Kryefjala e dy muajve të fundit është virusi i ri infektiv që ka prekur botën. Quhet koronavirus apo COVID-19, por ju me siguri keni dëgjuar të flitet së paku një herë në ditë për të. Informacioni i shumtë dhe i domosdoshëm për parandalimin e sëmundjes, ka qarkulluar që nga Janari në media, konferenca apo mbledhje shtetërore nëpër të gjithë globin.
Duket se me përhapjen e shpejtë të tij, së fundmi koronavirusi po flet çdo gjuhë. Ka mbërritur thuajse në të gjitha kontinentet, prandaj frika dhe paniku janë prezente tek një pjesë e madhe njerëzve. Kjo vihet re fare lehtë, mjafton të kontrolloni farmacitë apo supermaketet e vendit tuaj dhe të kërkoni një palë doreza plastike, maskë mbrojtëse apo një dezinfektues duarsh. Në pjesën më të madhe do t’ju thonë se kanë mbaruar të gjitha.
Kjo është dhe arsyeja përse sot do të flasim për ankthin e shkaktuar nga situata të tilla me ndikim global.
Frika nga koronavirus
Mjekët shprehen se ankthi në këtë situatë është normal, për shkak të përmasave që kjo çështje ka marrë. Ankthi, frika dhe pasiguria ka prekur edhe Shqipërinë megjithëse deri më tani në vendin tonë nuk ka asnjë rast të konfirmuar me këtë virus. Teksa vendet fqinje dhe një numër i madh vendesh në Evropë, ku kryeson Italia, po përballen me virusin në territorin e tyre.
Psikiatrja Arjana Rreli shprehet për ABC News se gjendja e krijuar nga koronavoirusi në Shqipëri është e kuptueshme. Kjo pasi në vend nuk është kaluar ende plotësisht ankthi i shkaktuar nga tërmeti i 26 Nëntorit.
“Ka një rritje të numrit të personave që ankohen për gjendjet e ankthit. Edhe për shkak të situatës që parapriu nga tërmeti. Niveli i stresit në raste të tilla rritet”, shprehet mjekia psikiatre.
Sipas saj grupmoshat më të prekura nga ky lloj ankthi janë ato aktivet, nga mosha 20 deri në 50 vjeç. Kjo vjen pasi këto mosha kanë përgjegjësi më të mëdha dhe aktivitet të përditshëm më të zhvilluar. Specialistja shprehet se në këtë periudhë rastet që kërkojnë ndihmë për probleme të tilla janë dyfishuar.
Ankthi dëmton sistemin imunitar
Gjithë çfarë është thënë kohët e fundit për COVID-19 apo koronavirusin e ri është se personat më të rrezikuar janë ata me imunitet të dobët. Prandaj këshillohet që të bëni kujdes, të ruani në mënyrë sa më të mirë gjendjen tuaj shëndetësore, në mënyrë që virusi të mos kthehet në një rrezik për jetën. Siç shpjeguam edhe më sipër në shumë vende të botës, por edhe në Shqipëri emocionet e ndryshme të frikës, ankthit dhe depresionit po mbizotërojnë në masë gjatë kësaj periudhe.
Sipas mjekëve psikologë kjo nuk e ndihmon aspak organizmin, por dobëson imunitetin duke u kthyer në një problem më vete. Urdhri i Psikologëve Italianë këshillon që në këto raste të ruhet qetësia sa më shumë dhe të bëhet kujdes me shëndetin. Presidenti i Urdhrit David Lazari në një deklaratë shprehet se, situata në të cilën ndodhet globi sot nuk mund të mohohet, por kjo duhet të përballohet pa përhapur frikë të panevojshme.
Një nga situatat që qenia njerëzore ka më shumë frikë të përjetojë janë ato të shkaktuara nga fenomene të panjohura, të rralla e të reja. Të trija këto cilësi i përmban dhe Koronavirusi, por ajo çfarë këshillohet është ruajtja e qetësisë dhe kërkimi i informacionit vetëm në rrjete të besueshme e zyrtare. Këshilla e mjekëve është që të tregoni kujdes dhe të ndiqni vetëm këshillat e specialistëve.
Burimi /AgroWeb.org
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.