
Psikologe
Hipnoterapiste Klinike
Pedagoge pranë UET
Vera me ditët e gjata dhe me diellin që merr kohën e vet për t’u larguar erdhi më në fund edhe për këtë vit. Gjatë netëve të ngrohta, gjatë të cilave nuk të zë gjumi dhe dëshiron të qëndrosh jashtë, një nga gjërat më të mira dhe më të bukura që mund të bësh është të flirtosh. Dalim nga një dimër i gjatë, i lodhshëm për të lëshuar potencialin seksual dhe për t’u ndier më të përmbushur brenda vetes. Sapo fillon pranvera përgatitemi të dobësohemi për t’u dukur bukur në verë, në plazh dhe përpara të tjerëve, sepse dimri ka ca gjëra të mira, ndërsa veshjet e lehta të verës ekspozojnë shumë. Kështu ne fillojmë parapërgatitjet që më parë për harlisjen e verës, për romancat që imagjinojmë dhe presim të kalojmë… pse jo edhe të kërkojmë, dashuritë e mëdha.
Kudo që të jeni, vendosni kontakte reale me njerëzit. Vera është për t’u shijuar në natyrë reale dhe jo përmes mjeteve elektronike. Dilni në bare, restorante, plazhe, male apo fusha, në ato pozicione ku do të përballeni me njerëzit dhe jo duke u fshehur, larg ku nuk ju arrin njeri. Edhe nëse jeni në një marrëdhënie dashurie apo të martuar, flirtimi pranohet. Çdokush ka dëshirë të pëlqehet dhe të tërheqë vëmendjen e të tjerëve, por secili në mënyrën e vet origjinale, pa e ekzagjeruar dhe pa u bërë i bezdisur për të tjerët apo pa lënduar partnerin. Sa herë na ka ndodhur të jemi bërë xhelozë kur kemi kapur në “befasi” partnerin duke parë me cepin e syrit dikë që është ulur në një pozicion provokues apo ndoshta edhe dikë që është totalisht i çlirët, ashtu si ia ka ënda. Të flirtosh dhe të jesh seksi ka mënyra pa fund dhe secili nga ne mund ta bëjë me lehtësinë më të madhe, mjafton të jetë vetvetja dhe të bëjë ato që dëshiron. Flirtimet rrisin vetëvlerësimin dhe të bëjnë të ndihesh më mirë me veten, pa e keqpërdorur konceptin e kësaj fjale. Filloni biseda me njerëz të panjohur në mënyrën më të natyrshme të mundshme, me pyetjet më të thjeshta, por mos harroni të shikoni nëse njerëzit janë të shoqëruar apo jo se ndryshe përfundoni në zënka në mes të plazhit, sepse flirti ende konsiderohet për disa si ngacmim seksual… Bëni shaka kur keni mundësi, sepse çdokush do të dëshirojë të qeshë dhe të jetë i lirshëm. Boll jua ka nxirë jetën shefi/shefja gjatë vitit. Kur njerëzit kanë sens humori, pranohen si më të parrezikshëm dhe pëlqehen prej të tjerëve. Vera është për kënaqësi, është për aventurë, është për të lëshuar adrenalinë! Në të njëjtën kohë, mos harroni të bëni edhe dëgjuesin e mirë për dikë që jua ka ënda, por jo për ndonjë që fillon të ankohet për gjithçka sheh rrotull. Larg nga këta njerëz, sepse ju prishin energjinë përreth vetes dhe ju futin në vorbullën e tyre të ankesave duke ju bërë të harroni të flirtoni.
Kujdes me gjuhën e trupit
Trupi ju flet më shumë se gjithçka tjetër. Pasioni duket që nga mënyra se si lëviz, ndaj tregoni se jeni gati për veprim pa pasur frikë të përballeni më “rrezikun”, duke qenë të hapur ndaj mundësive të reja. Frika na bën që trupi të mblidhet, t’i mbajmë shpatullat e ulura, të mbajmë kokën pak të ulur kur buzëqeshim… Atëherë flirtimi nuk ka vlerë! Kur të flisni me një të panjohur mbajeni kokën lart, shpatullat drejt dhe zemrën e hapur. Fiziku juaj tregon se natyralisht jeni gati për flirtime seksuale dhe për të kaluar bukur. Kujtoni që dashuria është ligji kryesor i universit, të cilën çdokush nga ne e dëshiron, e kërkon, e ëndërron. Shumë prej sjelljeve tona janë thjesht pasqyrim i asaj që kemi dhe ndjejmë brenda vetes, prandaj pasioni për të bukurën dhe për të këndshmen vështirë të fshihet.
Sfidoni frikën nga refuzimi
Sfidat të japin më shumë adrenalinë gjatë veprimit. Nëse vera përfundon dhe nuk e arritët atë që ju pëlqeu, përsëri keni çfarë të kujtoni. Flirtimi nuk njeh moshë, seks. Thjesht lërini prangat e gjykimit këtë verë të kyçura diku dhe shijojeni veten, natyrën, diellin, njerëzit. Të flirtosh nuk është “mëkat”, gjithmonë në aspektin sensual, pa lënduar askënd.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.