Në fokus

September 20, 2017 | 9:27

Flet mjeku neurolog, Altin Kuqo: Alzheimeri, fazat nëpër të cilat kalon sëmundja, si mund të kuptohet në kohë

Pas të 60-ave nisin të shfaqen edhe shenjat e para të Alzheimerit, një sëmundje e cila dëmton pjesë të ndryshme të trurit, duke përfshirë kujtesën, inteligjencën dhe gjykimin. Ndërsa humbja e aftësisë njohëse është e pakthyeshme, shkalla e progresionit të sëmundjes ndryshon nga një individ te një tjetër.

Mjeku neurolog, Altin Kuqo

Mjeku neurolog, Altin Kuqo

Mjeku neurolog, Altin Kuqo, bën me dije edhe fazat nëpër të cilat kalon Alzheimeri, si edhe simptomat që manifeston në çdo stad. Humbje e kujtesës për ngjarjet e ndodhura së fundmi, konfuzitet mbi vendet për të cilat ka qenë i familjarizuar, ngadalësim në kryerjen e veprimeve të aktivitetit ditor, vështirësi në menaxhimin e parave.

Janë këto disa prej treguesve fillestarë, të cilët me kalimin e kohës, nisin të bëhen më prezentë. “Në fazat më të avancuara të sëmundjes, pacienti humbet arsyetimin dhe nuk mund të kryejë veprime logjike, e ka të pamundur të mësojë gjëra të reja, ndihet i axhituar, qan dhe qesh pa arsye, ka ankth, nisin po ashtu t’i shfaqen halucinacione, paranojë, dyshime për çdo gjë”, pohon doktori. Në varësi të shenjave bëhet edhe mjekimi.

Alzheimeri është forma më e zakonshme e demencës, diçka më tepër rreth kësaj sëmundjeje?

Sëmundja e Alzheimerit është një sëmundje neurodegjenerative, që karakterizohet prej dëmtimit të funksioneve konjitive dhe të sjelljes, të cilat ndikojnë në mënyrë thelbësore në jetën sociale dhe profesionale. Kjo sëmundje është e pakurueshme dhe karakterizohet nga një fazë e gjatë preklinike dhe ka një ecuri përkeqësuese progresive. Të gjitha shenjat dhe simptomat e sëmundjes së Alzheimerit kanë në bazë vdekjen e qelizave nervore që ndodhen në koren e trurit (neuroneve), të cilat nëpërmjet disa mekanizmave të mirë- studiuar humbasin fillimisht funksionin dhe më vonë vdesin edhe fizikisht. Shkaku, i cili vë në lëvizje këta mekanizma, nuk dihet ende, por me gjasë shkaku është multifaktorial. Alzheimeri është forma kryesore dhe më e përhapur e demencave, në të cilën dëmtohen vetëm qelizat nervore që janë përgjegjëse për funksionet që cekëm më sipër, por ka edhe disa forma të tjera më të rralla, si demenca vaskulare, traumatike apo në degjenerimet multisistemike.

Cilët janë faktorët e riskut?

Po, ka disa faktorë risku, të cilët ndihmojnë në shfaqjen e shenjave të demencës, të tillë si: mosha e thyer, historia familjare, obeziteti, rezistenca ndaj insulinës, hipertensioni arterial, çrregullimet e yndyrave në gjak (dyslipidemia, prania e disa faktorëve të inflamacionit, faktorët vaskularë, sindroma down, si edhe dëmtimi traumatik i trurit.

Someone is erasing a drawing of the human brain. Conceptual imag

Zakonisht, diagnostikohet te personat mbi moshën 65 vjeç, por shenjat e para nisin të shfaqen shumë më herët. Si mund të kuptohet, pra cilat janë ata tregues që nuk duhen neglizhuar?

Po, është e vërtetë që shenjat e sëmundjes së Alzheimer it shfaqen rreth dekadës së gjashtë të jetës, por sëmundja ka një fazë preklinike ku pacientët në aspektin fizik dhe të funksioneve të trurit janë në dukje normale. Ata nuk shfaqin asnjë shenjë apo simptomë të lidhur me kujtesën apo funksionet e larta intelektuale dhe aq më pak të sjelljes, por disa zona në tru që janë përgjegjëse për këto funksione kanë filluar të dëmtohen duke zvogëluar numrin e neuroneve përkatëse. Pas kësaj faze fillon faza e lehtë, ku fillojnë të shfaqen edhe shenjat e para, si: Humbje e kujtesës për ngjarjet e ndodhura së fundmi, konfuz mbi vendet për të cilat ka qenë i familjarizuar, ngadalësim në kryerjen e veprimeve të aktivitetit ditor, vështirësi në menaxhimin e parave (vështirësi për të kryer veprime me mend dhe në pagesa). Po ashtu, humbje e iniciativës dhe shpesh e gjykimit, duke çuar në konkluzione të gabuara, si edhe çrregullime të humorit, që shprehet më së shumti me gjendje ankthi ose më rrallë depresion.

Alzheimeri dëmton pjesë të ndryshme të trurit, duke përfshirë kujtesën, inteligjencën, gjykimin. Si manifestohet në fazat e mëvonshme?

Pas fazës së lehtë, shfaqen shenjat e fazës së moderuar, ku shenjat e mësipërme janë më të shprehura, vihen në dukje me lehtësi prej familjarëve, por edhe prej njerëzve që nuk janë të afërt, por shfaqen edhe simptoma të reja. Këto shenja janë: Shtim i humbjes së kujtesës dhe i konfuzionit, vëmendje e shkurtër, fillon të mos njohë miqtë, madje dhe anëtarët e familjes, si edhe të ketë probleme me të folurin, e po ashtu pamundësi për të shkruar e për të lexuar. Në këtë fazë të sëmundjes, pacienti humbet arsyetimin dhe nuk mund të kryejë veprime logjike, e ka të pamundur të mësojë gjëra të reja, ndihet i axhituar, qan dhe qesh pa arsye, ka ankth, nisin po ashtu t’i shfaqen halucinacione, paranojë, dyshime për çdo gjë. Humbet aftësinë për të kontrolluar impulset bazike, zhvishet vend e pa vend deri dhe kryen nevojat personale në vende jo të përshtatshme, gjuha e folur kthehet në vulgare dhe me fjalë të pista, ka vështirësi për t’u çuar nga karrigia ose për të ecur. Pas kësaj faze, kalojmë në fazën e rëndë të sëmundjes, që është dhe fundi i jetës. Në këtë fazë pacientët zënë shtratin dhe janë totalisht të varur prej familjarëve, nuk njohin as njerëzit më të dashur, nuk komunikojnë, por nxjerrin vetëm tinguj të tipit mërmërima, nuk ushqehen pasi kanë vështirësi për t’u gëlltitur, nuk kontrollojnë më ujin e hollë dhe të trashë, karakterizohet nga rënie e theksuar në peshë dhe rrinë më tepër në gjendje gjumi.

Në rastin e Alzheimerit, sa vlerë ka diagnostikimi në kohë?

Duke patur parasysh sa thamë më sipër, është e vështirë, madje e pamundur, të diagnostikosh këtë sëmundje në fazat e hershme. Por si për çdo patologji tjetër, diagnostikimi i hershëm mund të ndikojë në marrjen e masave mjekësore për të minimizuar sadopak avancimin me ritëm të shpejtë të sëmundjes, për këtë ka edhe studime shkencore që e vërtetojnë. Në fund të fundit, duhet të mbajmë parasysh se deri më sot kjo sëmundje mbetet e pakurueshme dhe e pashërueshme.

Cili është roli që ushqimet kanë në mbrojtjen e trurit, për pasojë edhe në parandalimin e Alzheimerit?

Deri me sot nuk ka asnjë të dhënë të bazuar në evidenca shkencore se ushqimi apo dieta të caktuara të kenë ndikim të veçantë në sëmundjen e Alzheimerit.

Sa e përhapur është në vendin tonë?

Mbi bazën e një studimi të kryer nga Shërbimi i Neurologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, drejtuar nga prof. Jera Kruja, ka rezultuar një prevalencë e demencës në 9,6 për 1000 banorë. Ky tregues është për të gjitha llojet e demencave dhe jo vetëm për Alzheimer-in. Shifra, në të vërtetë, është pak më lartë se në vendet e tjera të rajonit dhe në Europë. Për të shpjeguar këtë nivel të lartë të demencës në vendin tonë, duhen studime edhe më të thelluara, kështu që për momentin nuk kemi një përgjigje ekzakte përse kjo shifër është kaq e lartë.

Si trajtohet dhe a trajtohet si duhet, pasi në jo pak raste shoqëria priret t’i shohë këto probleme të lidhura me moshën dhe nuk u jep rëndësinë apo kujdesin e duhur?

Sëmundja e Alzheimerit në të vërtetë është një sëmundje e lidhur ngushtë me plakjen e popullatës. Kjo do të thotë, se sa më e lartë të jetë jetëgjatë- sia mesatare, aq edhe më shumë pacientë me Alzheimer do të kemi. Në të gjithë botën kjo sëmundje është një problem i rëndësishëm mjekësor por, po aq është edhe një problem i madh social dhe i shëndetit publik. Trajtimi mjekësor është i thjeshtë, pasi në varësi të shenjave që shfaq pacienti, do të kryet edhe mjekimi. Pjesa më e vështirë e trajtimit është përkujdesja që kanë nevojë këta pacientë për të bërë një jetë me një cilësi të pranueshme për pacientin, por edhe për familjarët. Në kuadër të pyetjes suaj, nuk është e vërtetë që këta pacientë neglizhohen nga mjekësia për shkak të moshës. Këta pacientë në vendin tonë janë të neglizhuar nga politikat sociale të shtetit, ku mungojnë qendra komunitare të posaçme për trajtimin e këtyre pacientëve, që duhet thënë, se ky trajtim kërkon edhe kosto të larta të papërballueshme nga një familje mesatare në vendin tonë. Aktualisht, në Shqipëri këta pacientë kanë kosto jashtëzakonisht të lartë për familjen, sepse duke qenë pacientë që kanë nevojë për një përkujdesje të vazhdueshme, ndonjëherë kërkojnë angazhimin e më shumë se një pjesëtari të familjes, duke e larguar atë ose ata nga puna. Është një sëmundje, që në fazën e moderuar dhe të rëndë, vuajtjen më të madhe e kanë familjaret si fizike dhe psikologjike, më tepër se vetë i sëmuri.

Së fundmi disa këshilla?

Nuk mendoj se ka këshilla të veçanta për njerëzit, në mënyrë që të parandalojnë ose të mos sëmuren nga demenca. Sot, mendohet se ushtrimi sistematik i trurit me ushtrime të kujtesës, ku më i thjeshti dhe ndoshta me i përhapuri është zgjidhja e fjalëkryqeve, por edhe loja e shahut, apo leximi i letërsisë në mënyrë konstante dhe të vazhdueshme, sidomos poezitë, mendohet se vonojnë shfaqjen e shenjave të demencës./Panorama

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top