Mirëqenie

June 21, 2017 | 13:00

Flet prof. dr. Mihal Tase: Hipertensioni i pamjekuar ose i mjekuar keq, komplikimet që sjell

Ndryshe nga çfarë mund të jetë menduar, hipertensioni nuk shfaq shenja klinike. Bindjet e njerëzve ndër vite se dhimbja e kokës, përshpejtimi i rrahjeve të zemrës apo marramendjet janë tregues të një presioni arterial të lartë, nuk janë veçse mite që nuk bartin asnjë të vërtet mjekësore. Sipas prof. dr. Mihal Tases, në jo pak raste hipertensioni shfaqet i fshehur apo i maskuar, dhe kjo bën që sëmundja të mos zbulohet në kohë.

Përmes një interviste dhënë për gazetën, shefi i Shërbimit të Mjekësisë Iterne dhe Hipertensionit në QSUT tregon gjithçka që duhet të dini mbi atë që është etiketuar edhe si “vrasësi i heshtur”. Një vështrim i detajuar mbi faktorët e riskut, predispozitën moshore, skemën e trajtimit, komplikimet që vijnë nga mjekimi jo i duhur ose i vonuar, si edhe dietën që rekomandohet.

Prof.Dr.Mihal Tase

Prof.dr.Mihal Tase

Doktor, çfarë është hipertensioni dhe nga se shkaktohet?

Hipertensioni arterial (HTA)është një sëmundje që lidhet me shifrat. Kur shifrat e presionit arterial dalin më të larta se 140 mmHg për presionin Sistolik dhe > 90mmHg për presionin diastolik, ne themi që kemi të bëjmë me hipertension. Megjithatë, asnjëherë nuk duhet të mjaftohemi vetëm me një matje të vetme. Një matje e vetme është e pasigurt për dy arsye: së pari kemi të bëjmë me atë që njihet si hipertensioni i bluzave të bardha. Pra, momenti kur një mjek viziton një të sëmurë për shkak të emocioneve apo situatës që krijohet nga konsulta, pacienti mund të ketë një rritje të presionit arterial që nuk reflekton gjendjen e vërtetë. Dhe së dyti kemi të bëjmë edhe me njëlloj hipertensioni të etiketuar si i fshehur apo i maskuar. Ndaj dhe për ta shmangur këtë, ka dy rrugë: ose duke bërë matje të herëpashershme të presionit arterial nga mjeku, infermieri apo edhe në kushte shtëpie, dhe tjetra që mund të aplikohet është matja ambulatore e presionit arterial me anë të një aparati të posaçëm që bën rreth 100 matje në harkun e 24 orëve, duke vlerësuar gjendjen mbi çdo rrethanë. Kjo më pas shoqërohet me një mesatarizim të shifrave, sepse presioni është një variabël që ndryshon gjatë 24 orëve. Kur kjo mesatare është më pak se 124 për presionin arterial të lartë dhe më pak se 84 për presionin arterial të ulët është normale.

Në lidhje me shkaktarët, veç faktorit gjenetik, çfarë e nxit tjetër?

Kur flasim për shkaktarët e hipertensionit arterial, se përse vjen kjo sëmundje, duhet të kuptojmë dy gjëra: së pari ka dy forma të hipertensionit arterial, është hipertensioni esencial ose hipertensioni që ne nuk arrijmë dot të identifikojmë një shkak të vetëm, ndaj edhe quhet i tillë. Veç tij është edhe hipertensioni sekondar, prej të cilit po ashtu vuajnë një numër i konsiderueshëm personash. Ky i fundit na lejon që të identifikojmë shkaktarin, që mund të ketë shkak endokrin, një sëmundje surrenale, sëmundje të enëve të gjakut.,kryesisht të veshkave, sëmundje të indit lidhor etj. Gjetja e tyre jo vetëm na ndihmon për ta mjekuar shumë më mirë presionin arterial, por nganjëherë edhe për ta shëruar. Ndaj edhe të arrish në origjinë, nuk është thjesht dhe vetëm një kënaqësi personale, por është një ndihmesë që i jepet pacientit. Ndërsa hipertensioni esencial, prej të cilit vuajnë 80 deri në 85% e pacientëve, është një sëmundje e njerëzimit, tipike për racën njerëzore, e lidhur me vetë jetën. Qeniet tona të para ishin njëqelizore dhe më pas u bënë shumëqelizore. Në këtë evolucion do të duhej, që ato të shkëmbenin me ambientin e ëm. Duhej një shkëmbim i ujit, kripërave minerale, proteinave të ndryshme. Dalëngadalë u krijuan mekanizma të tillë që të krijonin një ekuilibër të qenieve të gjalla me mjedisin përreth. Hipertensioni është një sëmundje e evolucionit të qenieve të gjalla. Njeriu si homo sapiens ka rreth 300 mijë vjet që ekziston nëpër botë dhe në çdo etapë është përballur me vështirësi, të cilat janë reflektuar në sistemin gjenetik. Kripa është një element që ka ardhur vonë, atëherë kur njeriu nisi të ruajë ushqimet. Shkëputja nga jeta nomade ishte edhe momenti, kur u shfaq domosdoshmëria për konservimin e ushqimeve. Kripa ishte elementi që e bënte të mundur këtë. Nga ana tjetër, mungesa e ushqimeve, thatësira dhe kushtet klimaterike të veçanta, të mos harrojmë se të dhënat tregojnë se paraardhësit tanë vijnë nga Afrika Verilindore, një vend i thatë e i nxehtë, që në periudhat e thatësirave e vështirësive të mëdha të klimës, gjatë evolucionit mijëravjeçar, solli modifikimin e gjeneve, lindën ato që gjenetistët i quajnë gjenet ekonome, ose gjenet e kursimit, të tilla për ta mbajtur natriumin dhe ujin. Por këto gjene, nëse dikur na mbronin, sot nuk na mbrojnë më, pasi jetojmë në një periudhë bollëku. P.sh., afrikanët që jetojnë sot në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kishin gjenin e kursimit, pasi në Afrikë për shkak të temperaturave të larta, njerëzit djersitin duke humbur shumë kripëra dhe për rrjedhojë ishin adaptuar për ta mbajtur gjatë kripën. Por kur këta afrikanë shkuan në SHBA, në një ambient shumë të ftohtë, me mënyra të tjera të ushqyerjes, përfunduan duke marrë sasi të mëdha kripe dhe duke konsumuar alkool. Të gjitha këto bënë që ata të kenë presione shumë të larta në raport me popullatën tjetër. Nëse te të bardhët e Amerikës hipertensioni mjekohet shumë më mirë, me frenues të enzimës së konversionit apo me kalci-bllokues, tek afro-amerikanët mjekimi më efikas është me diuretikë. Duhet të kuptojmë që është një evolucion, i cili lidhet jo vetëm me evolucionin e jetës, por edhe me evolucionin e vetë njeriut të sotëm.

1

Sot, cilët janë “armiqtë” e hipertensionit?

Ne kemi ndryshuar tërësisht mënyrën e jetesës. Njeriu nuk është formuar nga pikëpamja biologjike për të ndenjur në qetësi. Nëse themi që kemi 300 mijë vjet si homo sapiens, nuk duhet të harrojmë që kemi vetëm 100 vjet që rrimë ulur. Sot obeziteti është një problem, sepse ushqimi i tepër është evident. Në botë vret më shumë obeziteti sesa lufta. Më shumë vret “MC Donald”-i, sesa armët. Përdoret me tepri kripa, po ashtu alkooli, sheqernat, dhe të gjitha këto na kanë gjetur ne të papërgatitur nga pikëpamja gjenetike. Në këto situata është e rëndësishme që njerëzit ta kuptojnë këtë gjë dhe të përpiqen që të jenë ata që i ka bërë natyra për të qenë. Pra, të merren sa më shumë me aktivitet fizik, të bëjnë shumë kujdes me peshën, si edhe me përdorimin e kripës në sasi të madhe, pasi ne përdorim tre deri në katër herë më shumë në raport me nevojat tona reale. Përdorimi i duhanit është po ashtu i dëmshëm. Shoqërimi i hipertensionit me sëmundje të tjera bashkëshoqëruese, si diabeti apo sëmundje të enëve të gjakut, janë probleme të mëdha. Sot në botë janë 1 miliard e 100 mijë vetë që vuajnë nga hipertensioni arterial, pra 30% e popullatës së përgjithshme. Besohet se në 7-8 vitet që do të pasojnë shifra do të shkojë rreth 1 miliard e gjysmë. Në jo pak raste argumentet për përdorimin e kripës janë edhe të një natyre subjektive, të tipit “i jep shije ushqimeve”, por çfarë qëndron pas këtyre pohimeve? Sa e nevojshme është kripa për organizmin? Kjo që ju thoni qëndron, por duhet sqaruar po ashtu se pa natriumin, kaliumin, klorin, kripërat minerale të ndryshme nuk do të kishte jetë. Është e pamundur, pasi janë të domosdoshme për ekuilibrin osmolar të likideve në gjak. Të mos harrojmë që njeriu ka 66% ujë. Po të mos kishim natriumin së bashku me elementët e tjerë, nuk do të kishim ujë në organizëm, sepse janë pikërisht këto që e mbajnë. Kripa nuk është vetëm ajo që përdoret në gjellë, pasi çdo produkt që ne përdorim ka në përbërje të vet kripë.

Faktori moshë, çfarë peshe ka?

Hipertensioni arterial është një sëmundje që rritet me moshën. Në qoftë se deri në moshën 50 vjeç nuk është një sëmundje shumë e shpeshtë, pas të 50-ve incidenca rritet. Rreth 50% e burrave që janë mbi 50 vjeç dhe 50% e grave mbi 55 vjeçe vuajnë nga presioni arterial. Në çdo 10- vjeçar që kalon rritet përqindja. Jetëgjatësia mesatare e njerëzve është rritur. Sot mesatarja në vendet e zhvilluara është mbi 80 vjeç. Edhe te ne jetëgjatësia është rritur. Kjo jo vetëm prej përmirësimit të kushteve të jetës, por edhe për shkak të sukseseve që ka shënuar mjekësia. Kujtojmë që më parë mortaliteti ka qenë shumë i lartë. Mund të vdisje nga një sëmundje banale, sepse mungonte mjekimi.

Progresi në mjekësi është një aspekt, por në drejtim të kulturës në popullatë çfarë mund të thuhet? A janë njerëzit më të ndërgjegjshëm sot?

Sigurisht. Nuk mund të ndahen, pasi ecin në të njëjtën linjë. Një shoqëri e kultivuar, një shoqëri i arsimuar, me mentalitet të ndryshuar, natyrisht që është më e mbrojtur. Mesatarja e jetëgjatësisë së njerëzve të arsimuar është më e madhe, në raport me pjesën tjetër të popullatës. Në jo pak raste hipertensioni është i maskuar, për rrjedhojë nuk manifeston as shenja tipike klinike.

Por cilat janë shqetësimet që duhet të na adresojnë te mjeku?

 

Përgjithësisht presioni arterial i rritur nuk ka shenja. Dhimbja e kokës, përshpejtimi i rrahjeve të zemrës, marramendjet, janë shumë të rralla. Në shumicën e rasteve ato nuk lidhen me hipertensionin, ndonëse te njerëzit është krijuar bindja që janë tregues të një presioni arterial të lartë. Është fat, do ta konsideroja unë, kur i kanë, sepse kështu i drejtohen mjekut për një trajtim të specializuar. Fakti që nuk manifeston shenja, bën që të mos zbulohet në kohë. Nga check-up-i i bërë nga qeveria, midis të tjerave, ka një të dhënë tepër interesante. Rreth 1/6-a e njerëzve që rezultuan me hipertension, nuk e dinin që ishin hipertonikë.

Megjithëse duhet thënë që ka skepticizëm mbi të dhënat e checkup-it…

Skepticizmi është i natyrës njerëzore. Nëse nuk do të kishte skepticizëm, nuk do të kishte zhvillim. Për t’ju rikthyer edhe një herë pyetjes suaj, mungesa e shenjave nuk është problemi më i madh i hipertensionit, pasi është edhe lodhja. Të dhënat tregojnë që nëse në momentin e parë pacientët e marrin në rregull mjekimin, me kalimin e muajve fillojnë të heqin dorë. Pakësojnë ilaçet, nuk i marrin rregullisht, duke shkuar deri në ndërprerje. Lidhja me mjekimin te hipertonikët është shumë e keqe, pikërisht edhe për faktin që nuk ka shenja. Një shekull më parë, kur flitej për hipertensionin, mjekët më të mirë në botë thoshin që nuk duhet mjekuar, sepse është një mekanizëm kompesator për të siguruar furnizimin me gjak të organizmit. Kur kemi ateroskelerozë apo ngushtim të enëve të gjakut, presioni rritet për të siguruar furnizimin adekuat të organeve me gjak, pra me oksigjen e energji. Një mjek anglez në 1930-n shkruante në “British Medical Journal”, revista më e vlerësuar e kohës: “gjëja më e mirë është që të mos e masim tensionin, që të mos e dimë që është i lartë, se gjithnjë do të gjendet ndonjë budalla që do të përpiqet që ta ulë”.

Megjithëse duhet thënë që ka skepticizëm mbi të dhënat e checkup-it… Skepticizmi është i natyrës njerëzore. Nëse nuk do të kishte skepticizëm, nuk do të kishte zhvillim. Për t’ju rikthyer edhe një herë pyetjes suaj, mungesa e shenjave nuk është problemi më i madh i hipertensionit, pasi është edhe lodhja. Të dhënat tregojnë që nëse në momentin e parë pacientët e marrin në rregull mjekimin, me kalimin e muajve fillojnë të heqin dorë. Pakësojnë ilaçet, nuk i marrin rregullisht, duke shkuar deri në ndërprerje. Lidhja me mjekimin te hipertonikët është shumë e keqe, pikërisht edhe për faktin që nuk ka shenja. Një shekull më parë, kur flitej për hipertensionin, mjekët më të mirë në botë thoshin që nuk duhet mjekuar, sepse është një mekanizëm kompesator për të siguruar furnizimin me gjak të organizmit. Kur kemi ateroskelerozë apo ngushtim të enëve të gjakut, presioni rritet për të siguruar furnizimin adekuat të organeve me gjak, pra me oksigjen e energji. Një mjek anglez në 1930-n shkruante në “British Medical Journal”, revista më e vlerësuar e kohës: “gjëja më e mirë është që të mos e masim tensionin, që të mos e dimë që është i lartë, se gjithnjë do të gjendet ndonjë budalla që do të përpiqet që ta ulë”.

Fakti që zbulohet me vonesë, çfarë komplikimesh mund të sjellë?

Kur zbulohet me vonesë apo mjekohet keq, shfaq komplikacione. E para është zemra që vuan, pasi është organi që duhet të pompojë gjak në të gjithë organizmin. Kur presionet janë të rritura, puna e zemrës për të hedhur gjakun bëhet më e vështirë. Në qoftë se presioni në arterie është më i lartë, fuqia kontraktuese e zemrës duhet të jetë më e madhe për ta pompuar gjakun. Pra, dëmtimi i parë që pëson zemra është hipertrofia e ventrikulit të majtë (HMV) apo trashja e mureve të zemrës, e cila shoqërohet nga ana tjetër me dëmtime të arterosklerozës së koronareve. Pra sëmundje iskemike e zemrës apo infarkti i miokardit. E thënë më thjesht, është shumë e shpeshtë te njerëzit që vuajnë nga presioni i rritur në raport me ata që e kanë presionin normal. E dyta, janë dëmtimet e enëve të gjakut, dëmtime që shoqërohen me atreriosklerozën dhe me dëmtime strukturale të arterieve të enëve të gjakut. Kjo bën që të kemi edhe insuficensë kardiake, që është një sëmundje që sot vret më tepër sesa kanceri. Rreth 50% e insuficensës kardiake është pasoje e hipertensionit të pamjekuar mirë ose i pamjekuar fare. Po ashtu, hipertensioni arterial është shkak i insultit cerebral, ishemik apo hemorragjik. Sëmundjet e veshkave po ashtu, nëse sot kemi një rritje të trendit të insuficensës renale kronike në stade që kërkojnë dializë apo transplante, kjo lidhet edhe me hipertensionin arterial. Pra, ka shumë sëmundje që kanë në themel të tyre hipertensionin, ndaj duhet të mjekohet. Pikërisht për këto pasoja që jep, etiketohet si “vrasës i heshtur”.

Cila është skema e mjekimit dhe çfarë keni parasysh kur thoni mjekim i gabuar?

Skemat e mjekimit janë individuale. Ne duhet të kemi parasysh që kur mjekojmë një të sëmurë, me çdo lloj sëmundje, ne nuk mjekojmë sëmundjen, por një individ që vuan nga kjo patologji, në rastin tonë individin e sëmurë me hipertension arterial. Çdo individ ka karakteristikat e veta, që nga gjenet, mënyra e jetesës, arsimimi, mundësitë ekonomike etj. Për këtë edhe nuk ka skema standarde. Por, megjithatë ka disa linja të përgjithshme që ne duhet t’i ndjekim. I rëndësishëm është mjekimi me frenues të enzimës së konversionit apo antgoniste të receptorëve të Angiotenzinës, kalci- bllokues, diuretikët, beta-bllokuesit etj. Përveç kësaj, ka edhe medikamente të tjera që janë më specifike, pasi kanë efekte anësore. Mënyra se si kombinohen ilaçet është me rëndësi. Nëse do të japësh një frenues të enzimës së konversionit dhe një beta-bllokues, nuk ke gjetur mjekimin e mirë, pasi nuk kanë efekt sinergjik, pra nuk e shtojnë efektin e njëra-tjetrës. Ka mjekë që e japin këtë mjekim. Por, nëse përdor frenuesin e enzimës së konversionit me një kalci-bllokues, ke bërë një mjekim të mirë pasi fuqizojnë efektin e njëri-tjetrit dhe ulin presionin. Një gjë tjetër që është prapë mëkat i mjekëve, përveç mënyrës se si i kombinojnë mjekimet, është edhe inercia terapeutike. Me inerci terapeutike kuptojmë faktin se nganjëherë mjekët, ashtu siç lodhen të sëmurët nga mjekimi, ashtu lodhen edhe mjekët, gjë që nuk është normale. Japin të njëjtin ilaç edhe kur konstatojnë se nuk ka dhënë efektin e pritur. Kjo ndodh pothuajse në 25% të rasteve. Ndaj ky është një apel që ne ua kujtojmë shpeshherë mjekëve: mjekoni me kujdes dhe këmbëngulni që të arrini objektivin.

Mjekimi i gabuar është vetëm mëkat i mjekut, apo edhe i vet pacientit?

I gabuar mund të jetë fjalë e rëndë, pasi çdo mjekim mund të jetë i vlefshëm. Edhe ato që unë i cilësova si kombinime jo të mira, prapë kanë një efekt, ndonëse s’kanë efektin e dëshiruar. Pra jo mjekimi i gabuar, por mjekimi joadekuat është mëkat i të dyja palëve. Shpeshherë edhe pacientët abuzojnë. Janë të paktë ata të cilët i ndjekin me përpikëri rekomandimet e mjekëve. Një ndër dështimet më të sigurta në mjekësi është përpjekja për të stabilizuar peshën.

Mjekimi tradicional, pra regjimi ushqimor, çfarë roli luan?

Dieta është shumë e rëndësishme. Në të gjitha rekomandimet tona, dieta është e para. Rekomandohet shmangia e ushqimeve me kalori të tepërta, përdorimi i tepruar i kripës, yndyrave shtazore. Vaji i ullirit nuk bën të njëjtin dëm në raport me yndyrat shtazore. Nga ana tjetër përdorimi i frutave të thata është me rëndësi, si arrat, bajamet. Është me rëndësi që të mos neglizhohet aktiviteti fizik, të mos konsumohet duhan dhe alkool. Të gjitha këto ndikojnë po aq sa ilaçet në mjekimin e presionit arterial. Trajtimi nga ana e mjekut nis atëherë kur këto këshilla neglizhohen. Mitet e krijuara, “p.sh. limoni e ul”, “kafja e rrit presionin” sa vërtetësi mjekësore kanë? Studimet kanë treguar se kafja nuk ka lidhje me presionin arterial. Limoni mund ta ulë presionin, por përkohësisht dhe nuk mund të jetë bazë mjekimi. Por kafja nuk ka asnjë efekt, përveçse te disa njerëz mund të rrisë frekuencën kardiake./Panorama

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top