Psikofakt

August 12, 2016 | 8:26

Frenat e vetvetes

Nga Edmond Tupja

Nga Edmond Tupja

Si qenie detyrimisht biologjike, por përherë e më shumë pashmangësisht shoqërore, njeriut bashkëkohor, kudo që jeton, i takon të vendosë marrëdhënie me të ngjashmit e tij. Gjatë evoluimit të këtyre marrëdhënieve, atij i duhet të ruajë disa drejtpeshime si në gjirin e familjes, ashtu edhe në mjedisin e tij profesional e, më gjerë, në atë shoqëror. Ruajtja e këtyre drejtpeshimeve sigurisht që e kufizon lirinë e tij: A nuk ka thënë një filozof si Hegeli se “liria është të kuptuarit e domosdoshmërisë” dhe, në vazhdën e tij, një filozof si Sartri se “të jesh i lirë, do të thotë të zgjedhësh prangat e tua”? Pikërisht këtë bëjmë edhe ne sot kur shtrëngohemi t’i vëmë një bemol debatit e polemikës në familjen tonë, institucionin ku punojmë dhe mjedisin ku jetojmë; në këtë mënyrë mbajmë ekuilibrin tonë social duke kompensuar kërkesat tona me lëshimet e nevojshme dhe anasjelltas.

Kjo dialektikë është e pashmangshme për njeriun, i cili mban parasysh tjetrin që ka përballë, prapa ose anash, ndryshe ai ka shumë të ngjarë të kthehet në një qenie asociale që, në rrethana të caktuara, mund të bëhet shoqërisht i rrezikshëm. Nëse ai do t’u kundërvihej të tjerëve sistematikisht duke i kundërshtuar, edhe nëse ka të drejtë, do të prishte drejtpeshimin familjar, profesional apo shoqëror, duke u shfaqur si agresiv, mostolerant ose mendërisht jo në rregull (karakterial, nevrotik, psikopat etj., etj.). Mirëpo, nga ana tjetër, duke u vetëpërmbajtur sistematikisht për të mos krijuar debat, polemikë, konflikt me të tjerët, me një fjalë për ta pasur mirë me të gjithë, ai detyrohet t’i ndrydhë mendimet, vlerësimet dhe gjykimet e tij, çka e bën atë të jetojë duke shtrënguar vazhdimisht frenat e vetes, dukuri kjo që e kthen atë, herët a vonë, në një qenie sociale të ndrydhur, çka, për një sërë psikologësh e psikiatërish, një ditë prej ditësh kurorëzohet me çrregullime të personalitetit.

Rrjedhimisht, lind pyetja: Sa dhe kryesisht si duhet t’i përdorim frenat e vetëpërmbajtjes? Përgjigjet këtu mund të jenë të shumëllojshme, por një gjë duket e pashmangshme: gjithsecili/a nga ne duhet të rrëfehet! Po, të rrëfehet dhe të kërkojë herë pas here ndihmë lidhur me përdorimin e frenave të vetvetes! Të rrëfehet te psikologu/ ia, te bashkëshorti/ja, te shoku/qja, shkurt e shkoqur te tjetri/a. Te tjetri/a sepse gjithsecili/a nga ne ka frena, i shtrëngon apo i lëshon ato, sipas rrethanave, në familje, punë e shoqëri. Kjo zhdërvjelltësi sjelljeje ndikon jo pak në mbarëvajtjen e marrëdhënieve të individit në tre rrafshet e sapopërmendura.

Mospërdorimi sistematik i frenave të vetvetes i ndryshk ato duke rrezikuar, me kalimin e kohës, t’i nxjerrë jashtë përdorimit; përdorimi i tyre i tepruar, orë e çast, mund të bëjë, me kalimin e kohës, që ato të këputen; në të dy rastet, individi rrezikon të preket të paktën nga neuroza, e cila, sipas Adlerit, është, ndryshe nga ç’mendonte Frojdi, një ekzaltim i personalitetit (vullnet për të ushtruar pushtet) që ka për synim të kompensojë “ndjenjën kërcënuese të pasigurisë dhe të inferioritetit” me origjinë biologjike, psikologjike ose sociale.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top