.6 milionë në vitin 2030 dhe të trefishohet në 2050-n. (Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë). Shumica e demencave shfaqen pas moshës 60 vjeç, por nuk janë të rralla edhe në moshë më të re, duke filluar që në dekadën e tretë të jetës.
LLOJET
Demencat ndahen në dy grupe të mëdha, në ato që ne i quajmë demenca degjenerative dhe ato jodegjenerative. Demencat degjenerative janë ato ku për shkaqe të ndryshme, struktura e qelizave të trurit ndryshon në mënyrë të parikthyeshme, duke humbur kështu në mënyrë përfundimtare funksionin. Në këtë grup, ajo që është më e shpeshtë dhe më e përhapur është demenca që njihet me emrin Alzheimer (shqiptimi Alcaimer), sipas emrit të mjekut që e përshkroi për herë të parë atë, që në vitin 1906. Nëse do t’u referoheshim shifrave vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë rreth 5 milionë njerëz që vuajnë nga kjo sëmundje. Preken të dyja sekset, por me një predominim të lehtë femrat më tepër. Si edhe demencat e tjera, zakonisht fillon pas moshës 60 vjeç, por në këtë formë, ka edhe raste më të reja që mund të fillojnë edhe në dekadën e katërt të jetës.
Megjithëse ndryshimet që pësojnë qelizat e trurit në këtë sëmundje sot njihen mjaft mirë, fatkeqësisht akoma nuk njihet shkaku që i jep këto ndryshime. Një pjesë, sidomos kur sëmundja është në moshë të re, është me natyrë gjenetike. Pra, një pjesë e sëmundjes se Alzheimerit është e trashëguar, por shumica e atyre që vuajnë nga Alzheimeri nuk e kanë të trashëguar dhe nuk e tejçojnë te pasardhësit e tyre. Nuk ka shenja klinike që mund të dallojnë formën e trashëguar nga ajo jo e trashëguara, përveç faktit që format e trashëguara, zakonisht, por jo detyrimisht, fillojnë në mosha më të reja se 60 vjeç. Demenca të tjera me natyrë degjenerative janë ato që lidhen me sëmundje të tjera, si p.sh., një pjesë e të sëmurëve me Parkinson, apo ajo që quhet demenca frontotemporale, ose sëmundja trupëzave Levi etj. Por këto përbëjnë një numër mjaft më të vogël se Alzheimeri.
Demencat jodegjenerative janë ato që vijnë si rezultat i dëmtimit të qelizave të trurit jo nga shkaqe që prishin strukturën e tyre. Më e shpeshta është ajo që ne mjekët e quajmë demenca vaskulare, dhe që vjen si rezultat i dëmtimit të qelizave nga çrregullimet e furnizimit me gjak. Këtu duhet të dallojmë atë demencë që shkaktohet nga aksidenti vaskular cerebral (që në gjuhën e përditshme quhet ishemi cerebrale ose hemorragji cerebrale,) kur ky aksident ndodh në zonat që përgjigjen për kujtesën, të folurit etj. Tjetër shkak për demencën mund të jetë dëmtimi traumatik i trurit nga traumat e aksidentet, përdorimi i alkoolit, disa nga çrregullimet e funksionit të gjëndrës tiroide, mungesa të Vitaminës B12 e të tjera.
Do doja të tërhiqja vëmendjen edhe për një lloj tjetër uljeje të funksioneve konjitive që ka në bazë stresin. Pra, ka raste kur njerëzit kanë probleme me kujtesën, me përqendrimin, me aftësinë për të gjykuar, pra në pamje të parë mund të duken si me demencë, por në fakt mbi bazën e këtyre çrregullimeve qëndron stresi apo depresioni, dhe me kurimin e këtyre të fundit, aftësitë konjitive kthehen plotësisht. Këtë ne e quajmë pseudodemencë. Të mos harrojmë edhe një gjë tjetër. Ulja e kujtesës, mungesa e përqendrimit, është edhe proces normal i plakjes, prandaj nuk duhet të alarmohemi se po sëmuremi me demencë. Duhet të shqetësohemi atëherë kur këto shqetësime interferojnë me aktivitetin e përditshëm.
SHENJAT E SËMUNDJES
Sot mendohet që sëmundja e Alzheimerit fillon në organizëm rreth dhjetë vjet përpara se të fillojnë shenjat e dukshme të uljes së funksioneve konjitive. Sëmundja kalon në tri faza: Në atë të lehtën, të mesmen dhe të rëndën. Shenjat e para ndryshojnë nga personi në person. Zakonisht është ulja e kujtesës, por për informacionin e ri. Pacienti mban mend shumë mirë historitë e vjetra, por e ka të vështirë të mbajë mend lajmin e ditës ose ndonjë porosi. Shenja të tjera janë vështirësia në gjetjen e fjalës, vështirësia për të arsyetuar e ndonjëherë ndjenja e shkëputjes nga ambienti. Që të quhet demencë, duhet që të jenë të pranishme së bashku me uljen e kujtesës edhe njëra nga shenjat e sipërpërmendura. Në fazën e lehtë të sëmundjes pacientët mund të kenë probleme me menaxhimin e parave, me bërjen e llogaritjes, mund të humbasin herë pas here funksionin e orientimit, ose aftësinë për ta ndjekur një histori të gjatë apo një proces të komplikuar.
Fillimisht, këto shenja shfaqen në muzg. Ndonjëherë mund të mos gjejë derën e ndonjë dhome më shtëpi, por pastaj kujtohen. Zakonisht, nëse konsultohet me mjekun, diagnoza vendoset që në këtë fazë. Në fazën e mesme humbja e kujtesës thellohet shumë, fillon gjendja konfuzionale, vështirësi në të folur, nuk di të bëjë edhe veprime të thjeshta, si p.sh. të vishet, dhe mund të shfaqen edhe halucinacione (i duket sikur shikon gjëra të cilat nuk ekzistojnë).
Në këtë fazë ata nuk njohin shumë njerëz, edhe të afërt. Në fazën e rëndë të sëmundjes, pacientët nuk njohin edhe veten e vet, e janë krejtësisht dipendent nga të tjerët. Nuk dinë të ushqehen, nuk kontrollojnë nevojat e tyre personale, fillojnë të mos çohen nga shtrati, ndonjëherë bëhen tepër agresivë e mund të bëjnë edhe veprime tepër të rrezikshme, si për shembull të godasin njerëzit apo të thyejnë e dëmtojnë objekte. Sëmundja mund të zgjasë edhe mbi 10 vjet.
TRAJTIMI
Trajtimi varet edhe nga shkaqet. Në lidhje me demencat degjenerative si Alzheimeri, fatkeqësisht, nuk ka akoma asnjë kurë që të rikthejë strukturën e qelizave të dëmtuara ose të paktën të ndalojë zhvillimin e mëtejshëm të sëmundjes. Ka disa medikamente, të cilat përmirësojnë deri diku gjendjen e të sëmurit në fazën e parë e të dytë, dhe e modifikojnë për mirë ecurinë e saj. Kur shfaqen halucinacione apo agresivitete, gjendje ankthi e frike, apo pagjumësi, përdoren medikamente për largimin e tyre. Por trajtimi është shumë më kompleks se ai medikamentoz.
Atyre u duhet asistencë e përkujdesje që të mund të kryejnë aktivitetet edhe më të thjeshta të jetës së përditshme. Shpesh familjarët e kanë të vështirë të kooperojnë me ta, duke qenë edhe shumë e dhimbshme të shohësh njeriun tënd të afërt të shndërruar, dhe shpesh duan edhe ata trajtim psikologjik apo edhe medikamentoz. Pra kostoja ekonomike e kësaj sëmundjeje, e parë në kompleks, është nga më të lartat. Mendoj që ka ardhur koha që edhe në Shqipëri të krijohen struktura të asistuara nga shteti për përballimin e kësaj sëmundjeje. Në lidhje me demencën vaskulare, ka mjekime që e përmirësojnë dhe mund ta ndalin deri diku progresionin.
Meqenëse ajo është e lidhur me sëmundjet e enëve të gjakut, si hipertensioni arterial, diabeti, obeziteti etj., trajtimi i tyre është i domosdoshëm për kontrollin e sëmundjes. Është vënë re se sa më i lartë të jetë niveli arsimor i pacientit, aq më ngadalë progreson sëmundja. Prandaj ushtrimet e trurit, si për shembull lojërat e memories, fjalëkryqet, shahu, ndërtimi i mozaikëve janë mjaft të këshilluar edhe për njerëzit e shëndoshë, edhe për të sëmurët në fazat e hershme.
PARANDALIMI
Për demencat degjenerative nuk mund të bëhet gjë për t’i parandaluar. Për ato vaskulare, duhen trajtuar që në fillim drejt hipertensioni, diabeti, obeziteti, ushqimi i shëndetshëm e aktiviteti i mirë fizik, evitimi i konsumit me tepri të alkoolit etj.
/Panorama/
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.