Flisni me fëmijën tuaj, duke i treguar dhe jo duke e pyetur. Nëse vërtet doni, që fëmija t’ju tregojë, tregojini ju të parët. Fëmija nuk e ka të lehtë të flasë, apo të tregojë. Fëmija është pikërisht, duke zhvilluar të folurën, të mësuarit e kuptimit të çdo fjale dhe njëkohësisht edhe të menduarit kur, ku dhe si ta përdorë fjalën.
I gjithë ky proces kërkon shumë energji, kurajo dhe vullnet. Ndërveprimi me të rriturin është domosdoshmëri. Duke filluar i rrituri t’i tregojë i lehtëson fëmijës ankthin që së bashku me harresën ja vështirësojnë këtë proces kaq të ndërlikuar të të folurit dhe të menduarit.
E folura dhe mendimi, nxisin, zhvillojnë dhe plotësojnë njëra-tjetrën, por pa dialogun i rritur -i parritur, nuk zhvillohet në më të mirën e mundëshme. Kjo marrëdhënie ose e siguron dhe e nxit të “ecë” përpara fëmijën, ose e pengon dhe e ngatërron nëpërmjet mekanizmave të harresës, pasigurisë, dyshimit dhe frikës.
Të rritur, kujtoni veten kur duhet të shpjegoni një situatë të vështirë, kështu është fëmija në çdo çast që ju e pyesni.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.