Mirëqenie

March 9, 2017 | 9:12

Flet mjeku Endri Harja/ Sëmundjet koronare, masat që duhen marrë pa shkuar në infarkt

Dhimbja shtrënguese, djegëse apo shtypëse në gjoks është një kambanë alarmi për personat që kanë arterie të bllokuara e që shpesh çon në infarkt. Sipas mjekut kardiokirurg, Endri Harja, kjo është shenja tipike që manifestojnë sëmundjet koronare, jo vetëm tek ata që i kanë kaluar të pesëdhjetat, por edhe më herët. Pas kësaj qëndrojnë disa faktorë risku, menaxhimi i të cilëve ndihmon shumë për ta mbajtur sëmundjen nën kontroll.

Tre faktorët kryesorë, duhanpirjen, diabetin dhe tensionin e lartë çdo person, në rast se kujdeset, mund t’i modifikojë duke ulur rrezikun e sëmundjes. Ndërkaq, ka të tjerë faktorë që të predispozuarit për t’u prekur nga bllokimi i arterieve nuk i kanë në dorë, që nga trashëgimia e deri te stresi thuajse i pashmangshëm në ditët e sotme.

Në mungesë të një analize apo ekzaminimi që mund ta parandalojë apo ta parashikojë në kohë këtë problem, doktor Harja bën thirrje për ndihmën e parë mjekësore për ata që manifestojnë dhimbjen shtrënguese tipike në gjoks, e cila assesi nuk duhet ngatërruar me ftohjen. Infarkti i miokardit konsiderohet deri më sot si sëmundja me mortalitetin më të lartë. Por në rast se trajtohet, risku për jetën ulet në 10%, nga 40% tek ata që nuk e identifikojnë në kohë.

Endri Harja Mjek kardiolog

Endri Harja
Mjek kardiolog

Çfarë është sëmundja e arterieve koronare?

Sëmundja e arterieve koronare është sëmundja arterio-sklerotike me bazë pllaka yndyrore dhe kalçike kufizuar në arteriet koronare. Në të vërtetë është një sëmundje që prek çdo enë gjaku që ndodhet në organizmin tonë, por më evidente dhe më e prekshme është tek arteriet koronare, sepse shkakton infarktin ose parainfarktin.

Nga se shkaktohet? Është një sëmundje shumëfaktoriale. Nuk ka një faktor të vetëm që e shkakton këtë sëmundje. Ndër katër faktorët madhorë mund të përmendim diabetin, tensionin e lartë, faktorin gjenetik dhe duhanpirjen. Veç tyre ka edhe faktorë që mund të cilësohen si sekondarë, ku veçojmë yndyrat e larta, stili i jetesës dhe stresi. Sa u takon shkaktarëve kryesorë, mund të themi që tre prej tyre janë të modifikueshëm, çka do të thotë se mund të trajtohen dhe për rrjedhojë të mbahen nën kontroll. Pra duhanpirja, diabeti dhe tensioni i lartë mund të mjekohen. I vetmi ku nuk mund të ndërhyhet është faktori gjenetik. Në bisedat edhe me pacientët, themi që prindërit nuk i zgjedhim dot. Për t’u rikthyer edhe një herë te 4 faktorët, pra nëse i kemi jemi të riskuar, por kjo nuk do të thotë se prekemi pashmangshmërisht nga sëmundja e arterieve koronare. Mund edhe të ndodhë që nuk ke asnjë prej tyre dhe sërish sëmuresh. Thjesht ndryshon profili i riskut. Me kalimin e viteve ka ndryshuar edhe mosha në të cilën shfaqet sëmundja. Më parë kufiri ishte mbi 60 vjeç, ndërsa sot është ulur shumë mosha. Më të riskuar në raport me femrat janë meshkujt, për shkak të mënyrës së jetesës, por edhe të anës hormonale. Femrat deri në moshën 50 vjeçe janë të mbrojtura nga sëmundja koronare. Pra sëmuren më rrallë, por më rëndë se meshkujt. Pas kësaj moshe, pra pas moshës 50 vjeç, rreziku barazohet.

Sëmundja e arterieve koronare zhvillohet ngadalë dhe identifikohet tepër vonë.E bën të vështirë për t’u menaxhuar kur arrin në stade të avancuara?

Fatkeqësisht është sëmundje që, në një pjesë të mirë të rasteve, identifikohet pasi shfaqet infarkti, parainfarkti apo ndonjëherë ishemia e fshehtë. Sot, në të gjithë botën po bëhen studime për të zbuluar ekzaminime apo analiza të veçanta të cilat mund ta parashikojnë në kohë para se të ndodhë problemi. Por, për fat të keq, nuk ka asnjë analizë apo ekzaminim të veçantë që mund ta parandalojë apo ta parashikojë në kohë këtë problem. Sigurisht që kjo e rrit kompleksitetin e trajtimit të sëmundjes, pasi do të ishte shumë herë më mirë të parandalohej, sesa të trajtohej. Por, gjithsesi, duke ditur faktorët e riskut, ne e kemi të qartë profilin e personave që kanë predispozitë për t’u prekur. Hapi i parë që ndërmarrim kur identifikojmë këto raste është pikërisht modifikimi i këtyre faktorëve. Japim mjekime për të ulur yndyrat, mjekojmë tensionin, diabetin, e këshillojmë të lërë duhanin etj. Pra, duke ditur profilin e riskut ne marrim masa më të hershme. Ky quhet parandalimi parësor. Sot, nuk ka asnjë ekzaminim që mund ta parashikojë 100 për qind këtë shfaqje.

Identifikimi në fazat e vonshme, a lidhet me neglizhimin e shenjave klinike që manifeston sëmundja?

Po, është e vërtetë që njëra sjell tjetrën. Ankesa tipike apo shenja tipike që shfaq sëmundja është dhimbja e gjoksit. Fatkeqësisht, në vendin tonë një dhimbje e tillë lidhet me ftohjen dhe e neglizhojnë. Dhimbja e gjoksit me origjinë nga enët koronare ka disa karakteristika tipike, është shtrënguese, djegëse, shtypëse etj. Por në popullatë mungon ndërgjegjësimi, kjo bën pastaj që sëmundja të identifikohet në faza të avancuara. Mbi 90 për qind e të sëmurëve kur i pyesim sepërse nuk janë paraqitur më parë për vizitë, na thonë se kanë pandehur se ishte ftohje. Por ftohja nuk ka dhimbje gjoksi me këto karakteristika që unë përmenda. Ndaj në momentin që ndihen ato, duhet të shërbejnë si kambanë alarmi. Infarkti, apo parainfarkti i patrajtuar apo i shtyrë në kohë e rrit shumë rrezikun për jetën.

Cilat janë metodat e trajtimit?

Trajtimi përfshin tri shtylla. Shtylla e parë është trajtimi me medikamente, që është zhvilluar shumë dhe po sjell rezultate. Më pas janë stentet apo unazat, siç quhen në zhargonin popullor, si edhe ndërhyrjet me operacion (bypass).

2

Kur aplikohet njëra, apo tjetra metodë?

Terapia medikamentoze ka bërë diferencën sot dhe në rezultate. Janë disa medikamente që janë baza e trajtimit të pacientëve me sëmundje ishemike. Është aspirina, e cila hollon në mënyrë të moderuar gjakun. Statinat që ulin nivelin e kolesterolit të keq, janë ACE-inhibitorët, p.sh. ramiprili etj., të cilët janë disa medikamente që kanë efekte përfituese për sëmundjet koronare, si dhe betabllokuesit. Në varësi të situatës klinike përcaktohet edhe ndërhyrja. Në situatën akute, kur kemi një infarkt, ndërhyrja e parë që bëhet është koronarografia, e cila konsiston në futjen e disa tubave shumë të hollë deri tek enët koronare, me të cilët kuptojmë nëse ka ngushtim apo jo. Në fazën akute është katërcipërisht e vërtetuar se ndërhyrja më e mirë dhe më e shpejtë është koronarografia me anë të stentave, duke bërë të mundur zhbllokimin e enëve të ngushtuara që shkaktojnë infarktin apo parainfarktin. Por kur kjo ndërhyrje është e pamundur, atëherë vendosja e unazave kalon në plan të dytë dhe zgjidhja është bypass-i. Ka raste kur një pacient përfiton nga një trajtim i integruar i të tria këtyre modaliteteve.

Çfarë është saktësisht bajpasi aorto-koronar?

Bajpasi aortokoronar është një ndërhyrje kirurgjikale, e cila konsiston në ndërtimin e rrugëve të reja në enët koronare, të cilat bëjnë të mundur rifurnizimin me gjak të zonave të caktuara të muskulit të zemrës. Studimet tregojnë qartë- sisht se kur kjo ndërhyrje realizohet me cilësi të lartë dhe sipas indikacioneve të sakta, ajo zgjat jetën dhe përmirëson cilësinë e saj, domethënë më pak infarkte, më pak dhimbje.

Sa prezent është risku për jetën?

Infarkti i miokardit është një nga sëmundjet me mortalitet më të lartë. Nëse është i patrajtuar, risku është deri në 40 për qind, por nëse trajtohet në kohë, risku ulet dhe shkon 10 për qind. Duhet thënë që vitet e fundit ka pasur një ulje të numrit të rasteve që kanë pasur një fund fatal.

Sa i takon dietës, apo regjimit ushqimor, sa i rëndësishëm është?

Mesdheu ka dietën më të mirë sa u takon sëmundjeve kardiake. Rekomandohet një dietë e balancuar, me proteinat, yndyrat dhe karbohidratet e nevojshme. Preferohet mishi i bardhë dhe jo i kuq. Yndyrat të jenë bimore dhe më pak shtazore. Ka rënë miti që nuk duhen të konsumohen fare yndyrat. Njeriu ka nevojë për pak nga të gjitha, por duhet të jenë në masën e duhur. Pra, kërkohet të respektohet ajo që ndryshe mund të quhet e mesmja e artë./Panorama/

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top